Trashëgimi mjaft e kontestuar: Kuba pa Fidel Castron
Udhëheqësi kubanez, i njohur si “Máximo líder”, Fidel Castro – ndërroi jetë. Trashëgimia e tij është mjaft e kontestuar. 49 vite qëndroi Fidel Castro në pushtet deri në dorëzimin e tij tek vëllai, Raul Castro.
Fidel Castro mund të mbante fjalime disaorëshe, ai ishte një revolucionar karizmatik që mund t’i mbante të ngujuar spektatorët për orë të tëra, një njeri që nuk u lodh së kritikuari armikun tradicional, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. „Yankees nuk do të heqin dorë nga vënia nën kontroll e planetit, marrja nën kontroll e ujit, minierave, dhe burimeve natyrore të vendeve të tjera”, shkroi ish-kreu i shtetit, qeverisë, ushtrisë dhe kryetari i partisë së vetme në vend, PCC në vitin 2012. Fidel, siç thirrej ai nga kubanezët, ishte një socialist i betuar, për të cilin ai luftoi gjithë jetën, për vizionin e tij për drejtësinë dhe pavarësinë e Kubës. Kombet e industrializuara ishin armiq.
Nga jurist në lider të rebelëve
Fidel Alejandro Castro Ruz lindi në vitin 1926 në Birán, në lindje të ishullit, disa historianë shënojnë vitin 1927si vit të lindjes së tij. Fidel dhe vëllezërit e motrat u rritën në mirëqenie. Pas studimit të juridikut, Fidel Castro u bë avokat në Havana. Klientët e tij ishin njerëz të varfër të Kubës. Që kur ishte student, Fidel Castro ishte mjaft i angazhuar politikisht, dhe në vitin 1952 kërkoi të futej në parlament. Zgjedhjet nuk u zhvilluan, sepse Fulgencio Batista – përkohësisht i mbështetur edhe nga SHBA – erdhi përmes puçit në pushtet. Ky ishte momenti, kur Fidel Castro vuri si qëllim rrëzimin e Batistas, duke mbledhur rreth vetes shokë të idealit, ndër ta edhe Ernesto “Che” Guevaran. Përpjekjet e ushtrisë së rebelëve të Castros dështuan fillimisht dhe komandanti doli në mal.
Volker Skierka, autor dhe gazetar thotë se “kur Fidel Castro shpalli qëllimin e rrëzimit të Batistas, shumë vetë nuk e besuan”. Por pas triumfit ai u pa si çliruesi i kubanezëve. Në 1 janar 1959 Fidel Castro erdhi në pushtet në shtetin e Karaibeve, Batista morri arratinë.
Kuba ishte Fidel Castro
Pas ardhjes në pushtet, Castro kërkoi ndërtimin e shtetit socialist duke tërhequr edhe më shumë zemërimin e Shteteve të Bashkuara. Ai gjeti aleatë në vendet komuniste lindore. Sidomos Bashkimi Sovjetik e mbështeti fillimisht Kubën financiarisht dhe stacionoi raketa me rreze të mesme veprimi në vitin 1962. SHBA reagoi, jemi në vitet e “Krizës së Kubës”, e cila përfundoi pa luftë atomike. SHBA vendosi embargon tregtare kundrejt Kubës, e cila rëndon deri më sot marrëdhëniet mes dy vendeve.
Gjendja u vështirësua pas rrëzimit të Bashkimit Sovjetik. Castro investoi mjaft në sistemin shëndetësor dhe arsim, nga më të mirët në rajon deri më sot. Por në të njëjtën kohë ai ndaloi shprehjen e lirë të mendimit dhe lirinë e shtypit. Kundërshtarët politikë u burgosën. Ish-ambasadori gjerman në Kubë, Bernd Wulffen thotë se “Fidel Castro do të mbesë në kujtesë si ai që burgoi qindra vetë vetëm për shkak të angazhimit paqësor politik.”
Pas sëmundjes së rëndë në viin 2006, Fidel Castro u tërhoq nga pushteti duke ia lënë atë vëllait të tij, Raúl Castro. 49 vite në pushtet, asnjë pushtetar, jo-monark nuk ka qëndruar kaq gjatë në post. Raúl Castro filloi në vitin 2008 me hapjen e ngadaltë të vendit. Në dhjetor 2014, Kuba dhe SHBA bënë të ditur rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike.