Albspirit

Media/News/Publishing

Ruben Avxhiu: Media e sëmurë, në demokraci të sëmurë

 

Kur nuk shkon Muhameti te mali, shkon mali te Muhameti, thotë një shprehje vjetër. Ata që nervozoheshin se Shqipëria nuk po bëhej me shpejtësinë e duhur një demokraci si Amerika, mund të ngushëllohen tashmë në faktin se kjo e fundit ka filluar t’i ngjajë Ballkanit.
Shumë muaj më parë, disa shqiptarë nga SHBA shkruan një numër opinionesh plot tërsëllim, për mënyrën sesi kryeministri Edi Rama kishte shpërfytyruar një traditë të bukur amerikane. Kishte ftuar gazetarët për një takim vjetor, mirëpo në vend të shpotive me humor, me të cilat presidenti amerikan thumbon sa veten aq edhe kritikët e tij në media, udhëheqësi shqiptar kishte shfryrë ndaj të ftuarve të tij dufin e mbledhur nga kritikat sipas tij të pabazuara në media.
Më keq akoma, disa gazetarë të mbledhur u ankuan se ata që kishin shkruar kritikat më të rënda ishin ata që refuzuan ftesën. Domethënë që Rama në vend që të shpërblente ata që ishin më pozitivë ndaj tij u kishte përvëluar veshët për inat të atyre që meiguri kishin kaluar një mbrëmje më të këndshme diku tjetër. Ata që e kishin sharë nuk kishin arsye pse të pendoheshin, po disa nga ata që nuk e kishin kritikuar mbase u kishte ardhur inat aty që nuk ia kishin plasur edhe ata.
Sigurisht, nuk munguan edhe reagimet se ndryshe nga Berisha në vitet 1990, Rama ende nuk kishte futur ndonjë gazetar në burg, nuk ia kishte djegur ndokujt makinën po më keq të gjithë redaksinë (si e akuzuan për shkatërrimin e selisë së gazetës “Koha Jonë” në 1997). Krahasuar me ato, ca fjalë të rënda, kur je duke rrufisur pije me kolegët, ndërsa kryeministri tregon se pse nuk e ka merituar sharjen, nuk është edhe aq keq.
Kohët kanë ndryshuar për median në Shqipëri, po kjo jo edhe aq për shkak të edukimit të shoqërisë shqiptare, sesa për shkak se politikanët shqiptarë e kanë kuptuar më në fund se fuqia e medias është e kufizuar. Ajo mund t’ua marrë fytyrën po jo pushtetin. Plus ajo çfarë i bëjnë politikanët në Kuvend njëri-tjetrit, media nuk ua bën dot. Po ashtu politikanët kanë zbuluar se është më e lehtë të korruptosh botuesit dhe pronarët e saj, sesa të përplasesh me kritikat e diplomatëve të fuqishëm të Perëndimit. Botuesit gjithashtu kanë kuptuar se pavarësia editoriale vetëm nder të jep dhe asgjë tjetër. Dhe nderi në Shqipëri është si “derri maç” në atë lojën e vjetër me letra, që gjithësekush përpiqet t’ia lërë tjetrit në dorë.
Sigurisht ende ka pak gazetari, nganjëherë e fshehur jo edhe aq në emisionet e lajmeve dhe faqet e gazetave, sesa në programet gjysëm humoristike si ajo “Striscia la notizia” shqiptare. Metodat aty janë të debatueshme nga ana etike, po nuk habitem kur justifikohen në një shoqëri ku qytetari dhe ligji janë shumë të dobët përballë politikanit. Mirëpo, edhe aty, “viktima” është pothuajse gjithmonë një drejtues i nivelit të ulët, pavarësisht se në fund reflekton edhe mbi drejtuesve kryesorë të vendit. Këto raste tregojnë se si teknologjia ka potencial për të fuqizuar median, por në kontekstin e përgjithshëm media është dobësuar shumë prej saj. Sidomos media e shkruar, ndoshta së shpejti një relike e të kaluarës.
Në sajë, të teknologjisë, politikanët tani mund ta anashkalojnë median dhe të përcjellin mesazhin në rrjetet shoqërore. Në fakt, sot, falë rrjeteve sociale, një njeri që nuk ka asnjë lidhje me gazetarinë, mund të shkruajë diçka që mund të lexohet nga shumë më tepër njerëz sesa një gazetar i njohur. Kjo është sa çliruese dhe fuqizuese për qytetarin sa është edhe sabotuese ndaj tij. Epoka sinjalizon fillimin e fundit të medias të organizuar në formë organizatash si pushtet më vete në strukturën e demokracisë. Në këtë periudhë kalimtare, ndonjë gazetar apo aktivist i marrë që ende guxon të sfidojë pushtetin, rrallë që mund të ndikojë për të sjellë ndryshim. (Me përjashtim të rasteve si protesta kundër sjelljes së armëve kimike siriane apo të ripërpunimit të mbeturinave, ku reagimi bëhet masiv më shumë nga prirja e shoqërisë për panik masiv sesa nga media e përgjegjshme apo aftësia aktivizmit qytetar.)
Për shqiptarët që vajtojnë këtë rrokullisje, ngushëllimi mund të jetë që gazetaria shqiptare nuk është e vetmja që po rrënohet nga progresi teknologjik dhe regresi politik, në epokën e populizmit. Dhe nuk mbaron aty.
Presidenti i sapozgjedhur amerikan Donald Trump, i cili ka ngjashmëri të jashtëzakonshme me politikanët që prodhon Ballkani, mblodhi në një takim disa nga emrat më të njohur të gazetarisë amerikane, ku “iu hoqi veshin”, në mënyra që po të kishte qenë Edi Rama, Sali Berisha apo Lulzim Basha, kundërshtarët e tyre në komunitetin shqiptar do të kishin qëndisur një numër shkrimesh për mënyrat sesi përdhoset shembulli i bukur i demokracisë liberale amerikane.
Në mbrojtje të presidentit të sapozgjedhur amerikan, media këtu nuk është më ajo që ka qenë 20-30 vjet më parë. As ishte kundërshtarja e tij, Hillary Clinton, ndonjë model për sjelljen me median. Mirëpo, në mitingjet e saj, nuk bëheshin thirrje për linçim gazetarësh dhe as ajo vetë nuk i fyente nga podium, në vend që të përqendrohej në mesazhin e fushatës si vepronte Donald Trump. Ai thjesht po sjellë në Shtëpinë e Bardhë banalitetin e premtuar gjatë fushatës.
Trump nuk është ngritur kundër “Zotit” këtu. Opinionet e medias kanë qenë në shumicën e rasteve të njëanshme kundër tij. Ndonëse shpesh me të drejtë. Mirëpo, reporterët e abuzuar prej mbështetësve të tij nuk i meritonin ulurimat e as paranojën që u zbraz mbi ta. Ajo që duhet pranuar është se koha e artë e medias amerikane po venitet. Institucionet e mëdha po brehen dita ditës nga çetat partizane e komitët e internetit. Me pak vetë, me pak shpenzime, e mbi të gjitha pa ndonjë ndjenjë përgjegjësie historike që sjellin me vete institucionet shekullore si “The New York Times” e “Washington Post”, këto portale të vogla po ua marrin lexuesit, trokitësit, reklamuesit gjithnjë e më të rrallë. Sikur të mos mjaftonin këta, tani kanë filluar edhe portalet e lajmeve fallso. Gjatë kësaj fushate presidenciale, ato kanë tërhequr masivisht vëmendjen e miliona vetëve. Dhe nëse gjykoj nga çfarë shoh në Facebook, po bëhen shpejt një preferencë edhe për shqiptarët që lexojnë në anglisht. (Ky rrezik që po shkakton alarm tani në median amerikane, nuk rrezikon atë shqiptare, ku praktika e lajmeve të pavërteta është tashmë e vjetër dhe shihet si normale.)
Humbja e një institucioni të besueshëm për informacionin, zëvendësimi i tij me median partizane dhe atë të skandaleve dhe lajmeve të bujshme, është e lidhur pashmangshmërisht me dobësimin e demokracive perëndimore. E gërshetuar me rënien ekonomike, kërcënimin terrorizmit dhe panikut të ciklit 24-orësh të lajmeve, shoqëritë e tyre do të sprovohen si rrallë herë në kohën moderne. Pasojat do t’i ndjejë e gjithë bota, po më shumë popujt që janë në prag të derës, as brenda e as jashtë, si për shembull shqiptarët. Jo më kot, në Perëndim, njerëzit po nxitojnë të çpluhurosin metodat e vjetra të politikës.
Një media kritike ndaj pushtetit, e shëndetëshme dhe e pavarur, i shërben më mirë politikanëve dhe shoqërisë së saj, në plan afatgjatë. Politikanët shqiptarë mund të ndihmohen më shumë nga ata që i kritikojnë sesa nga ata që ua ledhatojnë sedrën përditë. Kundërshtari më shumë se servili të detyron të kesh sukses në jetë. Po largpamësia, me ndonjë përjashtim, nuk ka qenë virtyt i udhëheqësve tanë. Dhe nuk do të fillojë të jetë tani, kur edhe demokracitë e vjetra duket sikur po veniten./ylliria press/

Please follow and like us: