Albspirit

Media/News/Publishing

150 vjeotri i lindjes – Wassily Kandinsky – Themeluesi i artit abstrakt

Ngjyrat dhe format karakterizojnë artin abstrakt të Wassiliy Kandinsky. Para 150 vjetësh kjo ishte revolucionare.

Kandinsky, Zarte Akzente (picture-alliance/akg-images)

Më 1910 artisti rus Vassily Kandinsky pikturoi “akuarelin e parë abstrakt”. Një vit më pas ai i prezantoi veprat e tij në një ekspozitë të “Shoqatës së artistëve të rinj në Mynih”. Ky ishte një skandal. “Ose shumica e anëtarëve të kësaj shoqate janë pashërueshmërisht të sëmurë nga trutë e kokës, ose ne kemi të bëjmë me një grup mashtruesish të paskrupult, të cilët janë fort mirë në dijeni për dobësinë e bashkëkohësve tanë për sensacione dhe përpiqen ta shfrytëzojnë kërkesën e madhe për to”, kështu komentonte gazeta “Münchener Neuste Nachrichten”. Për avantgardën në Europë arti abstrakt i Kandinskyt ishte revolucionar

Portrait Wassily Kandinsky (picture alliance/Heritage Images/Fine Art Images)

.

Tërheqja në vetvete

Ishin kohë të vrullshme. Përparimi industrial i nxiste njerëzit, që të shkonin gjithmonë më përpara, më shpetj dhe më lart. Ekonomia sillte thuajse çdo ditë njohuri të reja. Freudi publikoi teorinë e tij për psikikën njerëzore. Amundson arriti Polin e Jugut dhe Siemens prodhoi një telegraf të shpejtë, i cili mund të transmetonte 1000 karaktere në minutë.

Ajo që dje dukej ende e mundshme, sot ishte e vjetëruar. Imazhi i realitetit u lëkund prej  shkencës moderne. Për këtë arsye për artistët si Kandinsky nuk ishte më vendimtar pasqyrimi i rrealitetit. Të vetmen të vërtetë artisti rus donte ta zbulonte brenda njeriut e kjo brendësi, bota e ndjenjave duhej të pasqyrohej në telajo në ngjyra dhe forma abstarkte.

Historiani i artit Wilhelm Worringer më 1907 pati shkruar një ese të titulluar “Abstraksion dhe ndjeshmëri”. Në të thuhet, se “tendenca për abstraksion është rrjedhojë e një pasigurie të thellë të njeriut përballë botës”.

Kandinsky, Interieur m. Münter u. Werefkin (picture-alliance/akg-images/A. Held)

Fillimet artistike të Kandinskyt në Mynih

Wassily Kandinsky lindi më 4 dhjetor 1866 në Moskë. Pas studimeve në degën e juridikut ai iu përkushtua artit dhe në vitin 1986 u vendos në Mynih. Atje studioi fillimisht në një shkollë private arti, më vonë në Akademinë e Arteve të Mynihut. Paralelisht ai themeloi vet një shoqatë artistësh, që quhej “Phalanx” dhe menaxhonte edhe një shkollë arti, në të cilën ka studiuar edhe artistja Gabriele Münter.

Ndonëse ekspresionisti abstrakt asokohe ishte i martuar, ai u lidh me Gabriele Münter. Artisti kalonte shumë kohë në shtëpinë e saj në Murnau të Bavarisë. Pikturat e shtëpive dhe pyjeve, që krijoi atje, vazhdojnë të jenë të influencuara nga arti popullor i atdheut të tij rus, por tashmë ato rrezatojnë në ngjyra të ndriçuara.

Teoria e Kandinskyt për pikturën abstrakte

Kandisky arriti tek piktura abstrakte, pasi sipas tij, pa një pikturë në muzg në atelienë e tij. Piktura ndodhej e vendosur anash dhe Kandinsky dalloi vetëm forma dhe ngjyra, që e entuziazmuan atë. Ai arriti në përfundimin, se në fakt objektet vetëm e dëmtojnë pikturën e tij. Por natyrisht Kandinsky njihte edhe harmoninë e ngjyrave dhe të dritës të impresionistëve dhe format e pazakonta të kubistëve.

Wassily Kandinsky u mor edhe nga ana teorike me artin abstrakt. Më 1911 u botua libri i tij orientues “Mbi shpirtëroren në art”. Në të ai trajton ndër të tjera edhe çështjen, se çfarë qëllimi duhet të përmbushë arti dhe se çfarë efekti kanë ngjyrat dhe format ndaj shpirtit. Meqënëse piktura abstrakte është e çliruar prej objekteve, shkruan ai, ngjyrat dhe format mund të shpalosin qenien e vet dhe të shprehin gjendjet shpirtërore.

Kandinsky, Landschaft mit Lokomotive (picture-alliance/akg-images)

Grupi i artistëve “Der Blaue Reiter”

Ndërkohë që disa i vlerësonin veprat dhe teoritë e Kandinskyt si revolucionare, njohësit konsrevator të artit e kishin të vështirë ta pranonin atë. Madje edhe shoqata e re e artistëve në Mynih “Neuen Künstlervereinigung München” ishte kritike ndaj Kandinskyt. Më 2 dhjetor 1911 juria e hodhi poshtë verprën e tij të madhe “Kompozimi V” për një ekspozitë. Për protestë Kandinsky, miku i tij Franz Marc dhe Gabriele Münter dolën nga shoqata dhe themeluan grupin e artistëve “Der Blaue Reiter” (kalorësi blu), të cilit iu bashkua edhe August Macke. Me Franz Marc Kandinsky 1912 botoi almanakun “Der Blaue Reiter”, në të cilin të dy shpreheshin për barazinë e arteve dhe kërkonin një gjuhë të re ngjyrash dhe forme.

Vitet e luftës i ndanë miqtë e artit

Kur shpërtheu Lufta e Parë Botërore, Kandinsky u kthye në Moskë. Gjermania i kishte shpallur luftë Rusisë. Gabriele Münter u zhvendos në Stokholm – e me këtë mori fund edhe lidhja e tyre. Megjithatë ata i ruajtën kontaktet. P.sh. Gabriele Münter i shpëtoi veprat e tij prej nacionalsocialistëve dhe ia dhuroi pikturat e saj të Kandinskyt më 1957 Galerisë së qytetit Lenbachhaus në Mynih.

Në Moskë Kandinsky e vazhdoi karrierën e tij akademike si profesor. Më 1917 ai u martua me Nina Adrejevsky 27 vjet më e re se ai, e cila më vonë u kujdes për trashëgiminë e tij. Bashkimi i ri Sovjetik e kufizoi ndjeshëm lirinë krijuese të Kandinskyt – ndaj ai iu përgjigj thirrjes së Walter Gropius-it, i cili

Kandinsky / Durchgehender Strich 1923 (picture-alliance/akg-images/M. Babey)

më 1922 e tërhoqi atë në Bauhaus në Vajmar, ashtu si edhe ish-fqinjin e mikun prej shumë vitesh të tij Paul Klee.

Vitet gjeometrike të Bauhaus

Në shkollën e tij të artit të themeluar më 1919 në Vajmar arkitekti Walter Gropius donte të çonte përpara barazinë e arteve. Artistët e zanatçinjtë duhej të mësonin nga njeri-tjetri si dhe të jepnin mësim. Derisa nacionalsocialistët e mbyllën përfundimisht Bauhaus, Kandinsky jepte mësim në klasa të ndryshme të lira pikture. Pas fazës së tij të krijimtarisë ekspresioniste në Bauhaus ai iu përkushtua formave gjeometrike, sepse ai ishte vazhdimisht në kërkim të ligjeve për artin abstrakt.

Më 1926 doli libri i Bauhaus “Pika dhe viza në sipërfaqe”, në të cilin Kandinsky përpiqet të skicojë gramatikën e formave. Pika dhe viza janë elemntë jo vetëm të pikturës, por edhe të muzikës. “Shumica e instrumenteve muzikore kanë karakter linear. Tonaliteti i instrumenteve të ndryshme i përgjigjet gjerësisë së vizës: një vizë shumë e hollë përçohet nga violina, flauti, pikolo.” Edhe tek shkrimi i notave ai sheh një kombinim mes pikave dhe vizave. Kësisoj në mënyrë të thjeshtuar shpjegohen tinguj të ndërlikuar. Këtë thjeshtim ai do ta përçojë edhe në art. “Edhe këtu ka vetëm një rrugë – ndarja analitike e elementëve bazë, për të arritur së fundi tek shprehja vetiake grafike.” Këto elementë bazë janë rrethi, kuadrati dhe trekëndëshi gjeometrik, të cilat karakterizojnë edhe veprën e Kandinskyt gjatë kohë së punës në Bauhaus.

Kandinsky, një “artist dekadent”

Mies van der Rohe, drejtori i fundit i Bauhaus, në vitin 1933 mori një njoftim prej nazistëve: “Kandinsky duhet të pushohet nga puna, sepse ai është i rrezikshëm për ne për shkak të qendrimeve të tij.” Si rrjedhojë Kandinsky emigroi në Paris, ku shoku i tij Marcel Duchamp u kujdes t’i gjej një shtëpi në lagjen periferike Neuilly-sur-Seine. Atje ai jetoi deri në vdekje më 13 dhjetor 1944.

Gjatë kohës së nazizmit 57 vepra të tij u konfiskuan me vulën si “dekadente”, më 1937 të apasionuar të artit nga e gjithë bota vërshuan në Zvicer për të kundruar në një ekspozitë pikturat e themeluesit të madh të pikturës abstrakte. Ekspresionisti ndërroi jetë në moshën 78 vjeçare vetëm pak muaj pas çlirimit të Parisit. Pikturën  abstrakte ai e ka cilësuar gjithmonë si artin më të vështirë: “Ajo presupozon, që të dish të vizatosh, që të jesh jashtëzakonisht i ndjeshëm për kompozimin dhe ngjyrën dhe që të jesh një poet i vërtetë – kjo është vendimtarja.”

Please follow and like us: