Albspirit

Media/News/Publishing

Nismë për ndarjen e medias nga interesat ekopolitike të pronarëve dhe mbrojtjen e gazetarëve

Asnjë mbështetje nuk jepet nga gazetarët në mënyrë të organizuar për kolegët e tyre, të cilët përballen me padrejtësi, për shkak të frikës dhe të pafuqisë që buron nga vetmia dhe mungesa e organizimit

Sokol Shameti

Sokol Shameti

Së bashku me një grup nismëtarësh si Denion Ndrenika, Spartak Koka, Av Dorian Matlija, Koloreto Cukali etj, po mendojmë të organizojmë në ditët në vijim një mbledhje për të diskutuar mundësinë e fillimit të procedurave të formalizimit ligjor të Sindikatës së Punëtorëve të Medias.

Në kushtet e degradimit të pandalshëm të kushteve të punës për të gjithë punonjësit e kësaj industrie, përkeqësimit të marrdhënieve kontraktore, stanjacionit, rënies, vonesave apo edhe në shumë raste, privimit prej pagave, masa e gazetarëve dhe të angazhuarve të tjerë në këtë sektor të rëndësishëm, ndodhet e fragmentarizuar, e nënshtruar dhe e paorganizuar.

Interesat e të punësuarve në media nuk mbrohen nga asnjë shoqatë apo organizatë nga ato që veprojnë aktualisht në Shqipëri. Këto shoqata apo organizata në shumë raste kontrollohen prej vetë pronarëve dhe gazetarët janë thjesht dekor dhe “ushtri rezerviste” që përdoret prej tyre në luftërat që ata organizojnë për të përmirësuar pozitën dhe rritur përfitimet përballë shtetit. Përveç deklaratave verbale, asnjë veprim konkret nuk i mbron punonjësit që shfrytëzohen në punë apo shkarkohen nga puna në forma nga më diskriminueset dhe arbitraret.

Asnjë mbështetje nuk jepet nga gazetarët në mënyrë të organizuar për kolegët e tyre të cilët përballen me padrejtësi, për shkak të frikës dhe të pafuqisë që buron nga vetmia dhe mungesa e organizimit. Kjo nuk e shmang perspektivën që secili nga punonjësit të përballet së shpejti i vetëm me të njëjtin arbitraritet dhe kjo perspektivë e shndërron atë në një punonjës të nënshtruar që pranon kompromise në kurriz të të drejtave të veta dhe më pas edhe të profesionit gjë që e ka shkatërruar cilësinë dhe integritetin e medias sonë në sytë e publikut.

Është e papranueshme që punonjësit e medias të lihen të negociojnë të vetëm përballë autoritetit të pronarëve, kontratat e tyre të punësimit të cilat kësisoj përfundojnë në akte jo-humane skllavërimi.

Është e papranueshme që punonjës të medias për muaj me radhë të mos paguhen për punën që bëjnë dhe as shteti të mos ndërhyjë e as presioni kolektiv i organizuar i mbarë kolegëve të tyre të mos e detyrojë shtetin të ndërhyjë.

Është e papranueshme që gazetarët dhe profesionistët e tjerë të medias të punojnë në kushtet e presionit konstant të prishjes së kontratave të punës pa asnjë pasojë për pronarët.

Është e papranueshme që një gazetar apo punonjës i medias të shkarkohet padrejtësisht nga puna dhe të mos ekzistojë asnjë fond mbështetjeje sado minimal mbijetese nga ana e kolegëve të tij, e as ndjekje ligjore të çështjes së shkarkimit të tij.

Për të gjitha këto dhe për t’i dhënë një herë e mirë fund situatës së turpshme në të cilën punëtoria e medias ndodhet – si shumë punëtorì të tjera anembanë vendit – duhet që më në fund të organizohemi në një Sindikatë e cila vepron si një trup i vetëm kompakt që e detyron klasën e pronarëve të ketë për herë të parë ndaj nesh respektin që meritojmë.

Mirëpriten këshilla, sugjerime, mendime dhe ide për vendin, datën e mbledhjes, si dhe vullnetarizëm për t’u përfshirë në grupin organizativ.

Please follow and like us: