Albspirit

Media/News/Publishing

Panariti, fshati që i mbijetoi masakrës greke, por jo braktisjes

Nga Luiza Pinderi

Më 1914 Panariti pothuajse u zhduk nga pashpirtësia e grekëve. U vranë 374 njerëz të pafajshëm, gra, burra pleq dhe fëmijë. Kjo ngjarje e tmerrshme nuk e vdiq jetën, dëshirën, përpjekjen. Njerëzit kapërcyen tragjedinë, kujtimet e luftës, harruan erën e gjakut dhe emrat e viktimave. Por sot, pas 102 vjetësh është pothuajse një zonë e braktisur. Nga 200 familje që ishin në vitin 1990, aktualisht aty banojnë vetëm 44.

Spartak Laze është mësuesi i fshatit. Breza të tërë janë rritur, janë edukuar, e janë shkolluar prej tij. E ndërsa kanë kërkuar rrugën e jetës tjetërkund, ai vazhdon i palodhur, me të njëjtin pasion dhe përkushtim si ditën e parë.

image

“Kam filluar punë në vitin e mbrapshtë 1997, atëherë kur vendi dhe fshati ishin në rrëmujë e askush nuk e dinte çfarë do të ndodhte, e çfarë duhet të bënte. Të qëndronte a të ikte. Unë e kam filluar punën me një pagë prej 69 000 lekë të vjetra, ndërkohë që në Greqi aq lekë mund t’i merrje për dy ditë. Ka qenë një pasion i brendshëm që më mbajti, kisha një shpresë. Isha 22 vjeç atëherë dhe pikërisht vetëm kjo mund të më mbante në këtë punë, me këtë pagë e në këtë fshat, kur çdokush mendonte vetëm largimin. Por sot nuk më mban vetëm pasioni. Unë jam familjar, kam dy fëmijë dhe këtu mundem të siguroj jetën time”, thotë ai.

Braktisja është totale në Panarit. Shtëpitë janë kthyer në gërmadha. Rrugët janë të shkatërruara, dhe është e pamundur të lëvizësh sidomos gjatë dimrit, kur fshati izolohet prej borës. Shkolla 9 vjeçare ka vetëm 2 mësues dhe 1 edukatore që mësojnë 32 nxënës dhe 11 fëmijë në arsimin parashkollor. Spartaku tregon se hasin vështirësi në punën e tyre, nuk munden ta bëjnë arsimin aq cilësor. Kjo për shkak të mungesës së bazës materiale.

“Vështirësitë janë të shumta, punojmë me klasa kolektive, mungon baza materiale. Gjatë punës sime jam zhgënjyer shumë herë pas goditjeve që mori arsimi, si pasojë e braktisjes nga shteti, nga njerëzit, rënia e interesit, mungesa e burimeve njerëzore. Kam shpresuar e shpresoj se kjo do ishte tranzitore. Po siç duket zgjati shumë, aq sa zhgënjimi po e sfidon bindshëm shpresën”, shprehet ai.

Kjo zonë ka vite të tëra që nuk preket nga investimet. Njerëzit mbijetojnë falë punës së tyre, duke u marrë me blegtori, pak bujqësi, me rritjen e bletëve apo me mbledhjen e bimëve medicinale, të tilla si: aguliçja, murrizi, tërfili, çaji i malit, dëllinja e egër, salepi etj. Banorët e Panaritit presin që ndryshimi të vijë nga TAP. Të paktën të ndërtohet edhe ajo 9 km rrugë që e mban të izoluar fshatin.

“Pjesa e rrugës që u ndërtua nga TAP ka ringjallur shpresën. Panariti është pjesë e njësisë administrative të Vithkuqit. Por nëse do të bëhet lidhja me Skraparin, mendoj se zona do të rigjallërohet. Ndërtimi i rrugës do ta bëjë më të jetueshme këtë zonë. Deri më sot është parë si zonë në braktisje e sipër, por tani mendoj se kjo filozofi po ndryshon. Vetë shteti duhet ta ndryshojë, pasi nuk ka kuptim braktisja e zonave të tëra dhe përqendrimi i popullsisë vetëm në qytete, ku mundësitë e punësimit janë të kufizuara. Të mos na shohin si zonë pa njerëz dhe pa vota, por të shohin nevojat tona. Pastaj, edhe njerëzit po bëhen koshiente për këtë, po rindërtojnë shtëpitë e rrëzuara. Nuk ka më njerëz që mendojnë vetëm të ikin, por ka njerëz që mendojnë të ndërtojnë një ekonomi pasi zona ka shumë resurse”, shprehet ai.

image

Një nga këta njerëz që mendon të investojë në fshatin ku lindi dhe u rrit, është Ismail Zylo. Ai është vetëm 25 vjeç dhe ka provuar të bëjë punë të ndryshme. Derisa arriti të krijojë biznesin e tij të internetit në Korçë. Ai tregon se ka plane për fshatin e tij, që kërkojnë kohë për të sjellë të ardhura, por nuk do të sjellin asnjëherë humbje.

“Ne jemi shpërngulur nga Panariti pas vitit 2005. Kemi një shtëpi tonën këtu në Korçë. Këtu jemi shkolluar dhe kemi parë mundësitë që na krijoheshin. Ne jemi mësuar tashmë me jetën këtu, por mami dhe babi e kanë më të vështirë dhe janë rikthyer sërish në fshat. Para 1 viti unë shkova, rindërtova nga e para shtëpinë që ishte shkatërruar. Tashmë është bërë një shtëpi me kushte shumë të mira. Atje prindërit kujdesen edhe për bletët, pasi këtu në qytet ishte e vështirë. Por unë kam plane të tjera më të mëdha, për të krijuar atje një biznes. E di që do më duhet punë dhe investim për shkak të largësisë, do më duhet edhe kohë. Por e di që ia vlen dhe nuk do të heq dorë derisa ta shoh të realizuar”, tregon ai.

Shumë 25 vjeçare si Ismaili enden nëpër rrugët e Shqipërisë duke kërkuar fatin e tyre. Shumë zona janë bërë pre e braktisjes, vërtetuar kjo nga numri i lartë i azilantëve dhe i atyre që plotësojnë lotarinë amerikane. Shqiptarët duan të braktisin Shqipërinë dhe ta kërkojnë shpresën diku tjetër.
Panariti kishte 500 shtëpi në 1914 e për kohën mund të konsiderohej një qytezë. Pjesë e Zonës së Vakëfeve, kishte një kontribut të çmuar në luftën kundër armiqve. Greku i masakroi, por nuk i zhduku. Ata zhdukën historinë dhe dhimbja e mbuloi vdekjen me heshtje. Por atë që nuk e bëri armiku, panaritasit ia bënë vetes. Po nuk e kuptuan, sa nuk është vonë, do të vijë dita kur do të thuhet: Ishte dikur një Panarit…/dritare.net

Please follow and like us: