Albspirit

Media/News/Publishing

Një pavarësi e lyer me gëlqere

Një pavarësi e lyer me gëlqereMonumenti i Flamurit dhe Monumenti i Pavarësisë në Vlorë, korrik 2014. Foto © Marco Mazzi.

Në vitin 2014, fotografi Marco Mazzi dhe unë përfunduam projektin për katalogimin e rreth 700 lapidarëve dhe monumenteve të ndërtuar deri në vitin 1990 në territorin e Shqipërisë, Vëzhgim mbi Lapidarët Shqiptarë. Një vit më vonë, ne botuam një katalog prej tre volumesh, i cili përmban të gjithë hulumtimin tonë. Botimi gjendet falas në formatin dixhital për çdo qëllim jo fitimprurës.

Projekti u financua pjesërisht nga Ministria e Kulturës dhe, në atë kohë, unë besoja se rezultatet e një projekti të gjërë kërkimor mbi trashëgiminë kulturore dhe monumentale të periudhës socialiste do ta ndihmonte qeverinë e re të hartonte një politikë të ndjeshme për mënyrën si duhet të trajtohej kjo pjesë shumë e vështirë e historisë kulturore, artistike dhe politike shqiptare.

Por isha i gabuar.

Arrita në këtë përfundim që kur po bëja projektin. Diku përgjatë 7 000 kilometrave që ne përshkruam, 50 ditë ecje nëpër Shqipëri, mora një telefonatë nga ministria: dëshironin të restauronin disa lapidarë për përvjetorin e Pavarësisë.

Me naivitetin tim, përgatita, ndërsa udhëtoja rrugëve një prezantim të gjatë në powerpoint duke detajuar të gjitha llojet e ndryshme të lapidarëve, llojet e dëmtimeve, dhe çështjet e ndryshme politike dhe kulturore që do të vinin me restaurimin e tyre: A do ti vendosnin sërisht yjet? A do të rivendosnin pllakatat origjinale? Por për shkronjat e bronzta? Dhe kështu me radhë.

Në ministri, isha përshëndetur me Drejtoreshën e Institutit të Monumenteve të Kulturës Arta Dollani. Ajo nuk ishte fare e interesuar në detajet e projektit. Në fakt, IMK nuk ka asnjë përgjegjësi për monumentet e periudhës socialiste. Asnjë nuk ka, sepse ligjërisht, ato nuk janë monumente.

Dollani më kërkoi me shpejtësi një listë me “10 më të rëndësishmet” që të fillonte punën. Më kot i shpjegova se ishte më e ndërlikuar se aq. Ajo nuk deshi t’ia dinte, thjesht mbajti shënim ato që i përmenda. Lapidari i Qemal Stafës, mendoi ajo, do të ishte i mirë—çdokush e do Qemal Stafën.

Ndaj, nuk është e çuditshme që, gjatë drejtimit të Arta Dollanit, ne kemi peërjetuar shpërfytyrimin e fasadave monumentale të godinës së Kryeministrisë, shkatërrimin e fasadës monumentale të stadiumit Qemal Stafa, prishjen e vilave të ndryshme monumentale në Tiranë. Për të përdorur disa fjalë që u bënë të famshme rishtasi, “ ajo nuk kupton”.

***

Sot dhe nesër, Shqipëria do të festojë pavarësinë dhe çlirimin e saj. Do ta bëjë këtë përballë dy monumenteve kombëtare: Monumentit të Pavarësisë në Vlorë, krijuar nga Kristaq Rama, Shaban Hadëri dhe Mumtaz Dhrami (ALS-467), dhe skulptura e Nënës Shqipëri në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit, e krijuar nga e njëjta treshe artistësh (ALS-14).

Por Nëna Shqipëri nuk është më ajo që ishte dikur.

Si shumë lapidarë dhe monumente të tjerë në Shqipëri, ajo u “restaurua”. E shkruaj “restaurua” ndërmjet thonjëzave, sepse për qeverinë shqiptare të restaurosh një monument do të thotë, shpesh, vetëm ta lyesh atë me të bardhë (pjesën ballore, jo pjesën e mbrapme—nuk ka për të parë njeri mbrapa).

Si të gjitha projektet e tjera të filluara në të shkuarën e gëzueshme dhe disi mitike nën flamurin e “rikualifikimit urban”, i vetmi veprim restaurues, që mund të imagjinojnë udhëheqësit tanë, vendosshmërisht pa imagjinatë, është të hedhin bojë në fasadë. Duhet të kenë menduar: përderisa funksionoi atëherë, duhet të funksionojë edhe tani.

Monumenti i Brigadës së Parë, Pishkash, qershor 2014. Photo © Marco Mazzi.

Monumenti i Brigadës së Parë, Pishkash, qershor 2014. Foto © Marco Mazzi.

 

Monumenti i Brigadës së Parë, Pishkash, dhjetor 2014. Photo © Exit.
Monumenti i Brigadës së Parë, Pishkash, dhjetor 2014. Foto © Exit.

Një shembull tronditës i kësaj politike të pamendtë është shkatërrimi i monumentit në formë ylli për Brigadën e Parë në Pishkash (ALS-38), e gdhendur nga gurët natyral të zonës. Hijet e ndryshme të gurëve, të fuqizuara nga ndërthyrja e bazorelievit të prerë në brendësi të tij, harmonizohej për mrekulli me gjelbërimin përqark tij. Ishte një monument i veçantë në Europën e Lindjes.

Pjesa ballore e tij ishte “restauruar” diku nga fundi i vitit 2014. Ai i cili mund të ishte tërheqës për turistët në rrugën drejt Korcës, tani nuk është asgjë më shumë se sa një njollë e bardhë në formë ylli e rrafshuar dhe jashtë vendit të vet.

Monumenti i Nënës Shqipëri, Tirana, qershor 2014. Photo © Marco Mazzi.
Monumenti i Nënës Shqipëri, Tirana, qershor 2014. Foto © Marco Mazzi.

Monumenti i Nënës Shqipëri, Tirana, dhjetor 2015. Photo © Raino Isto.

Monumenti i Nënës Shqipëri, Tirana, dhjetor 2015. Foto © Raino Isto.

Njësoj, Nëna Shqipëri shfaqte hije të ndryshme dhe të ndërlikuara të betonit, në harmoni me mermerin bezhë të piedestalit. Falë ndërhyrjes “vizionare” të qeverisë, ajo u thjeshtëzua me një shtresë të trashë boje të bardhë, diku nga viti 2015.

***

Këtë 29 nëntor, djali do të qëndrojë përballë punës së babait të tij për herë të katërt si kryetar i qeverisë. Po çfarë kishte mbetur atje nga historia e babait të tij që duhej fshirë me gëlqere, thjeshtëzohej, mbulohej, fshihej – për t’ia shitur botës në dukje të re!

Së bashku me hapjen e Bunk’Art 2, një tjetër përpjekje e varfër për të ripaketuar historinë, këto nuk janë pyetje të cilat lihen lehtësisht menjanë. Sepse ato shkojnë saktësisht në thelbin e asaj se si Shqipëria sillet me pavarësinë, me çlirimin e saj, me të shkuarën dhe prandaj me të tashmën e saj. Këto pyetje janë për rrezikun e qëndrueshëm e përsëritjes së historisë – pavarësisht se sa bojë vendoset mbi të.

Please follow and like us: