Mbi Kështjellin Rozafat
Shnrit ti, o hyll’i bukur i Lirisë
O Diell’i flaktë rrezet i lësho
Per mbi kështjellat mbarë të Shqypnisë
An’ e kand ndritso,
Edhe ti Flamur i shêjt’i Arbnisë
Mal’e fushë e ç’do pullaz mbulo
Ngjallni, o ngjallni shpnesat djelmnisë
Kuq e zi valo!
Asht Bajram i madh a Pashk’e Zotit
Dita e lume, qi n’a shkrepi sot,
Kû të bijt’ e Lekës, Burrit e Kastriotit
Rkajë derdhin lott?
Jo, s’â Bajram, as Pashk’ as Panaire,
Kjo ditë fatbardhë qi leu në Shqypni
Q’u kputne hekra, hallka e sinxhire
Q’u shtyp nji robni!
Zêmer’ e Shqyptarit sot a tui flakrue
Nji zjarm në gji po ndijn e nji gazmend
E mizorit’ e mdhà qi kà durue
Tash i sjell nder mend.
Zoqt’ e mjerë të Shkabës arbnore
T’arratisun kah lé e prendon,
Çerdhen e gjejnë të shembun, mizore
Dhë Shkaba i mblon.
O Rozafat, kështjell i Shkodrës plakë
Qi i pa-tutun si gjigant qindron,
Kape të lutem ket flamur si flakë,
Kombi t’a dhuron,
Edhe n’a prij në rrugen e lumnisë
N’a ço prej gjumit t’rând e n’a ngushllo,
Detyren n’a trego të Shqyptarnisë
N’a mso, n’a kshillo.
Prâjni muzika, kângë e lahuta
Prâjni britme, hlithm’ e brohori
Ulni poshtë arm’e pushka e huta
Shtija e zantrî;
Oh, prej kah vjen ky zâ, kjo gjâm e mnershme
Nji kjo stuhî e rrebët si rëmor
Qi po më bjen ner mend kohët e hershme
Në shpirt, në krahnor?
Mos â tallas, apo shperthŷne retë
A Qielli mos u çil e bumullon
Dhe si shgjeta kndej lëshon rëfetë
Dhen’e shungullon?
Oh! Zânë ti, goj’artë e qiellore
Zân’e Shqypnisë, qi të ka ardh keq
Ligjrona trimin m’atê zâ madhshtore
Shqypënija heq!
O! qenka vetë Skanderbeu i gjallë
Ky qi buçet kështu e po ligjron,
Edhe sa do që s’ka as shpat’as pallë
Zân’i tij tmeron.
Prejtje nuk ka në vorr as ka pushue
Eshtnat e vorfna edhe s’janë shkrî
Deri sa kjo tokë të jetë librue
Qetë nuk po rrî.
Çoji sternipat të Gencit, t’Agronit
Të Teutës, të Bardhyllit, burrit të dheut
E djlmt’e Ballçejt t’gjith mbas zakonit
Bijt’e Skanderbeut,
E lidhni gjithë besen e Shqyptarit
Por si vllazen qi jeni shok-me shok
Ket dhé të trashigueme prej së parit
T’a gëzoni tok.
A marre per burrnî q’u fali Zoti
Të ngelni si të dekun në plogsi
Ju, q’u ka njoftë Shekulli e Moti
Fusha e Malsi,
Sot qi per popujt ka ague dita
E lyp gjith cili njatë shtegn’e vet
Çilni sytë, avrituni kah drita
Koha nuk u pret.
Pshtym’e flakë, mjergull, tym e shkndija
Tomori prej Tosknije po flakron
Dhé zân’e tij e çon tu Perendija
Mshirën i kërkon.
“Shkodra Shqyptare ky qytet i vjetër
Kerthiz’e Kombit që s’u çduk kaq vjet
Kjo seli’ e bukur qi s’ka shoq tjeter
Shqypes i perket”!
“Burra Shkodranë, Shkodren mos e lini”
Thrret, sa shungllon Liqê e Tarabosh
E ndijn dhe Kiri, Bûna e Drini,
Burë, plak, djalosh!
Përpara, burra, bekim paçi Zotin
Doren njani tjetrit jepni me të shpejt
Rueji mos çnderoni Topejt, Kastriotin
Shkodra prej jush pret!
Le t’i nderojmë atà prindët t’onë
Qi nji ket vend n’a lanë si trashigim
Qi me burrnî ‘e nder kan rà gjithmonë
Per nder e shelbim.
Atà me shpata edhe na me penda
Atdhenë t’a pështojmë s’i përket
Të gjith na Shqyptarët jasht’e mbrenda
Ket Atdheu po pret!
Kristo Floqi