Një poete “ndryshe” me Gyterin e saj në Athinë
Epitetin “Ndyshe” për poeten Enkeleda Ristani, që përdora në titullin e shkrimit, e huazova nga fjala e rastit e poetit, shkrimtarit e publicistit z. Nase Jani (Urdhri “Naim Frashri i Artë”) kryetar i Klubit të Shkrimtarëve Shqipëtarë në Botë Drita dhe Drejtor i Revistës “Pelegrin”; e ftuar e të cilave ishte poetja në fjalë, që promovojë tek artdashësit e poezisë shqiptare në Athinë, vëllimin e saj të tretë poetikë “E di Gyter?”.
Ndërsa kufijtë e vjeshtës së dytë e të tretë ngatërrohen me djellin ende të nxehtë të Athinës, poetja Ristani dhe Gyteri i saj interesant, patën një udhëtim të veçantë jashtë Tiranës, ku banon poetja në drejtim të kryeqytetit helen, ku punojnë e banojnë mijëra shqiptarët emigrantë, mjaft prej tyre të angazhuar denjësisht në artin dhe letërsinë shqiptare, qoftë si dashamirës dhe shijues të fjalës e letrave shqipe, qoftë dhe si lëvrues fillimtarë, a me emër, në bordin e saj. Gjithë këtyre pra i drejtohej ky aktivitet, ideuar dhe drejtuar vlersueshëm nga aktivistja Brikena Qama, që mblodhi të shtunën e fundit të tetorit, në ambientet e Qendrës së emigrantëve shqiptarë Porta një numër të interesuarish, për të kaluar një fundëpasdite të gjallëruar magjishëm nga Poezia. Qe një organizim i kompletuar që i kishte të gjitha të nevojshmet, për të bërë një bashkëbisedim thelbësor, të drejtë për drejtë dhe të ngrohtë, të Gyterit me lexuesit e tij.
Salla e përgatitur nga mësueset e shkollës të mësimeve plotësuese të gjuhës shqipe në Athinë Eriketa Qorlazja e Renata Pëllumbi por dhe me një suprizë fantastike që kishte përgatitur rregjizorja Alma Zekollari, me video të trajtuara në monitor, që hapi mbrëmjen për të prezantuar auditorin me poezinë e Ristanit, por dhe duke dhënë shije teleoptike tek të pranishmit, qe e mbushur me bashkëatdhetar që për më se dy orësh, dëgjuan diskutimet e përgatitura mbi librin “E di Gyter?”, si dhe objektivin letrar të Enkeleda Ristanit, nga poetët Nase Jani, Armela Hysi, lexuar nga Rovena Xhore, e Elona Gjergo, ndërkohë që dëgjuan dhe të recituara emocionalisht poezi live nga Amarda Ekmekçiu. Pjesa që e pritën më me interes artdashësit qe përshndetja e poetes Enkeleda Ristani, e cila përveç se shprehu kënaqësinë e ardhjes në një ambient të tillë mikpritës që e vlerëson veçanërisht deputimin e saj letrar, u përgjigj pyetjeve të bashkëatdhetarëve dhe së fundi nënshkroi dhe shumë nga librat, për lexuesit. Për të përmendur është se aktivitetin, përveç miq e dashamirës të artit, nxënës e mësuese të gjuhës shqipe, aktivistë të shoqatave shqiptare e lexues të shumtë, e nderuan me pjesmarrjen e tyre edhe disa pena të mirnjohura, e me zë të veçantë në letërsinë shqiptare sot si Myslym Maska, Murat Alia, Novruz Abilekaj, Arqile Gjata, Grigor Jovani etj. që shprehën dhe mendimin e tyre pozitiv për librin “E di Gyter?”. Me urimet për një krijimtari të frytshme dhe shëndet për shqiptarët e kudondodhur, edhe ky promovim ka hyrë në vazhdën e aktiviteteve që emigrantët shqiptarë, mbështetur nga Klubit të Shkrimtarëve Shqipëtarë në Botë Drita, organizojnë, për të qenë gjithmonë në korent me botimet e reja, për njohjen dhe shpërndarjen e vlerave artistike, letrare e gjuhësore.