Vrasjet politike dhe drejtësia
Laku sa po vjen e po ngushtohet. Dënim i përjetshëm për zyrtarin e parë të lartë të UDB-së nga Beogradi. Dënimi më i lartë nga kryeqyteti i Evropës, nga Gjykata Penale në Bruksel, për urdhërdhënësin dhe vrasësit e Enver Hadrit. Dënim i përjetshëm për shefin e UDB-së për të ashtuquajturat operacione speciale, Bozhidar Spasiç, për personin i cili mburret publikisht me vrasjet e organizuara prej tij. Një njeri, i cili gënjen pa pushim, lëshon aty-këtu ndonjë të vërtetë të vogël, të shoqëruar menjëherë me një gënjeshtër të madhe. Një njeri, i cili në televizionet serbe jep intervista të detajuara rreth këtyre vrasjeve dhe askush nuk e pështyn në fytyrë.
Tani Vuçiç, i përkëdheluri i radhës i shumë përfaqësuesve evropianë, e ka radhën t’i ekstradojë këta tre vrasës. Nëse vërtet kërkon ta çojë Serbinë në BE, atëherë nuk do të duhej të vonohej asnjë ditë. Por, edhe nëse ai nuk i ekstradon, Bozhidar Spasiç pleqërinë do ta kalojë në burg. Sepse nëse herëdokur Serbia hyn në BE, edhe për të vlen urdhër arresti mbarë evropian.
Edhe ky shembull tregon se vrasësit në këtë botë tejet të internacionalizuar nuk shpëtojnë më aq lehtë. Respekt për familjen Hadri, e cila nuk u dorëzua asnjëherë. Jam shumë e ndërgjegjshme se sa e rëndësishme është kjo fitore e drejtësisë evropiane ndaj vrasësve frikacakë jo vetëm për familjen Hadri, për bashkëshorten dhe fëmijët e tij, por për të gjithë shoqërinë tonë. Enver Hadri nuk është harruar, edhe këtë fakt e dëshmon ky vendim i sotëm.
Sot është përvjetori i vrasjes së Xhemajl Mustafës. Rrallë kush në Kosovën e sotme nuk e din pse u vra Xhemajl Mustafa 16 vjet më parë. Pesha e tij intelektuale, autoriteti i tij i pamohueshëm, puna e tij kolosale për lirinë e Kosovës, paaftësia e tij për t’iu përkulur së keqes. Prandaj e vranë, sepse të tillët nuk i duronin barbarët që vërshuan Kosovën e pasluftës. E vranë, ashtu siç dekada më parë një regjim çnjerëzor kishte ndjekur deri në Gjermani dhe Belgjikë për të vrarë shokët dhe kolegët e tij gazetarë dhe publicistë. Aktorët mund të jenë të ndryshëm, por linja dhe motivet mbeten të njejta.
Por, në fund drejtësia do t’i dënojë të gjithë. Ka kohë që bien këmbanat për të gjithë ata që kanë veshë.