Albspirit

Media/News/Publishing

Fillimi i Donald Trumpit

Kanë kaluar dy javë që prej fitores historike në zgjedhje të Donald Trumpit si President i SHBA. Por që tani një gjë është e qartë: Të gjithë ata që menduan se punët nuk do të venë kaq keq, u gabuan.

USA Donald Trump designierter Präsident (picture-alliance/dpa/M. Reynolds)

Mund të mos e quash në rregull, që Donald Trumpi, i cili tani firmos zyrtarisht si President i zgjedhur, u vërsulet edhe më tej përmes Twitterit medieve, demonstruesve dhe ansambleve teatrore, sepse ato e kritikojnë atë, politikën e tij dhe shumicën e herëve të dyja.

Mund të mos e quash në rregull, që Presidenti i zgjedhur Trump i sugjeron një shteti tjetër, Britanisë së Madhe, po me anë të twitterit dhe publikisht, se cilin ambasador do të bënte mirë të dërgonte në SHBA – pikërisht mikun e tij, arkitektin e Brexitit, Nigel Farage.

Mund të mos e quash në rregull, që Presidenti i zgjedhur Trump vërtet i zgjidhi me 25 milionë dollarë tri padi për mashtrim kundër Universitetit me emrin e tij, por që një dyzinë procesesh të tjera kundër tij ende vazhdojnë.

Dhe mund të mos e quash në rregull, që Presidenti i zgjedhur Trump vazhdon të mos e publikojë deklaratën e tij të taksave. Dhe që ndarja e shpallur e interesave të tij të biznesit dhe postit të tij, duke ia kaluar drejtimin e bizneseve të tij familjes së tij, duket gjithashtu e dyshimtë.

Të gjitha këto mund të të shqetësojnë dhe duhet të të shqetësojnë. Sepse këta janë tregues që flasin se kandidati Trump deri tani në parim nuk dallohet nga Presidenti i zgjedhur Trump. Vërtet që mund të thuash se këtë ndryshim Trumpi do ta bëjë sapo të hyjë në Shtëpinë e Bardhë.

Krijoi fakte

Por kjo shpresë duket e gënjeshtërt, sepse Trumpi nuk ka ndërmarrë sulme vetëm përmes twitterit, ai ka krijuar edhe fakte. Dhe këto fakte përmbajnë një mesazh të qartë: Trumpi ka dëshirë që edhe t’i vërë në jetë shumë nga ato, të cilat i deklaroi në fushatën elektorale.

Kështu, me anë të një mesazhi me video ai deklaroi se braktisja e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë Transpaqësore TPP do të bëjë pjesë në veprimet e tij të para si President. Pikërisht kjo është ajo që pati deklaruar ai edhe në fushatën elektorale. Trumpi deklaroi veç kësaj se do të eleminojë rregullat në sektorin energjetik, të cilat pengojnë të ashtuquajturin Fracking dhe prodhimin e qymyrit vendas.

Me të dyja masat, Trumpi ka ndërmarrë në dy sektorë qendrorë të politikës një kthesë ndaj presidencës së Obamas. Nëse Obama i çoi përpara tregtinë e lirë dhe mbrojtjen e klimës, Trumpi ecën në drejtim të proteksionizmit dhe të fitimit tradicional të energjisë në dëm të mjedisit.

Spostim djathtas në personel

Kjo nuk të çudit, sepse Trumpi nuk e pati formuluar vetëm në fushatën elektorale qëndrimin e tij për këto tema që lidhen me njëra-tjetrën. Kështu, ai pati deklaruar që katër vjet të shkuara se koncepti i ngrohjes së tokës qe shpikur nga Kina, për të dobësuar industrinë amerikane. Me këtë duhet të jetë e qartë se SHBA nën Trumpin, as duan dhe as do t’i arrijnë objektivat e klimës të vendosura në Paris . Por të paktën po kaq shqetësuese janë edhe vendimet e tij të para në personel.

Michael KniggeMichael Knigge

Kështu ai e emëroi Steve Bannon-in, ish-shefin e portalit të internetit Breitbart si kryekëshilltar të tij. Për ta kuptuar pasojën e këtij vendimi, duhet të kuptosh se në këtë mënyrë, strategu më me ndikim dhe këshilltar i Presidentit bëhet një njeri, i cili pak pas zgjedhjeve, tha në një intervistë se është nacionalist. Që në verë, Bannoni u mburr se e kishte bërë Breitbart një platformë për lëvizjen ekstremiste të djathtë, lëvizjen e ashtuquajtur alt-right.

Edhe një emërim i dytë që bëri Trumpi të jep shkas për t’u shqetësuar. Michael Flynn, ish-shef i shërbimit të fshehtë ushtarak, do të jetë Këshilltari Kryesor për Sigurinë i Presidentit. Flynn tërhoqi vëmendjen në fillim të vitit, kur bëri të ditur përmes twitterit se “frika ndaj myslimanëve” është racionale. Edhe mbështetja e qartë që ai i ka bërë Presidentit turk Erdogan, që qeveris në mënyrë gjithnjë e më shumë autokratike si dhe një fjalim i paguar mirë së bashku me një fotografi me Presidentin Putin në Moskë vitin e kaluar të tërheqin vëmendjen.

Natyrisht që Trumpi nuk do t’i plotësojë të gjitha premtimet e tij në zgjedhje dhe nuk do ta mbushë kabinetin vetëm me persona të dyshimtë. Por dy javë pas zgjedhjes së Donald Trumpit është e qartë se Presidenti i ardhshëm ka vullnet që fjalët e fushatës elektorale t’i pasojë edhe nga vepra. Mediet dhe publiku do të bënin mirë që në dallim nga ajo që bënë në fushatën elektorale, ta marrin Trumpin që në fillim seriozisht.

Please follow and like us: