Albspirit

Media/News/Publishing

Konventa e LSI/ Pse Meta po luan si macja me miun me Ramën?

Në një lojë të gjatë si të maces me miun kreu i LSI, Ilir Meta edhe në konventën e partisë së tij, i ka dhënë një shpresë partnerit – rival, Edi Rama. “Koalicioni ynë ka ende rrugë për të bërë” ka deklaruar ai këtë të shtunë, duke lëshuar një sinjal pozitiv për një aleancë zgjedhore pas zgjedhjeve të vitit 2017, por pa dhuruar “PO-në” e prerë që presin socialistët.

Kreu i LSI, foli për kontributet që kjo parti ka dhënë në këtë koalicion, si reforma në drejtësi apo armët kimike dhe theksoi se forca e tij politike i ka qëndruar gjithnjë besnike partnerëve.

Por, megjithëse përmendi “rrugën e gjatë”, Meta edhe në këtë konventë zgjodhi të zgjasë ankthin e bashkëpunimit përfundimtar më PS-në.

Pse po ndodh një gjë e tillë?

Së pari se Rama megjithëse e ka të domosdoshme këtë aleancë po sillet publikisht me shpërfillje ndaj LSI. Pak javë më parë kryeministri deklaroi në një intervistë në TV Klan, se PS është e gatshme për koalicion, “nëse LSI vendos të mos rimartohet me PD”. Ndërsa të enjten e shkuar në Top Sory, ai foli për herë të parë jo për një koalicion jo më me dy, por me tre koka.

E gjithë strategjia e Ramës në publik është të tregojë se nuk e ka të domosdoshme LSI, dhe se kjo parti nuk është guri i peshores që vendos se nga do të shkojë fitorja.

Por në krahun tjetër, po të enjten në Opinion edhe Basha ritheksoi qëndrimin e tij se nuk do të bëjë aleancë parazgjedhore me Metën.

Në pamje të parë duket sikur këto qëndrime e shtyjnë LSI-në të dalë e vetme në zgjedhje. Por krijimi i një fronti të tretë duket se e tremb Metën. Për shkak të ligjit tonë elektoral, që i penalizon partitë e vogla që nuk i bashkëngjiten një të madheje (rrezultati mund të zvogëlohej me shumë se 50% në numër deputetësh), LSI, i trembet faktit se mund të dalë e vetme. Po ashtu eksponentë të lartë të saj i kanë shtuar edhe shpresat e një bashkimi partish të vogla, si ajo e Dules, Blushit apo Agron Dukës për të krijuar një koalicion të tretë.

“Ne mund të ndryshonim sërish kamp- i tha pak ditë më parë Lapsi.al, një burim i rëndësishëm brenda LSI-së, por ne nuk jemi të bindur se opozita është e gatshme për pushtet. PD e Bashës ende nuk bind”.

Pra në këtë situatë, kur rrugët me demokratët janë të prera dhe kur ideja për të dalë në një kalocion jashtë dy të mëdhenjve e trëmb LSI-në kjo parti duket e dënuar të shkojë drejt koalicionit me Ramën.

Por sa më evidente bëhet kjo zgjedhje, sa më shumë e detyrueshme duket kjo rrugë, aq më shumë Meta rrefuzon ta ofrojë fatin e tij në një tepsi të argjendtë. Ai e di se nëse nuk hyn në fushatë me imazhin e forcës që do të jetë vendimtare në qeverisje e ardhshme kjo i kushton shumë elektoralisht. Joshja ndaj votës klienteliste, që afrohet duke synuar vende pune në administratë dhe favoret që të jep qenia si pjesë e rëndësishme e pushtetit, është një nga objektivat kryesore të LSI.

Prandaj Ilir Meta Bën të vështirin. Jo vetëm për Edi Ramën. Por mbi të gjitha për ti treguar votuesve të tij se ai do të ketë po aq peshë në qeverisjen e ardhshme. Ai do që ti luten në tjetë në koalicion dhe jo që të shkojë me këmbët e veta. Prandaj edhe gjatë koventës ai lëshoi sinjale pozitive për për rrugën e gjatë që ka ky koalicion, por pa e konfirmuar plotësisht atë. (Lapsi.al)

Please follow and like us: