Albspirit

Media/News/Publishing

Londër, Facebook hap selinë e re, pavarësisht Brexi-it

z Facebook do të hapë një seli të re në Londër vitin e ardhshëm duke krijuar 500 vende pune në kryeqytetin britanik, njoftoi sot kompania.

Shefja e operacioneve evropiane e Facebook-ut, Nicola Mendelsohn, publikoi planet në konferencën vjetore të Konfederatës së Industrisë Britanike (CBI) në Londër.

Ajo pranoi se e ardhmja e biznesit në Britani ishte e pasigurt për shkak të mungesës së qartësisë mbi largimin e vendit nga Bashkimi Evropian.

Megjithatë, ajo shtoi se Britania e Madhe ka mbetur një nga vendet më të mira për të pasur një kompani të teknologjisë së lartë.

“Ne erdhëm në Londër në vitin 2007 me vetëm një grusht njerëzish ndërkohë që aktualisht kemi 1 000 persona dhe presim që numri të rritet me 50 për qind vitin e ardhshëm”, deklaroi Mendelsohn në konferencë.

“Shumë zhurmë është bërë lidhur me Brexit. Ne kemi nevojë të qëndrojmë konkurrues dhe të jemi një shtëpi e mirëpritur e teknologjisë”, shtoi ajo.

Ajo u shpreh se të punosh në Londër është një propozim tërheqës për inxhinierë shumë të aftë që kompania kërkon të punësojë dhe vuri në dukje se liria e lëvizjes është veçanërisht e rëndësishme në industrinë e teknologjisë.

Njoftimi erdhi pas lajmeve të javës së kaluar të Google-it, që tha se do të zgjerojë funksionet e saj në Londër, ku mund të krijohen deri në 3 000 vende pune.

Please follow and like us: