Auron Tare: Kujtimet e Hajredin Bej Cakranit, firmëtarit ende të panjohur të Pavarësisë
Eshtë botimi më i ri që vjen në duart e lexuesve të apasionuar me ngjarjet historike. Të shkruara nga një prej dëshmitarëve historikë të ngjarjeve të Pavarësisë por jo vetëm, ato vijnë për lexuesin në vigjilje të 28 Nëntorit të këtij viti.
Hajredin Bej Cakrani, një përfaqësues i denjë i aristokracisë shqiptare, nuk është thjesht një dëshmitar i ngjarjes më të rëndësishme të historisë 500-vjeçare të Shqipërisë; por si një pjesëmarrës aktiv në zgjimin e ndërgjegjes kombëtare dhe mëvetësisë nga Perandoria Otomane, ai përshkruan në mënyrë realiste përpjekjet e mëdha të të gjithë atyre që kërkonin një Shqipëri më të mirë.
Si rrallëkush nga dyert e bejlerëve, Hajredin Bej Cakrani kishte kuptuar se mëvetësia nuk ishte thjesht një çështje politike, por në rradhë të parë dhe iluminimi i popullatës se prapambetur dhe dituria e brezit te ri. Së bashku me të vëllanë, një tjetër figurë interesante por ende e panjohur, Bektash Cakranin, ata hapën një prej shkollave të para në shqip duke financuar jo vetëm për ngritjen e saj por edhe për një sërë mësuesish.
Në historiografinë e varfër shqiptare të fillimshekullit të ‘20 rrallëkush ka lënë dëshmi kaq interesante dhe personale mbi përpjekjet që sollën Pavarësinë.
Megjithatë, nga Kujtimet që duhet thënë se janë shkruar në një moshë të kaluar, vijnë një sërë këndvështrimesh ndryshe për disa nga figurat kryesore shtetformuese shqiptare, sa origjinale aq edhe kritike; duke sjellë dimensione të tjera për disa prej emrave të njohur shqiptarë.
I mprehtë, therrës dhe shpesh me nje toskërishte plot ngjyra, Hajredin Beu jep versionin e tij mbi disa prej ngjarjeve të rëndësishme të pas-Pavarësisë duke nga shpjeguar në detaje arsyet e rënies së Qeverisë Vlora, Luftën e Vlorës, rebelimin e Qamilistëve apo ngritjen meteorike të Zogut.
Kujtimet e Hajredin Beut duhen lexuar në kontekstin kohor dhe si një dëshmi autentike e përfaqësuesit të një familjeje që ka kontribuar për Shqipërine.
I panjohur më parë dhe i lënë në harresë, me këto Kujtime të lëna në dorëshkrim duket se Hajredin Cakrani, një prej Firmëtarëve të Pavarësisë, kërkon të flasë nga thellësia e viteve si për të na kujtuar se historia jo gjithmonë shkruhet nga fitimtarët.
Dhe në fund, nuk ka mënyrë më të fisme për ta kaluar Ditën e Pavarësisë sesa duke lexuar në ngrohtësinë e një dhome Kujtimet e një Firmëtari të ngritjes së flamurit.