Albspirit

Media/News/Publishing

Kabineti i super të pasurve i Trumpit

A thua që këtë pamje ka prishja e marrëdhënieve me elitën e deritashme? Zgjedhësit e Donald Trumpit mund t’i vënë kësaj pikëpyetje, mendon Oliver Kühn i Frankfurter Allgemeine Zeitung.

USA Donald Trump bestimmt James Mattis zum US-Verteidigungsminister (Reuters/M. Segar)

Me siguri që asnjëherë në historinë e SHBA nuk kanë qenë mbledhur kaq shumë të pasur në një kabinet. Donald Trump vetë, Presidenti i ardhshëm amerikan, me pasurinë e tij, të cilën Forbes e vlerëson në 3,7 miliardë dollarë, nuk është më i pasuri i qeverisë, e cila që prej 20 janarit 2017 do të drejtojë fatet e vendit.

Ministre e Arsimit do të bëhet Betsy DeVos, familja e së cilës ka një pasuri prej 5,1 miliardë dollarësh, ministër i Ekonomisë, Wilbur Ross, që ka një pasuri prej 2,9 miliardë dollarësh, zëvendësi i tij Todd Ricketts është gjithashtu miliarder. Edhe familja e ministres së ardhshme të Transportit, Elaine Chao zotëron miliarda dollarë. Nëse ministër i Energjisë bëhet me të vërtetë Harold Hamm, do të shtoheshin edhe 15 miliardë dollarë të tjera. Steve Mnuchin, bankier i Goldman-Sachs dhe i kurorëzuar nga Trumpi si ministër i Financave, me 40 milionë dollarët e tij duket gati i varfër.

Pasuria nuk është e dënueshme – aq më pak në sistemin politik amerikan, ku vetëm fushata elektorale për një vend senati kushton disa miliona dollarë. Por me këto emërime Trumpit i ka dalë një problem i madh: me besueshmërinë e tij. Me muaj të tërë ai u premtoi mbështetësve të tij në fushatën elektorale se – po të zgjidhet – do ta thajë moçalin në Uashington. Ky premtim populist i solli atij shumicën e votave të shtresave të bardha, me më pak para. Madje edhe për disa demokratë ai u bë tërheqës me këtë premtim: sepse me këtë ai ishte në të njëjtën linjë me Bernie Sandersin – i cili sidoqoftë e quan socialist veten.

Por pikërisht për këtë shtresë njerëzish, kandidatët e kabinetit të Trumpit besohet se do të kenë pak mirëkuptim – kur ata bëjnë pjesë të gjithë në shtresën e lartë të Bregdetit Lindor, sundimit të së cilës Trumpi premtoi se do t’i japë fund. Kështu që nuk është për t’u çuditur, se janë veçanërisht demokratët që nuk e lënë të qetë Trumpin, i kujtojnë atij premtimet në zgjedhje dhe bërtasin që tani, kur ai nuk e ka marrë ende postin, “për thyerje premtimesh”. Trumpi dhe zëdhënësit e tij përpiqen që të mbrohen me argumentat se bëhet fjalë thuajse krejtësisht për persona që janë jo pjesë e politikës dhe që në këtë mënyrë kanë një vështrim më të mirë për atë që duhet ndryshuar në kryeqytet. Veç kësaj, thonë ata, për shkak të pasurisë që kanë, anëtarët e kabinetit nuk janë të bleshëm dhe kanë dëshmuar me fitimin e këtyre pasurive se janë “fitimtarë”.

Nëse ky kabinet i miliarderëve dhe milionerëve e kupton si jeton shtresa e mesme e amerikanëve dhe çfarë lehtësimesh në jetesë pret ajo shtresë, për këtë mund të dyshosh. Vërtet që u bë e ditur se do të ulet taksa për të ardhurat, prej së cilës do të përfitojë mesi i shoqërisë që punon. Por prej saj përfitojnë natyrisht në një masë të madhe edhe të pasurit. Pra nëse në katër vitet e ardhshme do të zbatohet një politikë, e cila lehtëson të pasurit, pa u përmirësuar situata e shtresës së mesme dhe të ulët, rezervuari i të zhgënjyerve dhe i të revoltuarve, me ndjenjat e të cilëve, Trumpi luajti në mënyrë kaq virtuoze në fushatën elektorale, do të bëhet edhe më i madh. Veç kësaj kjo do të ishte një fitore e kapitalizmit mbi demokracinë.

Please follow and like us: