“The Guardian”: Performanca e Dua Lipës, më e rafinuara në Glastonbury
Një ndër mediumet më të fuqishme botërore, britanikja “The Guardian”, ia ka kushtuar një shkrim lavdërues performancës së këngëtares shqiptaro-britanike, Dua Lipa, për paraqitjen e saj në festivalin e madh britanik, Glastonbury.
“The Guardian” shkruan se për disa artistë, Glastonbury është thjeshtë një ndalesë freskie në verën e nxehtë: megjithatë, gjatë performancës së Dua Lipës, u pa qartë se ajo dhe ekipi i saj janë të interesuar që ajo të jetë artistja më depërtuese e vitit.
“Këngëtarja, e lindur në Londër me prindër shqiptarë nga Kosova, menaxhohet nga menaxhmenti që e bëri të famshme Lana del Reyn; të cilët presin që edhe ajo të arrij mega-suksesin e saj. Performanca e djeshme, e kalkuluar dhe e sigurt, nis me tre prej anëtarëve të bendit të saj, burra të veshur me veshje sportive të firmës Adidas, duke e ndezur audiencën me bateritë zhurmuese dhe me tingujt historikë; emri i saj i shkruar me shkronja të mëdha ngjyrë vjollce, për t’u siguruar se e tërë audienca, jo vetëm se do ta dëgjojë atë, por edhe do të besojë se një yll i madh po del në skenë”, shkruan e përditshmja britanike, transmeton Koha.net.
“Ajo pati rastin që të paraqitej për publikun për disa minuta pas intros elaboruese e veshur me një pallto të gjatë ngjyrë rozë, varëse fyti, platformë gotike dhe një kominoshe pa këmbë; paraqitje gjysmë Pussycat Doll dhe gjysmë Charli XCX. Vetë muzika është një lloj popi i përzier me turbo-sint dhe me tekste të ngarkuara (“Nëse nuk e bëjmë rrëmujë të tërën, të garantoj se do të t’çemnd”, këndon ajo para se të dërgojë një puthje). Për ta dëshmuar edhe më shumë veten, ajo këndon edhe një këngë të Jamie xx, përformancë e cila kryhet në mënyrë të përkryer”, potencon më tej “The Guardian”.
“Ajo duket qartë se është e mahnitur nga turma e madhe (“Është një ëndërr e madhe që është bërë realitet për mua”, kishte shkruar ajo pas performancës) ku gjenden shumë vajza të reja të hijeshuara me lule që shkrepin “selfie’”, shkruan e madhja britanike.
Në fund, “The Guardian” thotë se performanca e saj mund të jetë më e rafinuara dhe më kompetentja e zhanrit pop që Glastonbury mund të pres këtë vikend.
Ndërkaq, edhe “NeësWeek” i ka kushtuar disa rreshta Dua Lipës, duke thënë se audienca e festivalit “Glastonbury” mund të mburret që kanë dëgjuar një yll si Dua të performojë live.
“Dua Lipa momentalisht është duke u klasifikuar lartë në top-listat angleze me këngën e saj “Hotter Than Hell” dhe teksa ylli i saj po rritet, audienca e Glastonbury mund të thonë se ishin ndër të parët që e panë atë live. Albumi debutues i këngëtares shqiptaro-angleze pritet të lansohet gjatë këtij viti, por, duke u bazuar në këngët e saj të mëhershme, ajo është nominuar për çmimin BBC “Zëri i Vitit 2016”. Të shtunën ajo u paraqit në skenën “John Peel” ndërsa të dielën do të paraqitet në skenën “Sonic””, shkruan “NeësWeek”. (r.m.)