Krahina belge pengon paktin tregtar BE-Kanada
Marrëveshja tregtare mes Bashkimit Europian dhe Kanadasë duket se nuk do të realizohet, pasi bisedimet mes Kanadasë dhe një krahine belge përfunduan pa asnjë rezultat.
Ministrja kanadeze e Tregtisë, Chrystia Freeland u largua nga bisedimet në Bruksel duke thënë se, BE-ja nuk ishte e aftë as që të nënshkruante një marrëveshje tregtare me Kanadanë.
Bisedimet për marrëveshjen nisën në vitin 2009 dhe Belgjika ishte i vetmi vend që bllokonte firmën, pasi i duhej miratimi i Parlamentit rajonal të krahinës Wallonia. Kjo krahinë frëngjishtfolëse ka qenë gjithnjë kundër paktit tregtar, por BE-ja dhe Kanadaja i vazhdonin bisedimet me shpresën se do ta arrinin ta bindnin.
“Është e qartë për mua dhe për Kanadanë se BE-ja nuk është në gjendje që të bëjë një marrëveshje ndërkombëtare, as me një vend që ka vlera europiane si Kanadaja. Ne jemi të zhgënjyer dhe mendoj se marrëveshja është e pamundur”, deklaroi ministrja kanadeze Freeland.
Nuk është e qartë nëse BE-ja do të vazhdojë që të negociojë me krahinën e Wallonias në ditët në vazhdim, diçka që sipas ekspërtëve i jep fund mrrëveshjes. Kjo krahinë me vetëm 3.6 milionë banorë e shikon marrëveshjen tregtare, që njihet me siglën “CETA”, si një kërcënim për fermerët dhe standardet e mirëqenies.
Krahina frëngjishtfolëse mbështet zërat antiglobaliste dhe druhet se marrëveshja “CETA”, apo të tjera si ajo, i japin shumë fuqi kompanive shumëkombëshe, fuqi që mund të trembë edhe qeveritë. Në disa vende europiane janë organizuar protesta kundër “CETA”-s dhe kundër paktit tjetër “TTIP” me SHBA.