Fotografi të fëmijëve jetimë të Çamërisë që hyjnë të vetëm në territorin shqiptar në vitin 1945 pas genocidit grek ku mbetën të vrarë prindrit e tyre.

Kur pozuan për këtë fotografi, ishin rreth 5 vjeç, të vetëm në këtë botë, pa nënë, pa babë e pa të afërm. Janë fëmijët jetimë të Çamërisë që hynë në kufirin shqiptar në vitin 1945 duke lënë pas prindërit e vrarë e të masakruar nga bandat e Napoleon Zervës.

Janë fotografuar sapo kanë hyrë në territorin e Shqipërisë. Megjithëse të paushqyer, të zbathur e me rroba zhele, ata kanë pozuar duke buzëqeshur. Duket sikur masakra greke nuk kishte lënë asnjë gjurmë në fytyrat e tyre. Ishin më me fat gjithsesi se shumë bashkëmoshatarë të tyre, të cilët u vranë e masakruan bashkë me prindrit e tyre gjatë genocidit grek mbi popullsinë çame. Megjithatë, fati nuk do t’iu ndriste aq shumë edhe në tokën shqiptare. Regjimi komunist kishte rezervuar një tjetër stuhi mbi ta, persekutimin ndaj popullsisë çame për 45 vjet në diktaturën komuniste…

Vitet kanë kaluar dhe këta fëmijë sot janë të moshuar, janë mbi të shtatëdhjetat. Me siguri e kujtojnë ditën, kur kaluan kufirin shqiptaro-grek. Me siguri i mbajnë mend rrugicat, muret, sokakët e shtëpitë ku lindën e u bënë 5-6 vjeç. Me siguri e kanë një brengë të madhe si një thirrje për të gjithë ata që i ndalojnë të kthehen atje. Është brenga e madhe e fëmijërisë së tyre, është më shumë se sa një e drejtë themelore e njeriut.

Është kaq e thjeshtë kjo kërkesë e tyre; të shohin edhe një herë vendin nga ku u përzunë dhunshëm, atje ku panë për herë të fundit fytyrën e nënës së tyre e ku e ndjenë për herë të fundit aromën e saj. Atje duan të kthehen për të ndjerë pak aromë Çamërie nëpër rruginat ku jetuan ndoshta të vetmet ditë të lumtura të jetës së tyre.

femije-cam-jetim-1

femije-cam-jetim

femije-cam-jetim2