Albspirit

Media/News/Publishing

Si e njoha Fidel Castron

Armand Sallabanda

Me vdekjen e Castros mbyllet një kapitull i rëndësishëm e dramatik i nëntëqindës. Faqe të tëra të mbushura me idealizimin e një revolucioni dhe dritëhijet e një diktatori që, me gjithë presionin e botës perëndimore, arriti t’ia dalë e te ndërrojë jetë në krevatin e tij. Kushedi nëse vullneti i tij i fundit për të mos u varrosur si gjithë të tjerët, por të kremtohej, mos ka qenë më shumë vazhdimësia e glorifikimit të emrit të tij, delir i njerëzve që kanë mbajtur pushtete për një kohë të gjatë. Por dhe kjo dihet, e dihet se si, ashtu si diktatorë të tjerë ngjajnë pikërisht në këtë pikë të fundit të jetës, ashtu dhe Castro i shpëtoi riciklit natyror të gjërave.

Kam qenë gjithnjë i bindur se një figurë e tillë për ne shqiptaret, s’mund të kishte ekzotizmin që Castro gëzonte në vendet demokratike. Kërbaçin e diktaturës ne shqiptaret e kemi provuar në kurriz vetë e s’kishte se si të vishnim me mit figura të tilla që shpesh janë parë si personazhe filmash, apo karusele magjike në një botë të mërzitshme. E kështu ndodhi kur, në një kurs postuniversitar në Malajzi, kur unë studioja për diplomaci, vjen një personazh si Castro. E duke qenë se ishte i ftuar nga qeveria përkatëse, jep një leksion dhe në akademinë tonë. Ishte pikërisht si në një fshat të harruar të vinte cirku, me drita e llamburisje, me tamburo dhe gërneta. Sepse në fund të karrierës së tij tashmë, Castro shihej si një kloun që bënte show nëpër botë. Të paktën atje ku ende e ftonin si mik.

Leksioni për antiglobalizmin (s’kishte si të ishte ndryshe) u mbajt në një nga hotelet më të famshme të Kuala Lumpur. Ku, ai që shkruan, kujton se çfarë protokolli strikt u qëndis pikërisht për të mos cenuar në asnjë çast figurën e një njeriu të veshur me mantelin e kuriozitetit. Një magjistar i moshuar që kishte vendosur të nxirrte lepurin nga kapelja për herën e fundit. Me këtë rast ishin të ftuar dhe i gjithë trupi diplomatik (miq dhe armiq) e madje mbaj mend që ne studentët qemë spostuar pikërisht për t’iu lënë ambasadorëve të “fuqive të mëdha” rreshtat e parë. Prezantimi i tij u bë si të qe një profet i një bote të humbur, një realiteti të pazakontë. Qe prezantimi i një njeriu që kishte shënuar me municione, puro e shamata një gjysme shekulli.

Kur shoku Fidel artikulon fjalinë e parë, në mënyrë demonstrative, ambasadori i SHBA, që kishte vendin e parë të rreshtit të parë, merr gruan e tij përdore dhe ngrihet e largohet. Ky i fundit arriti të tërheqë, qoftë dhe për pak sekonda, vëmendjen e të pranishmeve që qenë gjithë sy e vesh. Castro vazhdoi fjalimin e tij (pa letër) për rreth 3 orë. E zgjati aq shumë fjalën e tij sa s’mund të mos harroj ambasadorin francez që qëndronte para meje e që tashme kishte varur kokën e po flinte për shtatë palë qejfe. A thua ai aty në mes qe një rrëfyes historish mesjetare që rrëfente për gjestet e ndonjë kalorësi në betejat e tij. Natyrisht që askush nuk lëvizi nga vendi, edhe pse një rast i tillë qe më shumë unik se sa i veçantë.

Pas “leksionit”, nuk e shmanga kuriozitetin për ta takuar. E pasi arrita të çaj mes bodyguardëve 3-metrosh që e ruanin, më erdhi radha dhe mua. Kur i tregova nga vija kërceu nga vendi, aq sa në sytë e kolegëve të mi ndjeva një lloj krenarie. “Çfarë bëhet me Shqipërinë?”, -më tha. Nuk e zgjata shumë me spanjishten time të çalë, edhe pse reagimi i tij sikur plotësoi kuriozitetin tim.

Ruaj ende fotografitë me të, sikur të qenë fotot e bëra me një artist të famshëm filmash, apo kujtimet që mbahen në një sirtar të veçantë të kujtesës. Nga ato që hapen në raste si këto. E ku ti mund të thuash, e kam parë dhe unë, apo e kam takuar dhe unë. E kur mendoj personazhin që ishte, nuk e vesh me magjinë e një cirku në një fshat të humbur. Mbase mendoj që qenia njerëzore në kushte të caktuara mund të kthehet në një diktator, ashtu siç mund të kthehet në një rrëfyes historish të bukura me kalorës fisnikë e me beteja të lavdishme.

Please follow and like us: