Gunther Krichbaum: Akuzat e Kryeministrit Rama janë absurde – Pikat kryesore të intervistës
Gunther Krichbaum. Burimi: Institut für Europäische Politik
Në një intervistë për gazetën “Shekulli” të hënën, Gunther Krichbaum i cilësoi absurde akuzat e qeverisë se ai po punon në interes të opozitës. Kryetari i Komisionit për Çështjet e BE-së në Bundestag theksoi se sipas ligjit të Gjermanisë, qeveria federale vendos për hapjen e negociatave vetëm pasi merr miratimin e Bundestagut. Shqetësimet e parlamentarëve gjermanë për krimin, drogën dhe korrupsionin në Shqipëri, Komisioni Europian i ka paraqitur prej kohësh në progres raportet për Shqipërinë – u shpreh Kirchbaum.
Pohimet kryesore të Gunther Krichbaum janë përmbledhur më poshtë.
- Sipas ligjit gjerman, qeveria federale mund të bjerë dakord për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë, vetëm pasi Bundestagu i ka dhënë dritën e gjelbër;
- Vota jonë [e deputetëve të Bundestagut] është një parakusht për një vendim të qeverisë federale për hapjen e negociatave për anëtarësim. Dhe kjo kërkon miratimin e grupimit tim, CDU/ CSU;
- [U]në e kam të vështirë të mund të imagjinoj se Angela Merkel, si anëtare e grupit parlamentar të CDU/CSU-së, të ketë një këndvështrim të ndryshëm;
- [Ç]do gjë e shënuar në letrën tonë prej shtatë pikash ka qenë gjithashtu e kërkuar nga Komisioni i Europian në raportet e tij të progresit për një kohë të gjatë. Kjo tregon se sa absurde është akuza që shtatë pikat tona ishin të ndikuara nga opozita;
- Vetëm pas kësaj [intervistës për shtyp], unë u takova me liderin e opozitës, zotin Basha;
- [R]eforma e gjyqësorit, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, lufta kundër drogës, reforma zgjedhore dhe dekriminalizimi janë të ashtuquajturat “kërkesat kryesore” të Komisionit të BE-së;
- Ne këmbëngulin në plotësimin e këtyre kërkesave, sepse popullsia është duke e pritur këtë prej nesh, evropianëve.
Please follow and like us: