“Plaçkitësit” e Çështjes Çame
Nga Alket Veliu
Jetojmë në një zonë të nxehtë konfliktesh etnike, por më shumë se kaq përplasjesh interesash të fuqive të mëdha.
Sot, kemi një Union Europian që ka humbur busullën, kemi Rusinë gjithmonë e më shumë këmbëngulëse për të fituar influencën dikurshme, kemi një President të ri amerikan, i cili në fushatë premtoi ndryshime thelbësore në politikën e jashtme, kemi Turqinë gjithmonë dhe më shumë aktive në politikën rajonale, Britania e Madhe është te dera e jashtme e Europës e kështu me radhë.
Zbresim në Ballkan, Shqipëria, Maqedonia, Serbia, Greqia po i afrohen zgjedhjeve dhe dukshëm kemi udhëheqës që nxjerrin dhëmbët apo të tjerë që rrisin ndjeshëm dozat nacionaliste.
Ky konfigurim rajonal dhe europian të jep imazhin e Floridës pas uraganit “Katrina”, ku të gjithë vrapojnë të rregullojnë shtëpitë e tyre të shkatërruara dhe hajdutët jetuan ditët e tyre të lavdishme. Bota duket sot si një vend ku sundon anarkia, pa rend, pa liderë të aftë që të marin në dorë fatet globit tonë.
Le të zbresim te Shqipëria jonë e vogël, ku për më shumë se një shekull uraganët shkatërruan dhe “hajdutët” vendas dhe fqinj plaçkitën çfarë mundën dhe po mundohen me çdo kusht të ruajnë “plaçkën” e vjedhur.
Një “plaçkë” e vjedhur është dhe Çamëria, na është vjedhur dinjiteti, varret, shtëpitë, pronat. Gjithë konfigurimi i mësipërm rajonal, ngjarjet e ditës në rajon dhe në glob, sjellin riskun e dëmtimit të Çështjes Çame, nëse kjo çështje nuk administrohet siç duhet ose nëse fqinjët do të përdorin apo blejnë sharlatanët politikë ashtu siç ndodhi në Hagë rreth një muaj me parë.
“Uragani” i ka lënë pasojat tek çështja jonë, por falë organizimit tonë dhe rritjes së përfaqësimit shpresa për të rekuperuar pasojat e “uraganit” është rritur, ashtu si dhe rezultatet e para janë të dukshme në politikën e jashtme të shtetit shqiptar.
Sot, Çështja Çame duhet të ruhet edhe prej plackitësve modern, qofshin këta politikanë, media apo individë, Shqiptarë apo të huaj, të cilët duan nxjerrin përfitime politike apo ekonomike, të cilët shfaqen gjithmonë dhe më shumë në prag të zgjedhjeve.
Sot, bashkimi vlerave intelektuale, historianëve, patriotëve dhe lidershipit çam është rruga e vetme për të mbajtur larg “plaçkitësit” modernë.
Sot, studimet e historianëve për kontributin e çamëve në krahë të aleatëve gjatë Luftës së Dytë Botërore duhen gjithmonë dhe më shumë të artikulohen nga përfaqësia politike e çamëve.
Sot, akuzat e fqinjëve për “propagandë nacionaliste” kanë nevojë për një shpjegim nga ana jonë në drejtim të shoqërisë greke. Ata duhet të kuptojnë qe s’mund të quhet propagandë kërkesa për të hequr Ligjin e Luftës mes dy popujve që duan të jetojnë ne paqe, ata duhet të kuptojnë që e drejta e pronës është universale dhe jo propagandë, ata duhet të kuptojnë që vrasja e grave dhe fëmijëve është genocid dhe jo propagandë nacionaliste.
Ndonëse e artikuluar shumë qartë që nga viti 1991, kur u krijua Shoqata Çamëria dhe deri në ditët e sotme nga lidershipi politik çam, fakti që çamët nuk kërkojnë ndryshim kufijsh, ka një tendecë keqdashëse t’i serviret grekëve dhe ndërkombëtarëve që ndryshimi i kufijve është projekt i çamëve.
Sot, mediave i është lëkundur pozita si pushtet i katërt në shoqëri si pasojë pazareve me politikën dhe janë fuqizuar shumë rrjetet sociale si një pushtet i drejtpërdrejtë i informimit të shtresave që s’kanë të bëjnë me elitat politike dhe ekonomike të shoqërisë.
Jam i bindur që këto kanale komunikimi mes shoqërisë greke dhe asaj shqiptare do t’i tregojnë shoqërisë fqinje që ajo që kërkojmë është as më shumë e as më pak, por respektim i dinjitetit, i drejtave te njeriut dhe të pronës dhe jo ndryshim kufijsh, siç propagandojnë “plaçkitësit” e Çështjes Çame.
Grekët nuk duhet te jenë çamo-fobikë, por duhet të mësojnë që çamët janë pala më e interesuar për të patur një fqinjësi të mirë mes dy popujve tanë.