Marrëdhënia SHBA – Turqi
Shtetet e Bashkuara po minimizojnë efektet e drejtimit të ri të Turqisë drejt afrimit me Rusinë. Uashington këmbëngul se do të vazhdojë të punojë me vendin aleat të NATO-s, megjithëse marrëdhëniet me Ankaranë janë tensionuar.
Retorika anti-amerikane ka përfshirë Turqinë me akuza për mbështetje të SHBA-së ndaj puçit dhe për strehimin e klerikut që e orkestroi.
Tashmë, Turqia është kthyer drejt Rusisë.
Presidentët Erdogan dhe Putin u takuan këtë javë duke premtuar të riparojnë marrëdhëniet e dëmtuara pas rrëzimit nga Turqia të një avioni luftarak rus përgjatë kufirit sirian në muajin nëntor.
SHBA-ja nuk po i jep rëndësi kësaj lëvizjeje.
“Nuk mendoj se ngrihet pyetja nëse do të dobësohet marrëdhënia jonë me Turqinë për shkak të kësaj. Këto janë vende sovrane dhe kanë marrëdhëniet e tyre me botën,” thotë një zëdhënëse e Departamentit të Shtetit.
Pavarësisht mosmarrëveshjeve rreth puçit të dështuar dhe grupeve rebele në Siri, SHBA-ja dhe Turqia thonë se do të mbeten vende partnere.
“Ne vazhdojmë të bashkëpunojmë për të mos humbur ritmin e fituar drejt dobësimit të ISIL-it në Siri,” thotë Presidenti Obama.
Por, disa ekspertë paralajmërojnë se marrëdhënia e re Turqi – Rusi mund të sjellë telashe për NATO-n.
“Mendoj se Putinit i shërben më shumë një Turqi problematike në NATO, se sa si një vend satelit. Kështu që do të shohim ndërhyrje të Rusisë për me qëllim që Turqia të ketë një qëndrim të paqartë për rolin e saj në aleancën e Perëndimit,” thotë Aykan Erdemir i Fondacionit për Mbrojtjen e Demokracive.
Të tjerë thonë se Turqia mund të përfitojë shumë më tepër prej ruajtjes së marrëdhënieve me SHBA-në dhe me NATO-n.
“Turqit mendojnë se do të frikësohemi dhe shqetësohemi për një largim prej SHBA-së dhe aleancës së NATO-s. Kjo nuk është realiste,” thotë Henri Barkey i Qendrës Wilson.
Ekspertët thonë se Ankaraja vazhdon të ketë pozicione të ndryshme me Moskën për Sirinë, dhe se ka lidhje më të forta ekonomike me Perëndimin, se sa me Rusinë.
Ndërsa Shtëpia e Bardhë thotë se e ardhmja e Turqisë në NATO është e sigurtë.