Albspirit

Media/News/Publishing

Legjenda e Bjeshkëve të Nemuna

GANI MEHMETAJ
Legjenda e Bjeshkëve të Nemuna

Në valën e dëbimeve, kur refugjatët iknin maleve apo fshiheshin shpellave që të mos i rrihte era, shqota e shiu, me kujtohej legjenda për emrin e Bjeshkëve të Nemuna. Legjenda thotë se një nënë me dy fëmijë, (burrin ia vranë ushtarët turq), mori ikën drejtë Bjeshkëve të Nalta sipëri Rrafshit të Dukagjinit. Me fëmijë për dore nuk u kujtua për sende të tjera, koha nuk priste, ushtarët e armikut mund t’i kapnin. E frikësuar nga ndjekësit, e pikëlluar për vrasjen e burrit, kthente kokën prapa gruaja me dy jetimë nga katundi, ku shquhej shtëpia e saj që i dilte flaka.

Një pikëllim i pakufishëm ia mbuloi fytyrën, ia nxiu sytë. Ecë e ecë e ujë askund. Sa më shumë që ecte, bjeshkët lartësoheshin, sa më shumë përpiqej t’i shmangej diellit, masa e zjarrtë bëhej më e pamëshirshme, skuqte e digjte si saç. Dhe ata ecnin e ecnin, sa më larg ushtarëve turq.

Dielli i korrikut vazhdonte t’i përvëlonte, etja i kishte molisur nënë e fëmijë. Vijat e ujit në këtë kohë, në të dy krahët sipëri burimit të Drinit shterojnë, bora që dikur rrinte deri në fund të gushtit, për dreq, atë ditë korriku kur u duhej kalamajve të nënës së ve, kishte shkrirë në luginat më të fshehura nga dielli përvëlues.

“Nanë, du ujë”, kërkonte më ngulmë djali i vogël, sepse urinë e harruan nga vapa e madhe e lodhja edhe më e madhe.

Po ujë s’kishte askund. “Nanë, t’lutëm ni pikë uj”, e përgjëronte vogëlushi, pa e kuptuar se kjo gjë nuk ishte në vullnetin e nënës së gjorë. S’gjendej askund pikë uji sa t’ua njomte buzët e përthara. Nëna e hutuar përpiqej ta ngushëllonte të voglin më fjalë, i madhi nuk bëzante, megjithëse shkrumbi i buzëve iu bë një pëllëmbë mbi buzë, thotë legjenda.

“Tash e gjajmë ujit, drita e syve të mi, edhe pak. Gurrat e Bardha nuk janë larg”, përpiqej t’i jepe zemër nëna e shkrumbuar nga vapa e pikëllimi. Kaluan Gurrat e Bardha, por uji nuk rridhte as për ilaçe, u ngjitën Malit të Thatë, vija uji askund. Kopetë e deleve me barinj si t’i kishte lëshuar toka a ngrënë ujku, kambana nuk jehonte në tërë Bjeshkët e Nalta, sikurse quheshin dikur. Njëri të gjallë mbi faqe të dheut.

Fëmijët u lodhën, buzët iu bënë shkrumb, forcat u shteruan, nuk mund të flisnin nga etja e nga lodhja, nisën të përpëlitën, flisnin përçart. Nënën e mbërtheu kulmi i dëshpërimit. Lotët nuk i rridhnin që t’ua njomte buzët, shihte e dëshpëruar se si kalamajtë po i shuheshin para syve. Por më parë se ti kapte fëmijët agonia, para se t’ua bënte gjamën, ajo mallkoi në kulm të zemërimit: ” Hej, moj bjeshkë, kurrë mos paçi ujë! Flaka u daltë! U shitoftë reja!”.

Dhe ra shakull në tokë mbi kalamajtë që po i kalonin çastet e fundit të agonisë.

Legjenda nuk e thotë ç’u bë më nënën e dy fëmijët. Nuk e thotë as a vdiqën apo i shpëtoi mrekullia, por legjenda vazhdon sikur qielli u mëshirua me fatkeqit që përpëliteshin në agoni, dielli u fsheh prapa reve që nisën të qanin më ngashërim, duke ua lëshuar një shi të rrëmbyeshëm që vërshoi bjeshkë e vrri.

Të tjerët prapë duke iu referuar legjendës thonë se mallkimi i nënës i zuri të gjitha bjeshkët sipëri Dukagjinit, në të dy anët e Drinit të Bardhë. Nama e nënës u rri edhe sot kërcënueshëm. Bjeshkët e Nemuna u dogjën nga zjarri i mallkimit, reja shkreptin ndonjëherë në qiell të kthjellët duke djegur pyje të tëra. Gur mbi gur nuk mbetën, thotë legjenda. Të mbërthen angështia kur i shikon mijëra hektarë të djegur, brinjë të bjeshkës që dalin në sipërfaqe, gerxha që shkëlqejnë në diell. Mallkimi i ndjek këto bjeshkë edhe sot: zjarret përsëriten çdo vjet, në të njëjtën kohë, në të njëjtin rrugëtim të nënës: sa herë nisin të këndellen bimësia e filizat e hollë, bie një rrufe dhe i djegë filizat e bredhave e të çetinave.

Nuk e di fundin e nënës më fëmijë, legjenda nuk e thotë shpëtuan apo vdiqën. Ata morën rrugën e përjetësisë, por sigurisht si fëmijë nuk ma thanë fundin tragjik, sepse përrallat e legjendat gjithherë përfundonin fatlumësisht.

Megjithatë në Bjeshkët e Nemuna, më thoshte gjyshja, është një mura, shkëmb i skalitur, ku shihet nëna me dy kalamajtë, më bohçe e më matare uji. Barinjtë kur kalojnë pranë shkëmbit, e derdhin një curril uji, që t’ua njomin buzët nënës e fëmijëve.

Një motërzim serb shumë më i vonshëm, ka një legjendë tjetër për mallkimin e Bjeshkëve të Nemuna. Sipas kësaj legjende kur ushtria serbe, pasi pësoi disfatë nga malësorët e Rugovës e burrave të Dukagjinit, të të ngjitur vjeshkëve, dielli i pamëshirshëm i dërmoi përfundimisht. Gushti më vapë, ushtria e shkalafitur serbe, që i kishte zënë gjaku i të pafajshmeve, ranë shakull në gërxhe. Legjenda e tyre, e sajuar nga kronistët ushtarak, thotë se gjenerali i tyre tha: “Qofsh e mallkuar” (prokleta da si). Në gjuhën e tyre “Prokletije”, dmth “Të mallkuarat”.

Në hartat gjeografike mbi pesëdhjetë vjet ishin të shënuara të dy emërtimet.

Please follow and like us: