Edhe Enver Hoxha, 6 muaj anëtar i Partisë Fashiste
Edhe Enver Hoxha, ka qenë anëtar i Partisë Fashiste.
Në një përfundim të tillë, arrin studiuesi dhe historian Kastriot Dervishi, i cili duke ju referuar bazës ligjore të kohës, analizon detyrimin që Enver Hoxha kishte për të punuar si mësues, kundrejt anëtarësimit në Partinë Fashiste.
Për mediat Kastriot Dervishi përmend edhe raste të tjera të kohës, të ngjashëm me atë të Enver Hoxhës, të cilët janë anëtarësuar në këtë parti.
“Partia Fashiste ishte parti sunduese në vend. Ajo e dinte fare mirë që nëpunësit ishin më të lidhur, po të nënshkruanin deklarata betimi. Për këtë arsye këtë e rregulloi, së pari, me një akt administrativ shtetëror. Të gjithë nëpunësit detyroheshin të nënshkruanin deklaratën e betimit në bazë të urdhrit qarkor nr. 589/1, datë 6. 6. 1939, të Këshillit të Ministrave. Në bazë të kësaj deklarate ata nënshkruanin besnikëri ndaj regjimit, si dhe se nuk do bënin pjesë partie e shoqata kundër regjimit.
Po ju përmend vetëm një shembull: qeveria e parë e Enver Hoxhës, nga 13 ministra, 9 kishin qenë anëtarë të Partisë Fashiste. Kjo do të thotë se kur ua deshtë puna këtyre u leverdiste të ishin fashistë. Kur nuk ua donte, bënin antifashistin. Në rrumpallën e madhe arkivore që i ndodhi Shqipërisë pas lufte, shumë prej tyre mundën të spastronin dokumentacion shumë të rëndësishëm. Sigurisht ngelën dokumente të tjera apo fakte të tjera. Këtu kujtoj një fakt të thjeshtë, nenin 45 të statusit të Partisë Fashiste, miratuar me dekretin datë 2. 6. 1939 të Mëkëmbësit.
Në këtë nen thuhet: ‘Ata që pushojnë të jenë në PFSH, bien prej nëpunësive të përhershme apo të përkohshme që mbajnë’. (‘Fletorja Zyrtare’, nr. 39, datë 9. 6. 1939, faqe 7). Kësisoj, të gjithë ata që pas datës 6 qershor 1939 janë në nëpunësi shtetërore (përfshi këtu p.sh., Enver Hoxhën mësues me kontratë në Korçë), kanë nënshkruar deklaratën e betimit për besnikëri ndaj regjimit.
Pas pushtimit fashist, Enver Hoxha shkoi për pushime për 3 muaj në Itali.
Pas kthimit ai ka vazhduar normalisht të japë mësim në liceun e Korçës, deri në dhjetor 1939, kohë kur u largua për mospëlqim transferimi nga Korça në Gjirokastër. Kësisoj Enver Hoxha në 6-mujorin e dytë të vitit 1939 ka qenë anëtar i Partisë Fashiste, sepse ka qenë nëpunës (në kuptim të nenit 45 të statutit të sipërcituar). Por meqë Enver Hoxha nuk pranonte të bënte autobiografinë në parti, po sjellim rastin e një personi tjetër.
Ky quhet Spiro Pano (1916 – 1974), ish-ministër, ish-sekretar i Komitetit Qendror të PPSH-së.
Në autobiografinë e tij shkruan se në vitet 1939 – 1942 ka qenë mësues në shkollën e Ujit të Ftohtë në Vlorë dhe për këtë arsye është regjistruar në Partinë Fashiste.
Atëherë pse mësuesi Spiro Pano e paska pasur të detyruar dhe Enver Hoxha nuk e paska pasur të detyruar këtë gjë?
Komunistët, nëse ishin të tillë, kishin vetëm një rrugë për të ruajtur ‘virgjërinë’ politike të tyre: të mos pranonin asnjë funksion shtetëror në një regjim që nuk e konsideronin të tyrin”, deklaron Kastriot Dervishi.