Albspirit

Media/News/Publishing

“Pa atdhe” libri i ri i Irma Kurtit në gjuhën italiane

     irma1 Poetja e njohur Irma Kurti prezantohet përpara lexuesit italian me një libër të ri me poezi titulluar:”Senza patria” (Pa atdhe). Ky është libri i tetë i autores, i botuar në gjuhën italiane.

“Pa atdhe” është ndarë nga dy pjesë: “Kujtimet në vargje”, ku përfshihen 37 poezi që përqendrohen tek udhëtimi, forca dhe magjia e kujtimeve, ritmi frenetik i ditëve. Pjesa e dytë: “Kjo dashuri” përmban 23 poezi që i këndojnë dashurisë, në veçanti lidhjes së përjetshme midis prindërve dhe fëmijve të cilën as vdekja dhe rrethanat më tragjike të jetës nuk mund ta prekin.

Nga parathënia e librit shkruar nga gazetarja Grazia Pia Licheri veçojmë: “Me një gjuhë të thjeshtë dhe të drejtpërdrejtë, poetja Irma Kurti na ofron edhe një herë një univers ndjesish, një lloj ditari në vargje që hap dyert e reflektimit mbi temat intime dhe ekzistenciale. Irma Kurti shkon drejt e në zemër të lexuesit, duke rrëzuar si gjithnjë idenë se poezia është mjet vetëm për disa të zgjedhur,irma2sepse format e të treguarit të mbushura me ornamente të tepërta dhe truket letrare nuk i përkasin aspak stilit të saj. Është vetë emocioni që merr fjalën përmes një kujtimi, një imazhi, një mendimi, të përshkruara në mënyrë aq preçize sa ta lejojë lexuesin të hyjë në majë të gishtërinjve në jetën e autores, duke ruajtur me të njëkohësisht njëlloj distance”.

Ky është libri i dytë i Irma Kurtit në gjuhën italiane i botuar gjatë këtij viti pas përmbledhjes poetike “Sulla soglia di un dolore” (Në pragun e një dhimbjeje). Ky vëllim, vetëm pak ditë më parë, u vlerësua me çmimin “Libri më i mirë” në konkursin Poem Accademy Awards 2016, të organizuar nga Akademia e Artistëve në Napoli.

Irma Kurti ka nisur të lëvrojë e të botojë poezi që në moshë të hershme. Në vitin 1980 u nderua me çmimin e parë në konkursin kombëtar me rastin e 35-vjetorit të revistës “Pionieri”. Më 1989 fitoi çmimin e dytë në konkursin e organizuar nga Radio – Tirana, me rastin e 45-vjetorit të çlirimit të Atdheut.

irma3Në publikun e gjerë njihet si krijuese e talentuar e teksteve të këngëve të lehta. Është pjesëmarrëse në dhjetra anketa muzikore, festivale kombëtare e koncerte pranvere.

Ka botuar 12 libra në gjuhën shqipe, tetë në italisht dhe tre libra në anglisht. Për poezinë dhe prozën i janë akorduar 30 çmime në konkurse të ndryshme letrare në Itali e Zvicër.

Në vitin 2013 fitoi çmimin ndërkombëtar “Universum Donna” për letërsinë dhe emërtimin “Ambasadore e Paqes” nga Universum Academy dhe Universiteti i Paqes në Lugano, Zvicër. U shpall “Poetja Shqiptare e Vitit 2015” nga Qendra P.E.N e Shqipërisë. Irma Kurti jeton në Bergamo, Itali.

/f.n/

Please follow and like us: