In Honorem Ismail Kadare
Shkrimtari e përdor alegorinë si formë për të refuzuar estetikisht. E ndërtoi ferrin në letërsi, për të treguar ferrin stalinist në jetën reale. Këtë e realizoi shkëlqyeshëm, sidomos në dy romane emblematike, ”Pallati i Ëndrrave” dhe “Muzgu i perëndive të stepës”, në të cilat perla artistike, me gjenialitet e transfiguron realitetin stalinist në letërsi imagjinare, nëpërmjet analogjive dhe raporteve që ndërton me Ferrin e Dantes dhe letërsinë e absurdit
Nga Ndue Ukaj
Dëshiroj ta filloj këtë tekst me vlerësimin që Ibrahim Rugova i bëri veprës së Kadaresë me 1980, në tekstin “Një mbrëmje me Kadarenë”, në të cilin shkroi: “Kadare përgjigjet për çështje më të rëndësishme e të ndërlikuara, pa komplekse inferioriteti dhe pa imponim autoriteti. Sepse ai sot është një nga autoritetet më të mëdha të letërsisë sonë edhe në raportet ndërkombëtare…Prandaj mund të thuhet se Kadare është shkrimtar, apo thënë më mirë, intelektual me kulturë të gjerë e me vrojtim të thellë. Është në rrjedhën e kohës, i çliruar nga kompleksi i metropoleve, sepse ekziston nëpër metropole.”
E fillova këtë tekst qëllimisht me vlerësimin e Rugovës, meqë sot, pas kaq vitesh, në një ditë “In honorem Ismail Kadare” na tingëllon shumë aktual, dhe njëkohësisht e kuptojmë se vlerësimi i tij, ishte i motivuar dhe i bazuar në principe të mirëfillta artistike, ndërkohë që, përgjatë viteve pasuese, vlerësimet dhe mirënjohjet për autorin kanë arritur kulmin.
Ashtu siç dëfton përvoja empirike, letërsia është pjese e pandashme e kulturës, dhe si e tillë nuk mund të kuptohet, lexohet dhe interpretohet jashtë kontekstit kulturor. Krijimtaria letrare e Kadaresë kaloi nëpër ferrin komunist, atëbotë kur e keqja shtrinte pushtetshëm frymën e saj të zhbërjes, urrejtjes, mizorisë, absurdit. Në këtë periudhë zymtësie, vepra e tij u shfaq si fanar shpresë, që dëftonte se matanë errësirës është drita, dhe se tiranët, pavarësisht kush janë e sa të fuqishëm janë, një ditë do të bien nga froni. Kështu, autori u kthye në orakull shprese dhe vepra e tij në melodi në të cilën kumbonin zërat e lirisë, të mospëlqimit me të keqen e tiranisë. Përgjatë dekadave të shtypjes, kur liria s’ishte gjë tjetër përpos një konstruksion ideologjik në funksion të krijimit të njeriut të ri komunist, letërsia e tij u bë kundërpeshë ndaj shtypjes dhe nxiti nevojën imanente të njeriut për liri.
Është thënë e përsëritur shpeshherë se letërsia është alternativë e përhershme për shoqërinë, e disave u pëlqen të thonë se është mënyra më e mirë e shëlbimit të një shoqërie. Kadare, përgjatë viteve të absurdit, e dëftoi më së miri këtë alternativë. Ai mrekullueshëm e bëri punën e tij prej shkrimtari, duke rezistuar artistikisht dhe estetikisht. Dhe përgjatë atyre dekadave, shkroi një vepër letrare, e cila u shndërrua në urëlidhje, mes humbëtirës komuniste, ku ai dhe populli i tij jetonin, dhe kulturës letrare, ku e kërkonte rrugën kah çlirimi shpirtëror dhe përjetësia për të dhe Shqipërinë e tij.
Leximi im
Secili lexim është personal, subjektiv dhe i ndikuar nga faktorë të ndryshëm. Por, gjithashtu, secili lexim i letërsisë, ushqehet nga disa premisa, që mund të jenë letrare, kulturore, gjuhësore, politike e identitare. Unë letërsinë e Kadaresë e kam lexuar për një sërë arsyesh, dhe për këtë rast, po i veçoj katër.
E para: Letërsia e tij më tërheq, më magjeps, pra, m’i përmbush kërkesat artistike- kënaqësinë e leximit. Kjo për faktin se dimensioni i saj estetik, është i fuqishëm, i përhershëm e kumbues. Arti i tij ka fuqi t’i çlirojë lexuesit nga klishetë e ndryshme, sidomos ato ideologjike për njeriun e ri patëmeta dhe lumturinë njerëzore komuniste, dhe të hapë para tyre horizonte të reja të kuptimit të jetës, duke i stigmatizuar mizoritë, shtypjet politike, nëpërmjet një ligjërimi të epërm.
Po ashtu, Kadare, me artin e tij, ka dëftuar se letërsia ka fuqi t’i çlirojë njerëzit nga “dalldisjet delirante” (Harold Bloom) dhe t’i shpjerrë nga imagjinata, e bukura, e përhershmja. Romanet e tij, të rrëmbejnë me imagjinatën e pasur dhe të kapërdijnë si një lumë- herë i prajshëm e herë i rrëmbyeshëm, dhe të çojnë nëpër kohë e hapësirë, duke bërë ta kundrosh botën me tërë magjitë e mizoritë e saj. Një botë, ku si në një skenë teatri tragjikomik, personazhet bëjnë luftë mes të mirës e të ligës, dashurisë e urrejtjes, përbrenda një kozmosi bukurie letrare, ku fjala, figura e rrëfimi janë si dalta në dorën e një piktori të rryer.
E dyta: Letërsia e Kadaresë, në kohën kur në Kosovë përjetonim terror politik, ishte një lloj pararojë nga murtaja e gjuhës dhe vrushkujt e pushtetit që na godisnin pamëshirshëm. Vepra e tij, ndikoi që t’i mbanim të ndezura shpresat, se përtej mizorisë politike, triumfon gjithmonë e drejta e popujve, liria, si imanencë njerëzore e nevojë ekzistenciale. Këtë e kam kuptuar që nga romanet e para të tij, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Kështjella”, “Kush e solli Doruntinën”, vepra që u bënë pjesë e identitetit tonë kulturor e letrar.
E treta: Letërsia e Kadaresë më ka bërë të ndihem krenar në raport me boten e madhe të letërsisë, atë republikën letrare, ku nuk hyhet lehtësisht. Derisa po shkruaja këtë tekst, m’u kujtua vizita që pata sivjet në Irlandë, me ç’rast mora pjesë në Festivalin e librit në Dublin. Atje, teksa po bisedonim me drejtuesit e Festivalit, për sukseset e sfidat, për pjesëmarrjen e autorëve të rëndësishëm, ata na treguan se i ftuar i tyre, në mesin e shumë të mëdhenjve, ishte shkrimtari Ismail Kadare.
Ky moment, s’ka sesi mos ta emociononte, gëzonte e ngazëllente një autor nga Kosova, që në këtë rast është i pasionuar pas veprës së tij. Sepse, për një moment, ti visheh me një ndjenjë krenarie e mburrje dhe e kupton pushtetin sovran të letërsisë. Në fakt, këtë ndjenjë, nuk e kam përjetuar vetëm kësaj here. E kam përjetuar shpeshherë dhe në momente të ndryshme, sidomos përgjatë viteve kur jetoja në Suedi. Kam marrë pjesë nëpër aktivitete të ndryshme letrare, dhe thuajse në çdo takim, sa herë është kuptuar që unë jam shqiptar dhe merrem me letërsi, emri i Kadaresë ka kumbuar fuqishëm në tavolinën time. Pa mëdyshje, në këto momente, s’ka sesi të mos të të përfshijë ngazëllim e krenari kur e kupton se Kadare ekziston nëpër metropole.
E katërta: Letërsia e Kadaresë është kalcium jete shumë i dobishëm për kombin tonë, sidomos në aporinë e debateve pafund rreth identitetit kulturor të shqiptarëve, në kohën kur si asnjëherë më parë, në skenë kanë dalë gjithfarë karagjozësh që përbuzin identitetin shqiptar e kulturën e tij. Vepra e Kadaresë, ka tagër e fuqi, që ta injektojë lexuesin me forcë e besim te ky identitet dhe te vlera e tij europiane. Duke e njohur dhe pranuar këtë vlerë të epërme të veprës së tij, Patër Zef Pllumi shkroi “Historia jonë është një histori llogoret e sot më i madhi luftëtar në mbrojtje të kulturës, identitetit dhe integrimit europian të shqiptarëve, është Ismail Kadareja e unë gjendem krah për krah tij në ato llogore.”
Vepra letrare e Kadaresë është zbulim e shpalim, shenjë e shënjues i identitetit kulturor të shqiptarëve dhe referenca më e qenësishme e kulturës shqiptare në botë. Si gjeni i rrëfimit dhe përdorimit të gjuhës, ai ka skalitur më mirë se kushdo fizionominë e kombit shqiptar, atë të panjohurën, të mbuluarën, të fshehurën, dhe ka dëftuar dashuni vepruese për të. Në këtë mënyrë, ka ndikuar që në botë të ndryshojë mendimi se kush jemi ne dhe cilët jemi në raport me tjerët.
Shkrimtari Uilliam Faulkner tha: “Unë refuzoj të pranoj fundin e njeriut” dhe sigurisht këtë nuk e tha vetëm për vete, por edhe për sivëllezërit e vet. Pa dyshim, një nga shkrimtarët më tipikë që nuk e pranoi fundin e njeriut është Ismail Kadare. Ai nuk veproi, por shkroi, dhe në këtë mënyrë e sfidoi fundin e njeriut, mjeshtërisht, me magjinë e rrëfimit, me letërsi, duke mos lejuar që asnjëherë të harrojmë. Që nga romani “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, me një duzinë romanesh e esesh, poezish e tregimesh, ai e lartësoi gjuhën dhe letërsinë shqipe në hierarkinë e republikës letrare, ku s’ka qenë kurrë më përpara, dhe njëkohësisht i doli përballë murtajës së gjuhës helmuese, që vërshonte mjerueshëm nga tirania. Në këtë mënyrë, Shqipëria e zymtë, e lodhur dhe e shëmtuar, u bë pjesëmarrëse e denjë në podiumin e artit më sublim: letërsisë.
Vepra e Kadaresë, ndonëse e shkruar në një kontekst të zymtë socio-politik, pa liri, është pararojë e lirisë, dhe si e tillë, frymon nga ndjenja e lirisë së individit, që s’i bindet rendit absurd shoqëror. Në këtë mënyrë, letërsia e tij përfaqëson autorin e pabindur ndaj mësimeve ideologjike staliniste dhe shfaq autorin që kërkon përhershmërinë për humusin e tij, të cilin e ndërlidh me fatin e Shqipërisë historike: të legjendave, folklorit e miteve.
Kadare, si gjeni, rrëfen me stil magjik për fantazmën e gjeneralit armik që shëtit dhe mbledh eshtra në Shqipërinë totalitare, për qytetin në gur, ecjen e të gjallit me të vdekurin, për “Pallatin e Ëndrrave” si një metaforë e sofistikuar për tiraninë dhe pushtetin, për diktaturën që hulumton virgjinitetin e femrave, për rrathët e ferrit komunist sovjetik dhe aludon te ai shqiptar, për një darkë të gabuar që bëhet shkak i thashethemeve me pasoja të rënda, për muzgun e perëndive të stepës, ku katet e banimit në Moskë, të kujtojnë Ferrin e Dantes.
Kadareja ka arritë të formësojë një univers të tijin artistik, i cili ka poetikën karakteristike: si tipologji estetike e semantike. Ai e përdor alegorinë si formë për të refuzuar estetikisht. E ndërtoi ferrin në letërsi, për të treguar ferrin stalinist në jetën reale. Këtë e realizoi shkëlqyeshëm, sidomos në dy romane emblematike, ”Pallati i Ëndrrave” dhe “Muzgu i perëndive të stepës”, në të cilat perla artistike, me gjenialitet e transfiguron realitetin stalinist në letërsi imagjinare, nëpërmjet analogjive dhe raporteve që ndërton me Ferrin e Dantes dhe letërsinë e absurdit.
Kadare, në veprën e tij letrare e shfrytëzoi historinë dhe mitologjinë, si formë për t’i ikur ndëshkimit. Dhe kështu ndërtoi semantikë tjetërfare letrare, me tema që shfaqin një alternativë tjetër, në krahasim me ato që stalinizmi rrënjoste në Shqipëri. Në këtë mënyrë, krijimtaria artistike e Kadaresë e jep një alternativë të përhershme për Shqipërinë komuniste dhe jo vetëm për të. Ajo e jep një alternativë të përhershme për Shqipërinë kulturore e shpirtërore. Sepse nga penda e tij mjeshtërore e kuptojmë më mirë edhe Shqipërinë kulturore dhe identitetin e saj të lashtë, të thadruar në një vepër letrare me peshë dhe shtrirje planetare.
Kadare tanimë është monument letrar. I pranuar dhe i vlerësuar universalisht. Prandaj, ta nderosh veprën e tij, domethënë të kesh vetëdije të lartë qytetëruese, të kesh ndërgjegje kulturore dhe të arrish të kuptosh përmasën artistike të një universi të magjishëm letrar.
Ismail Kadare, në ligjëratën e mbajtur në Munih, me 1992, pyeste: “A i është dashur letërsia botës? Sot, në një ditë “In Honorem Ismail Kadare”, vepra e tij dëfton se letërsia për njerëzimin është e domosdoshme, për arsye të pafundme, mbi të gjitha, për ta kuptuar njeriun në ontologjinë e tij.
(Tekst i lexuar në konferencën“, “Primissimus inter pares – In Honorem Ismail Kadare”, të organizuar nga Universiteti i Tiranës, Departamenti i Letërsisë, me 11 nëntor 2016, Tiranë)