Albspirit

Media/News/Publishing

Të ndryshosh botën apo të ndërrosh pelenat?

Nga Corinne Maier*

Është e frikshme se sa shumë jemi!

Planeti ynë ka një popullsi prej 7.5 miliardësh.

Në vitin 2100 do jemi 11 miliardë.

Si do jetë në gjendje planeti për të ushqyer kaq shumë njerëz?

Përballë kësaj vale njerëzore, media për herë të parë po tregon shqetësim të madh, madje edhe në Francë- një vend kampion i politikave pro-lindjes, ku mediat janë përfundimisht pro-bebe.

Ne jetojmë në një shoqëri të fiksuar pas fëmijëve.

Fëmija cilësohet si një garanci për lumturinë, për zhvillimin personal, madje edhe për status social.

Ata që janë pa fëmijë (nuk ka një term tamam në Francë) thuhet se janë egoistë dhe dyshohet se janë qytetarë të këqinj.

Shumë prej tyre ndjejnë presionin për të justifikuar veten.

“Nuk bëj dot, por i dua fëmijët”.

Atyre iu përgjigjem për t’i dhënë ngjyrë bisedës: “Unë kam ca, por kam arsye për të urryer fëmijët”.

Jo se jam në pozicionin prej ku mund të argumentoj për rënien e lindshmërisë.

Duke pasur dy fëmijë, nuk mund t’u them të tjerëve: “Mos bëni sikur kam bërë unë”.

Por më duket hipokrizi të fshihesh pas tymit të idealizmit (“Nuk ka asgjë më të bukur se buzëqeshja e një fëmije”) për të justifikuar zgjedhjet e mia të dyshimta për jetën.

Jam një kundërshtare e tmerrshme e lavazhit të trurit dhe patosit.

Është koha që të mos i bëjmë marketing idesë se bebet sjellin lumturi.

Mjaft më me këtë ‘iluzion bebesh’!

Këto ditë është e pamundur të flasësh për eksperiencën si nënë pa thënë: “Jam e bekuar si nënë, fëmijët janë gëzimi im”.

Të vendosësh ‘kënaqësinë’ tek prindërimi është e detyrueshme.

Në eksperiencën time, realiteti është shumë i ndryshëm: të rrisësh një fëmijë është 1 përqind lumturi dhe 99 përqind shqetësim.

Të jesh prind është kthyer në një punë që të konsumon shumë kohë.

Shumë prindër përfshihen ndjeshëm në edukimin e fëmijëve të tyre, duke u kthyer në hiper-prindër të pranishëm në çdo front- që nga sigurimi i një mëngjesi të ekuilibruar, aktivitetet jashtëshkollore, ndihma në detyrat e shtëpisë…

Unë vetë jam krejtësisht e vetëdijshme se sa e përfshirë isha- shumë në fakt- dhe si u bëra një nënë stereotipike hebreje. Që prodhon fëmijë hiper të kontrolluar dhe hiper të mbikëqyrur.

Pyes veten se si do e menaxhojnë veten ata kur të rriten?

Përse ky presion kaq i madh?

Përgjigja sigurisht është tek sigurimi i një numri gjithmonë e më të madh konsumatorësh të vegjël, që nuk lodhen kurrë nga kapitalizimi që ka nevojë të shesë gjithmonë e më shumë një numër të madh produktesh.

Në emër të fëmijëve prindërit blejnë gjithçka, që nga makinat, lavatriçet, shtëpitë e lodrat.

Fëmijët kushtojnë një pasuri të tërë.

Në këtë pikë, për çudi, nuk ka shumë të dhëna në dispozicion në Francë, edhe pse sigurisht nuk na mungojnë statisticienët.

Spanjollët, që janë më pragmatikë, besojnë se që nga lindja e derisa të rriten, fëmijët na kushtojnë nga 98 mijë deri në 300 mijë euro secili.

Rritja e fëmijëve jo vetëm më ka rraskapitur, por edhe më ka falimentuar.

Së shpejti, vajza ime do ketë përfunduar studimet e saj.

Do bëj një festë të madhe atë ditë.

Më në fund nuk do duhet ta mbështes më! Çfarë çlirimi dhe çfarë kursimi!

Përse na thonë vazhdimisht se fëmijët janë e ardhmja jonë?

Ky është pikërisht shkaku se ne nuk jemi të sigurt nëse do kemi ndonjë të ardhme.

Pasioni ynë për fëmijët është i lidhur me shqetësimin për të ardhmen e njerëzimit.

Asete të rraskapitura, burimet natyrore të ndotura… në çfarë bote të rrënuar dhe të shkatërruar do jetojmë nesër?

Dhe të mendosh se kemi hequr dorë nga tentativa për ta ndryshuar atë.

Fëmijë, mirësevini dhe fat të mbarë në këtë botë të kalbur, të cilën prindërit tuaj, që ju duan shumë, ju kanë lënë juve.

Ata janë dorëzuar, kanë varur kapelet.

“Fëmija është më i rëndësishëm”.

Ju do na falni, apo jo?/BBC- mapo.al

*Shkrimtare franceze, nënë e dy fëmijëve

Please follow and like us: