Albspirit

Media/News/Publishing

Çili i përgjigjet Lubonjës: Ja e vërteta jonë për Kadarenë!

Administratori i UET, Henri Çili, u përgjigjet polemikave për librin me 101 dokumentet për Kadarenë. Botuesi i UET PRESS sqaron pse vendosi t’i botojë në një libër këto dokumente 25 vjet pas rënies së regjimit dhe projektin e tij për përkthimin në anglisht.

Libri i ri i Dashnor Kaloçit “Kadare në ‘Pallatin e Ëndrrave’”, botuar nga UET PRESS, ka shkaktuar shumë polemika, pse?

Ka kaluar më pak se një javë nga botimi i një libri shumë të rëndësishëm, shumë të kompletuar me 101 dokumente të mbledhura dhe të përpunuara nga gazetari Dashnor Kaloçi, i cili kësaj here mund të afrohet denjësisht me studiuesit e historisë, janë 101 dokumente tepër sekrete të Kadaresë në Pallatin e Ëndrrave, si një metaforë për institucionet e komunizmit, që kanë folur për Kadarenë, duket se ka ritrazuar shumë ujëra në jetën publike të Tiranës dhe më tej. Polemika, debate, kritika, tekste, nëntekste, etiketime, po shoqërojnë këtë libër dhe ja vlen që shpejt të theksojmë dy pozicionime lidhur me këtë botim. Ky botim është edicioni i dytë dhe përfundimtar, pas librit të parë të Dash Kaloçit, “Kadare i denoncuar” në 32 dokumente, numër të cilën duke e seleksionuar e kemi çuar në 101 dokumente, duke u përpjekur që të botojmë thelbësisht gjëra për herë të parë.

Libri, në radhë të parë, ka një ndarje të hekurt mes fishës përpunuese ose indikative, të secilit dokument që fillojnë nga dokumenti i parë në “Pallatin e Ëndrrave” ose të Komitetit Qendror, që është akordimi i bursës për Kadarenë për studime në Moskë, në gusht të vitit 1958, deri në mbledhjet e fundit të Byrosë Politike pas arratisjes së Ismail Kadaresë në vjeshtë të vitit 1990. Kemi një ndarje të hekurt mes fishës që rrëfen dokumenti dhe vetë dokumentit origjinal. Arsyeja ka qenë e thjeshtë, ne duam t’u paraprijmë, paraprakisht, të gjitha llojeve të kritikave, ose futjes në kontekst, ose nxjerrjes nga konteksti të dokumenteve, duke i lënë ato të plota, origjinal, pa shtuar dhe pa hequr asnjë fjali. Ky ka qenë një synim bazë.

Synimi i dytë ka qenë fakti që botimi i tërë këtij spektri dokumentesh, me 101 të tilla, e theksoj se libri ka gati 700 faqe, është një informacion thuajse shterues, nga ku mund të ndërtohen shumë tendenca, hipoteza, teza, studime, tema, interpretime që u takojnë studiuesve të gjerë të veprës së Kadaresë, apo të lidhjes së letërsisë me diktaturën, jo vetëm brenda, por edhe jashtë vendit. Sepse synimi im është që një ekstrat i këtyre dokumenteve ta botojmë në anglisht me parathënie, me një bisedë të botuesit anglez me autorin Ismail Kadare. Këto dy parakushte kanë qenë baza e konceptimit të editorialit të këtij botimi, projekt të cilin e ka iniciuar Dashnor Kaloçi, të cilin unë e kam mbështetur para dy vjetësh dhe e kam asistuar me shumë entuziazëm. Libri nuk merr përsipër as ta shpallë Ismail Kadarenë disident, pasi ai vetë ka thënë se nuk jam disident dhe as të bëjë një interpretim të seleksionuar të dokumenteve. Nuk ka kurrfarë seleksionimi sepse nuk është e drejtë e shkencore, por nuk është edhe e nevojshme. Historia e Kadaresë me diktaturën rrëfehet në këto 101 dokumente e plotë, e saktë.

Të gjitha këto dokumente të diktaturës të sistemit politik, institucional, kulturor për Ismail Kadarenë e rrëfejnë një të vërtetë të thjeshtë, sa e vërteta e vezës së Kolombit: Kadare ka qenë vazhdimisht i ndjekur, i diskutuar, i denoncuar, i kritikuar dhe vazhdimisht në buzë të rrezikut përgjatë gjithë kohës së diktaturës komuniste, paralel me atë që dukej nga jashtë. Shkurt, me këtë libër kemi dashur t’i japim fund një ideje të krijuar gjatë këtyre 25 viteve sikur Ismail Kadare ishte aty, përbri Enver Hoxhës dhe firmoste bashkë me të dëbimet, internimet dhe pushkatimet. Sigurisht kjo ishte një metaforë e tepruar, por kështu u krijua përshtypja e shumë mjediseve intelektuale. Ne kemi dashur ta tregojmë këtë vërtetë dhe besojmë se ky libër dokument, me 101 dokumente, e jep këtë përgjigje. Nuk e di ku i gjen Fatos Lubonja akuzat për një strategji stimulim manipulimi tonën, kur 101 dokumentet janë botuar të plota, përfshi edhe dëshminë e tij në hetuesi në dënimin e parë.

Pse një universitet privat merr përsipër një botim të tillë?

Në fakt është interesante, por unë do të shtoja diçka tjetër nga pyetja: pse 25 vjet më vonë dhe pse nga një universitet privat? Duhej pak kohë dhe vetëm fuqia, integriteti dhe metodika e institucioneve të tilla të pavarura, siç janë universitetet private, në këtë rast UET mund të bëjë të tilla zgjedhje, aspak heroike për logjikën e një institucioni kërkimor­shkencor, por duket se paskan qenë heroike, sepse për 25 vjet askush nuk e ka bërë me këtë masë, me këtë sistematicitet, neutralitet dhe metodë.

Vetëm institucione të tilla të pavarura kanë distancën nga koha, moralitetin, interesin për të vërtetën, për t’i botuar këta elementë. Po ashtu, jo më kot, është një institucion shkencor, pasi këtë mund ta kishte bërë një media, një organizatë jofitimprurëse, mund ta kishte bërë një nga ato institutet që merren me trajtimin e së kaluarës, apo pjesë nga shoqëria civile…, por e bëri pikërisht një universitet i pavarur. Sepse universitetet e reja private në Shqipëri, tashmë kanë një traditë 10­15­ vjeçare, e kanë mundësinë të zhvillojnë lirinë e brendshme, të jenë të vërtetë, të lirë, të pakondicionuar nga asgjë, përveçse nga e vërteta.

Në një intervistë në vitin 2009, në promovimin e veprës së plotë të Kadaresë, për herë të parë në Universitetin Europian të Tiranës, në bashkëpunim me shtëpinë botuese “Onufri”, Kadare në lidhje me zgjedhjen e UET-­së për të botuar këtë libër, tha: Institucione të tilla të pavarura është në interes të të gjithëve që të forcohen.

Please follow and like us: