Albspirit

Media/News/Publishing

Zbulohet progres-raporti/ BE i tërheq vemendjen Qeverisë: Kujdes, me censurën ndaj medias

Bashkimi Europian pritet t’u kërkojë palëve politike në Shqipëri të punojnë për të garantuar lirinë e plotë të medias dhe të shprehjes, duke shmangur çdo formë të censurës në media.

Ky do të jetë një ndër rekomandimet që Brukseli pritet t’i paraqesë Shqipërisë javën e parë të nëntorit, gjatë paraqitjes së progres-raportit të përvitshëm.

ABC News ka siguruar draftin e rekomandimeve, ku Bashkimi Europian shpreh shqetësim për censurën ndaj medias në Shqipëri, në prag të daljes së opinionit të përvitshëm mbi përparimin e vendit tonë, në pritje të hapjes së negociatave të anëtarësimit.

ABC News ka siguruar draftin e rekomandimeve që do dalin nga mbledhja e Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asocimit BE–Shqipëri, që do mbahet në Bruksel, javën e ardhshme, më 7 e 8 Nëntor.

Në dokument thuhet se këto rekomandime për Shqipërinë, janë dakordësuar mes ministres sonë të Integrimit, Klajda Gjosha dhe drejtores së Ballkanit Perëndimor në Drejtorinë e Zgjerimit të BE-së, Genovefa Ruiz Cavalera. Ky është një sinjal se qeveria shqiptare e pranon para Komisionit Europian në Bruksel censurën ndaj medias, të cilën e mohon në Tiranë.

Në rekomandimin 12 të këtij dokumenti u bëhet thirrje të gjitha palëve që të punojnë së bashku, për të krijuar një mjedis që nxit lirinë e vërtetë të medias dhe lirinë e shprehjes, duke shmangur çdo formë të censurës në media”.

Ndaj censurës në media në Shqipëri reagoi këtë të mërkurë edhe Federata Europiane e Gazetarëve, e cila mbështeti shqetësimin e Shoqatës së Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë për dështimin e qëllimshëm të seancës dëgjimore në komisionin e medias me ish drejtoren e lajmeve të A1News, Alida Tota.

Ajo u pushua nga puna pas një investigimi të bërë gushtin e kaluar në landfillin e Sharrës, nën administrimin e Bashkisë së Tiranës, ku humbi jetën 17 vjecari Ardit Gjoklaj. Pak javë më vonë u mbyll emisioni investigativ “Publicus”, një ditë para se të transmetonte një investigim të ngjashëm në landfillin e Sharrës. Për këto raste pati një protestë të gazetarëve e aktivistëve civilë para Bashkisë së Tiranës.

Me kërkesë të gazetarëve, komisioni parlamentar i medias thirri një seancë dëgjimore të mërkurën e 26 tetorit, ku kishte ftuar gazetaren Tota. Seanca dështoi për mungesë kuorumi, pasi deputetët e PS u larguan nga salla duke e konsideruar temën e censurës në media, si një kauzë politike të amplifikuar nga opozita. Ky qëndrim i Bashkimit Europian për censurën në media në Shqipëri, vjen teksa pritet të zhvillohet seanca dëgjimore në komisionin parlamentar të medias për këto raste.

Please follow and like us: