Albspirit

Media/News/Publishing

“Vrasësi i heshtur”, që po bën kërdinë ndër shqiptarë

"Vrasësi i heshtur", që po bën kërdinë ndër shqiptarë

NGA DENIS DYRNJAJA

Brenda një viti ikën pa kthim ish deputeti, pedagogu e publicisti Gilman Bakalli si dhe ish aktorja dhe mjekja psikiatre Elida Cangonji. Ikën pa dëshirën e tyre, pa dijeninë e tyre. Ikën se i goditi pabesisht “vrasësi i heshtur”, që po bën kërdinë ndër shqiptarë. Gilmani dhe Elida e humbën betejën me vdekjen, sepse kjo e fundit kishte armën më të suksesshme sot për sot për të marrë jetën e një njeriu, të quajtur “KANCER”. Të dy i mori leuçemia akute. Por si ata, sa e sa të tjerë që nuk janë personazhe publikë, presin biletën e fundit vetëm vajtje nga kjo sëmundje, kjo epidemi më saktë, që po i korr njerëzit në Shqipëri si në një kohë e bilanc lufte. Po na vrasin ushqimet që prodhojmë, importojmë e tregtojmë, po na vret ajri që ndotin çdo ditë me karburantin pa cilësi, me makina jashtë standardeve, po na vrasin medikamentet e skaduara ose jashtë standardeve të kërkuara. Po na vret uji i pijshëm me përmbajtje metalesh të rënda, buka e ngjyrosur e me konservantë, po na vret mishi e fruta perimet me hormone. me.. me… me…me…ka kaq shumë me…sa nuk mbarojnë dhe për fat të keq të gjitha janë ushtarët dhe ndihmësit e kancerit që po na vret.

Njerëz kemi hyrë në llotarinë e vdekjes dhe kjo situatë na duket si lojë ende, përsa kohë nuk na ka rënë numri për në botën e përtejme, ne, ose një të afërmi tonë. Gilmani dhe Elida ikën me heshtjen e tyre të paqtë, që në fakt ulëret për gjëmën që pret çdo njërin prej nesh, prej fëmijëve tanë, prej të afërmeve tanë, nëse do të vazhdojmë të mos reagojmë për të ndalur shkaqet dhe kushtet që “KANCERi” të vrasë. Ne vazhdojmë të blemë çdo ditë me para në tregje, në pika karburanti e farmaci vdekjen tonë. Çfarë mos respekti që kemi për veten. E trishtueshme, por e vërtetë, reale në kuptimin më të plotë e të thellë të fjalës. Së shpejti do të takohemi Gilmani dhe Elida. Çdo njëri prej nesh po pret në rradhë të vijë tek ju me heshtjen dhe indiferencën ndaj kësaj vrasjeje masive që po na ndodh me koshiencën, por pa dëshirën tonë. Gilman dhe Elida na prisni, ne te gjithë do të vijmë shumë shpejt te ju, në këto kushte ndoshta edhe më shpejt nga ç’ikët ju. Një popull që hesht është i destinuar të vdesë!

Please follow and like us: