Albspirit

Media/News/Publishing

Zëvendësimet dhe keqinterpretimet që vulosin fatin e shqiptarëve

Zëvendësimet dhe keqinterpretimet që vulosin fatin e shqipëtarëve

Nga Gjergji Doka (Logopedist, lektor në UMT dhe UE)

O moj Shqypni, e mjera Shqypni,

Kush te ka qitë me krye n’hi?

Ti ke pas kenë një zojë e randë,

Burrat e dheut të thirrshin nanë….( Pashko Vasa)

Kështu i këndonte dikur patrioti i madh Pashko Vasa Shqipërisë. Kaluan shumë vite dhe burrat e dheut të Pashkos e ndryshuan emrin e tyre, e bënë burra shteti. Dhe nuk e lanë me kaq, emrin nëna Shqipëri e bënë nëna parti e ndërsa sot i thërrasin nëna demokraci.

Këta burra të zgjuar e ndryshuan herën e parë emrin nëna Shqipëri duke i thurur lavde të mëdha dhe shqipëtarët e interpretuan këtë ndryshim ashtu siç iu servir prej tyre, e punuan më pas jo më për Shqipërinë por për partinë. Ndryshimi i dytë erdhi, jo më me lavde për emrin paraardhës por me urrejtje dhe mllef. Shqipëtarët mësuan emrin e rradhës i cili ishte nëna demokraci. Bashkë me këtë emër mesuan edhe një fjalë tjetër, fjalën tranzicion. Këtu filloi dhe keqinterpretimi më i madh pasi tranzioni u bë sinonim i fjalës shkatërrim. Nëna Shqipëri u bë një “kazan i madh me supë” ku hante populli me pikatore dhe burrat e shtetit me garuzhde. Për vite të tëra nënës Shqipëri ju zbraz barku dhe u rrop lëkura nga pendët e bukura tamam si ajo “RIKA” për vitin ri. Babëzia e popullit të saj me njerëz të aftë dhe të pa aftë, të zgjuar dhe injorantë, punëtorë dhe dembelë, nuk kishte të sosur. Burrat e shtetit nuk bënë asgjë për te zbutur keqinterpretimin e trazicionit i cili në Shqipëri zgjat për më shumë se një çerek shekulli e kush e di ku e ka “davanë”.

….Por sot, Shqypni, pa m’thuej si je?

Po sikur lisi i rrxuem përdhe,….(Pashko Vasa)

Faktikisht Shqipëria sot po mundohet të mëkëmbet. Për rrëzimin përdhe burrat e shtetit e kanë gjetur antidotin, thonë se e ka fajin tranzicioni dhe duan ta zëvendësojnë edhe këtë term që vetë e sollën në fjalorin e përditshëm të shqipëtarëve. Këtë term dikur novativ që sot është vjetëruar ca si tepër, duan ta ndërrojnë me termin integrim. Kjo fjalë e re erdhi posaçërisht për shqipëtarët nga udhëheqësit e tyre. Nuk është se e shpikën vetë ata por ia kallëzoi një nënë më e moshuar, nëna Europë.

Kjo nënë e plakur kishte edhe ajo burrat e vet të shtetit që filluan t’ia shpjegojnë në de-taje fjalën integrim këtyre të Shqipërisë duke i udhëzuar e hapur dyert drejt kontinentit të vjetër.

Si gjithmonë populli gjysmë i informuar e keq interpretoi edhe fjalën integrim. Le të themi më mirë që iu servir keq. Me hapjen e rrugëve drejt Europës mentaliteti i Shqipëtarëve evoluoi dhe shoqëria u bë më e emancipuar. Populli filloi të dilte jashtë kufijve dhe imitonte europianët. Shqipëtarët filluan të ushqeheshin më mirë, të shkolloheshin si dhe të visheshin më mirë ose më saktë të zhvishesin sa më shumë të mundnin (e kam fjalën për vajzat).

Burrat e shtetit filluan konkurencën mes tyre kush e kush të merrte meritën për sjelljen e INTEGRIMIT në Shqipëri. Ata bënë gjithë atë “shamatë” duke sharë dhe përulur njëri-tjetrin për ti ngritur vlerën vetevetes.

Për gjithë këtë zhurmë që bëhet populli vazhdonte të bënte “sehir” dhe të shijonte idetë novative që vinin nga Europa. Njerëz hiqeshin si europianë, ata njohën rrjetet sociale. Menjëherë e vajzat e shndërruan veten në DIVA dhe VIP-e virtuale. Djemtë që nuk bënin gjë tjetër por tërë kohës, të ulur në kafene, kullotin sytë para celularit si dhe rrisin mjekrrën pasi kjo është moda e fundit për ta.

Meqë erdhi fjala tek moda, u bë e modës të ikësh nga nëna Shqipëri. Burra, gra, të rinj e të reja morën arratinë me pretekstin se nuk kishin ku të punonin. Shumica e tyre ishin dembelë dhe qylaxhinj. “Shiko rrushi rrushin dhe piqu”  dhe rreth katërqind mijë bij të Shqipërisë” hynë në Europë” përpara saj. Mbase menduan që Shqipëria do vijë mbrapa me “trenin tallashit” e do ta presin atje.

….Eni t’vajtojmë Shqypninë e mjerë,

Qi mbet’ e shkretë pa em’n, pa nder….(Pashko Vaso)

Faktikisht shqipëtarët po vajtojnë veten e tyre se ku po jetojnë dhe ku duhet të shkojnë, burrat e shtetit po vajtojnë postin si ta fitojnë.

Kush duhet të mendojë për nënën Shqipëri?…. Sigurisht ata që po e “Qisin me krye në hi”, vetë shqipëtarët. Burrat e saj të shtetit dhe gjithë ata që e kanë marrë ose jo arratinë.

Gjithçka që na nevojitet është që të mos keqinterpretojmë më kohën në të cilën jetojmë.

Please follow and like us: