Kadare: Në arkiva sekrete s’ka një rresht timin që denoncon ndokënd
Ky dialog i Kadaresë me shkrimtarin dhe publicistin e njohur Stéphane Courtois, autorin e librit të famshëm “Libri i zi i komunizmit”, përbën pjesën përmbyllëse të librit “E vërteta që del nga qilarët” (nëntitulli në frëngjisht i librit “Dosja K., i Shaban Sinanit), përkthyer dhe botuar nga shtëpia botuese franceze “Odile Jacob”, në vitin 2006
Kadare: “Në arkiva sekrete qindra faqe kundër meje, s’ka një rresht timin që denoncon ndokënd”
Stéphane Courtois – Ju ishit dhjetë vjeç kur Enver Hoxha vendosi një pushtet komunist në Shqipëri. Ju u larguat nga Shqipëria në vitin 1990. Keni jetuar, pra, nga mosha dhjetë vjeç deri në moshën dyzet e pesë vjeç nën këtë regjim totalitar. Si u formua ndërgjegjja juaj për tiraninë? Përmes leximeve? Përmes takimesh dhe pyetjesh (me prindërit, miqtë, gruan)? Pas ballafaqimeve të para me sistemin? Nga spektakli i ballafaqimit me sistemin të personave të tjerë? Duke e krahasuar me modele të huaja jototalitare?
ISMAIL KADARE – Ashtu si për mijëra shqiptarë të vegjël, ndërgjegjësimi i parë në raport me tiraninë, ka ndodhur tek unë në mënyrë të natyrshme, në mjedisin familjar. Familja ka qenë gjithmonë shumë e rëndësishme në Shqipëri. Qëndrimet e mëvonshme në jetë të njeriut, programimi i tij i ardhshëm vendosej shpesh brenda rrethit ose klanit familjar.
E veçantë në fëmininë time ishte prania jo e unitetit, por e kundërta, e disunitetit brenda rrethit familjar. Siç e kam përshkruar në dy libra të mi, “Kronikë në gur” dhe “Çështje të marrëzisë”, fëminia ime ka kaluar në dy shtëpi të mëdha: ajo e prindërve të mi, dhe tjetra, e gjyshit nga nëna.
Në këto dy shtëpi prirjet politike ishin të kundërta dhe qysh në fëmini u bë e natyrshme për mua të jem i pranishëm në këtë përballje. Ungjërit e mi, ndonëse nga një familje e pasur pronarësh tokash ishin komunistë. Im atë, ndonëse nëpunës modest, kishte pamjen e rëndë të konservatorit kokëfortë. Në sytë e tij, ungjërit e mi ishin “komunistë budallenj”, kurse për këta të fundit, im atë ishte një “puritan reaksionar”.
Meqenëse kisha një nderim të heshtur për tim atë, pikërisht ngaqë ishte hijerëndë, fjalëpakë, kokëfortë dhe i vetmuar, më dukej se isha në anën e tij. Ndërkaq ungjërit e mi, studentë në lice, kishin kapela të bukura, i thoshin të fshehtat e tyre në latinisht dhe kryesorja kishin libra. Te shtëpia e tyre, gjeta dhe lexova së pari “Makbethin” e më pas “Hamletin”.
Kjo gjendje e dyzuar, sidomos tensioni midis tim eti dhe ungjërve e bëri të zakonshme për mua të dëgjoj, në të njëjtën kohë, atë që quhej propagandë kundër shtetit, si dhe tjetrën, të kundërtën e saj. Kjo më ka ndihmuar ndoshta për të qenë i pavarur në mendime, aq sa mund të jetë një fëmijë. Në rrafshin letrar më ka dhënë, me sa duket, shijen e parë të “epicitetit”, vështrimit nga jashtë, asnjanës, të njerëzve dhe ngjarjeve.
S.C. – Kjo pavarësi do t’ju sjellë më vonë probleme serioze. Kështu, në vitin 1974, ju keni shkruar një poemë, “Pashallarët e kuq”, e cila, me vendosmëri, tregonte drejtpërdrejt me gisht “burokratët”, “ogurzinj, duart të gjakosura deri në bërryla, kështu i shoh”. Në tetor të vitit 1975, ndërkohë që po bëhej gati të publikohej, poema u tërhoq nga shtypshkronja në çastin e fundit, të gjitha dorëshkrimet tuaja konfiskohen dhe ju shtrëngoheni të bëni një autokritikë të tmerrshme, përmbajtjen e së cilës mundëm ta lexonim në dokumentet e “Dosjes Kadare”. Cilat ishin ndjenjat tuaja kur kuptuat se kjo poemë humbi në mënyrë të pakthyeshme dhe se nuk mund ta rindërtonit vetëm falë kujtesës? A ka njëfarë mospërfilljeje ose, përkundrazi, një plagë të rëndë, njësoj sikur të ishit gjymtuar nga një pjesë e vetes suaj? A e konsideroni këtë si një akt torture psikologjike?
Kam përshtypjen se ju e bëni më shumë tragjike, një ngjarje, që për ne, shkrimtarët që kemi jetuar në atë botë, ka qenë disi e zakonshme.
Ne ishim mësuar me ndalime veprash, me zhdukje të tyre, me ndalim të të shkruarit, ndalim të botimit etj., pa përmendur dënimet më të rënda.
Kur poema ime për “Pashallarët e kuq” u fundos për të mos dalë më në sipërfaqe, unë kisha ndërkaq dy vepra të varrosura. Novela “Ditë kafenesh” dhe romani “Përbindëshi”. Një tjetër vepër, romani im i parë, “Qyteti pa reklama” i shkruar në Moskë më 1959, kur isha student, kishte mbetur gjithashtu pa u botuar për arsye politike. “Pashallarët e kuq” ishte humbja ime e katërt.
Kam zbuluar se terrori stalinist i bën njerëzit fatalistë dhe bestytë. Shumë shkrimtarë e kishin përjetuar këtë: Pasternaku, Grosmani, Solzhenicini. Ne ishim mësuar aq shumë me humbje veprash, saqë kur kalonte një kohë e gjatë pa to, nisnim të shqetësoheshim.
S.C. – Pse “të shqetësuar”?
Kjo mund të duket qesharake, por ju duhet ta dini se perandoria komuniste na bënte bestytë. Po përjetonim atëherë një lloj rishfaqjeje të fatumit antik.
Në disa vende komuniste, kanosja e fatumit u rikrijua me qëllim. Ishte një prej më të rëndë-sishmëve mes mekanizmave të terrorit. Ndjenja fataliste përforcohej nga ajo që quhej “goditja irracionale e Shtetit”. Kjo ndodh kur pushteti godet befas, qorrazi dhe pa logjikë. Këto goditje, që dukeshin enigmatike, ishin në fakt të llogaritura me cinizmin më të madh. Kjo strategji vepronte kështu në dimensione të shumta.
S.C. – Si mundët të ruanit qetësinë përballë deklaratave të nëntorit të vitit 2001 të Znj. Hoxha, që ju akuzonte për mungesë sinqeriteti? A nuk menduat, më duhet ta pranoj, sipas një modeli shumë “perëndimor”, ta padisnit për shpifje? A mendoni se ajo nuk e meritonte një vëmendje të tillë?
Zonja Hoxha e ka bërë këtë pohim, për të shpjeguar sipas saj, “gabimet” e mia të përsëritura. Në mendjen e saj komuniste më 2001 problemi shtrohej njëlloj si në kohën kur ajo sundonte bashkë me burrin e saj. Pra, përderisa unë kisha pranuar më 1975 se “Pashallarët e kuq” ishte një poemë kundër regjimit, si ishte e mundur që, shtatë vite më pas, më 1982, unë përsëritja të njëjtin faj me romanin “Pallati i ëndrrave”, i cili gjithashtu u quajt kundër regjimit. Sipas saj, përsëritja e fajit, tregonte mungesë sinqeriteti.
Natyrisht as që më shkoi ndër mend ajo puna e gjyqit, që thoni ju. Iu përgjigja fare thjesht dhe qartë me një intervistë ku shkruaja se unë jam qenie njerëzore dhe detyrimin e sinqeritetit e kam ndaj qenieve homologe njerëzore dhe jo ndaj bishave të egra, ta zëmë krokodilëve, ose gjarpërinjve. Ju, zonja Hoxha, ishit më keq se ata, sepse ju ishit vrasës me thika në duar.
S.C. – Kjo anekdotë e lë pa mend një demokrat perëndimor. E veja e diktatorit mund të akuzojë publikisht një shkrimtar për mosbesnikëri ndaj regjimit. A mendoni se procese gjyqësore për krime kundër drejtuesve kryesorë të këtij regjimi mund të kishin lehtësuar te shqiptarët një dalje prej universit mendor komunist? Mënyra se si Shqipëria largohet prej komunizmit, a nuk favorizon amnezinë ndaj krimeve dhe amnistinë e përgjegjësve? A mund të rindërtohet një shoqëri që ka pësuar traumatizma të tilla, nëse puna e historisë dhe e kujtesës pengohet kështu?
Ashtu siç ju thashë pak më parë, një proces dhe një dënim i krimeve komuniste në Shqipëri do të kishin qenë më se të domosdoshme. Jam një nga ata që kam kërkuar me këmbëngulje dy gjëra: e para, hapjen e arkivave sekrete, dosjeve të spiunëve etj., dhe, e dyta, dënimin e krimit. Por zëri im, ashtu dhe i shumë të tjerëve që kanë këtë mendim, për fat të keq nuk është dëgjuar.
Amnezia e krimit dhe amnistia e kriminelëve janë të rrezikshme në Shqipëri, si kudo. Është e habitshme të konstatosh se pikërisht në Shqipëri, një vend që ka namin e gjakmarrjes së famshme, nuk ndodhi kurrfarë reverishi serioz kundër dhunës komuniste. Me sa duket, rigoroziteti me të cilin njeriu shqiptar ka kërkuar shpagim kundër të keqes, në planin privat, njerëzor, nuk ka kaluar në atë shoqëror.
S.C. – Do t’i rikthehemi kësaj pike. Një prej vështirësive kryesore që ndeshin perëndimorët, edhe ato në mirëbesim, përballë një regjimi totalitar, nuk është dhe aq të kuptuarit e terrorit spektakolar – pushkatime, proceset e mëdha të Moskës, gulagun etj., – por sidomos të kuptuarit e terrorit të përditshëm, në veçanti e spiunimit të përgjithshëm. Ndërkohë që te ne, diskutim do të thotë liri, dinjitet, krijimtari, Maks Velo, me të drejtë, vë në dukje se në një regjim totalitar “diskutimi është forma masive, demokratike e spiunimit ”, se e rëndësishmja nuk është dhe aq objekti i spiunimit sa vetë akti i spiunimit (që shkatërron automatikisht çdo lidhje shoqërore), dhe se në këtë tip “shoqërie”, “gjithçka i duhet thënë” Partisë. A mund t’i riktheheni kësaj pike, të shpjegoni dinjitetin e atyre që nuk denoncuan?
Mendoj se terrori i përditshëm, sistematik, monoton, ka qenë më i keq se dhuna spektakolare. Kjo ka qenë gjëja e re që solli komunizmi. I krahasuar p.sh. me terrorin fashist, terrori komunist ka qenë shumë më i pabujshëm, i heshtur dhe i maskuar. Strategjia e komunizmit në gjithçka ishte shumë më afatgjatë. Nga kjo pikëpamje komunizmi ishte më rrënjësori se të gjitha rendet shtypëse që ka njohur bota.
Të marrim, për shembull, politikën lidhur me letërsinë. Veprimet brutale të nazistëve: turra e druve për të djegur librat, dëbimi i shkrimtarëve hebrenj ose censura e veprës së tyre, e përcjellë me bujë në shtyp, ishte vështirë të përfytyroheshin në botën komuniste. Tek ne stili ishte fare i ndryshëm. Të gjitha këto ndodhnin, por të maskuara me kujdes, të shoqëruara me muzikë feste dhe entuziazëm popullor. Kryesorja ishte se komunizmi, për t’u siguruar nga dëmtimi që mund t’i vinte prej letërsisë, shpiku gjënë më djallëzore që mund të mendohej: fabrikimin e racës së re të shkrimtarëve, të asaj që me duart e saj do të prishte letërsinë. Kjo ishte më e tmerrshme se turrat e druve. Në fakt, komunistët kryen me sukses një zhvendosje të vërtetë të krimit. Ata ia dolën ta transferonin brenda vetë familjes, atje ku është më i vështirë për t’u zbuluar. Kjo bënte pjesë natyrisht në projektin monstruoz “të njeriut të ri”, që me duart e veta, madje duke kënduar e vallëzuar do të mbyste lirinë.
Spiunimi i përgjithshëm, për të cilin flet Maks Velo, ishte pjesë e kësaj tabloje. Me mijëra ishin “lexuesit e rinj”, ata që duke qenë të bindur se e adhuronin letërsinë, po aq me zjarrmi e spiunonin atë. Fjalët e Krishtit “fali o Zot se s’dinë ç’bëjnë!” më shumë se çdo epoke u përshtaten turmave në komunizëm.
S.C. – E gjithë intriga rreth “Pashallarëve të kuq” tregon se sa ky sistem totalitar përgjithëson dhe acaron prirjet më të errëta të njeriut: ambicie gllabëruese, xhelozi, pabesi, gëzim i lig, mizori, vullnet pushteti, dëshirë dominimi total, ndjenjë mosdënimi në krim.
Pikërisht. Rendi komunist u përpoq të ndërtonte një botë koherente, pa të çara dhe pa mungesa në ngrehën e saj. Të gjitha dobësitë dhe veset njerëzore u thirrën në ndihmë, në mënyrë që sistemi, domethënë e keqja të ishte totale.
Ky është dhe thelbi i totalitarizmit.
Në gjithë kronikën e trishtueshme të jetës letrare në këtë perandori, dobësitë njerëzore: me në krye smirën, kanë luajtur rol të dorës së parë. Komplekset e tjera njerëzore, duhmat e fshehura thellë në ndërgjegje, mllefet, dështimet, cenet e gjer te shëmtimi trupor, të gjitha këto janë shfrytëzuar si burim energjetik për të prodhuar urrejtjen, ajo që vë në lëvizje makinën e madhe të terrorit.
S.C. – Nuk mund të jetohet përherë pa vuajtur pasoja nën një klimë të tillë terrori. Edhe pse ju keni rezistuar fort, a mendoni se keni pësuar personalisht, plagë intelektuale dhe afektive?
Në kohën që jetoja nën këtë sistem nuk e kam ditur as vetë nëse jam dëmtuar prej tij ose jo. Kam menduar se ndonëse trupi im kishte një shëndet plotësisht normal, më vonë, ndoshta, do t’i ndieja pasojat. Të njëjtën gjë mendoja për shëndetin shpirtëror, atij që gjithmonë është më i fshehtë. Tani, 15 vite pas mund të them se nuk jam dëmtuar. Me sa duket, stinë pas stine e vit pas viti, vaksinimi kundër të keqes ka qenë tepër i fortë.
Mendoj se në kushte të tilla ka dy mundësi: ose rrëzohesh përgjithmonë, ose shpëton përgjithmonë. Për ne shkrimtarët ka një tregues të qartë: letërsia që prodhojmë. Ajo e dëshmon edhe mposhtjen edhe ngadhënjimin. Vepra që unë kam krijuar në liri, pas rrëzimit të komunizmit, nuk ka ndonjë gjë superiore nga ajo që kam shkruar në robëri. Kjo do të thotë se liria ime e brendshme ka qenë e pacenuar.
Lidhur me lirinë, më lejoni të përsëris mendimin se ngaqë e kam njohur letërsinë përpara lirisë, ka qenë letërsia ajo që më ka çuar drejt lirisë dhe jo e kundërta. Kjo kronologji e gjërave ka bërë që letërsia, të mos e humbë asnjëherë përparësinë në jetën time.
Do ta kuptoni ndoshta më mirë këtë po t’ju them se, kur në moshën katërmbëdhjetëvjeçare, pas Shekspirit dhe poemave romantike gjermane, lexova aq shumë të lavdëruarën “Nënën” e Gorkit, jam lemeritur prej shterpësisë dhe mërzisë së saj, përpara se të lemeritesha prej shkretëtirës së socializmit. Ende sot ka mbetur për mua një enigmë se si ka qenë e mundur që ky libër të ketë ndezur entuziazmin e shumë intelektualëve në Romë, Paris a Madrid, në kohën që dy djem të vegjël, unë dhe një shoku im i klasës, në një skutë të humbur të botës komuniste, e kishin kapur mërzinë mortore të tij?
S.C. – A nuk ka në këtë tip sistemi, ashtu siç e kemi parë me aferën e “Pallatit të Ëndrrave” ose “Koncertin”, një lloj spiraleje të spekulimit në denoncimin dhe në riafirmimin e nënshtrimit të tij, pushtetit që krijon në mënyrë pothuaj mekanike një klimë histerie dhe kushtet e vrasjes – reale ose simbolike?
Në këtë botë shumë gjëra duken të turbullta, ngaqë janë të ngjitura bashkë dy realitete: ai i njëmendti dhe tjetri, virtuali. Është njëfarë antipeizazhi, qoftë gjeografik, qoftë shpirtëror. Mandelshtami kështu e përfytyronte pak a shumë ferrin dantesk: të papërcaktuar, si kufijtë e një epidemie.
Ishin gjëra që dalloheshin qartë. Pas tyre ishin ato që nënkuptoheshin. Ishte një lojë e madhe teatrale, në të cilën përfshiheshin ata që e kuptonin se po loznin teatër e ata që loznin pa e kuptuar. Nuk ishte e qartë nëse ishte më mirë: ta kuptoje që lozje apo jo.
Pas Luftës së Dytë Botërore, është folur shumë për “teatrin total”. Gjatë epokës së famshme të teatrit elizabetian, konceptimi i teatrit si “pasqyrë e botës” ishte shumë në modë. Një lloj Ars Rotunda që imitonte globin tokësor. Kjo paraqitje gjithëpërfshirëse duket se është e krijuar posaçërisht për botën komuniste.
S.C. – A ju kujtohen përshtypjet tuaja kur morët pjesë për herë të parë në një seancë autokritike? A ju dukej kjo në rregullin e gjërave të kohës? Ky parim i autokritikës publike, a ju është dukur ndonjëherë i shëndoshë, njerëzor, normal?
Ka qenë viti 1968, një vit i errët si shumë të tjerë. Shkrimtari Dhimitër Xhuvani, miku im, me të cilin kishim qenë bashkë në institutin “Gorki” në Moskë, po dënohej për romanin e tij “Tuneli”. Mbledhja bëhej në Klubin e Lidhjes së Shkrimtarëve. Atmosfera ishte e zymtë. E zymtë dhe e trishtuar ishte autokritika e tij.
Dh. Xhuvani besonte Zotin, ishte natyrë e ndjeshme, dhe pata përshtypjen se e ndiente veten fajtor, pikërisht për shkak të natyrës së dhembshur të tij. E akuzuan se ishte treguar cinik me personazhet e tij minatorë, në përshkrimin e të cilëve ishte ndikuar, me sa dukej, nga Emil Zola.
Në mbarim të mbledhjes u mor vendim të çohej për të punuar në ndonjë tunel, për të njohur jetën dhe për të mos guxuar më “të tallej me heronjtë minatorë”.
Asgjë normale a njerëzore nuk kishte në atë mbledhje, përveç atij vetë, të dënuarit.
Ai kishte shumë miq. Më të afërt ishin poeti Dhori Qiriazi dhe unë. Në vitin 1986, që të dy ishim në pozitë të pasigurt. Dhori Qiriazi, prej problemit të përhershëm të babait të tij, i cili kishte emigruar në Australi, dhe unë prej faktit se, pak kohë më parë, kisha përjetuar, po në këtë sallë, dënimin dhe ndalimin e romanit “Përbindëshi”. Mirëpo, në çdo dënim të ri, përmendeshin ata të vjetrit për t’i rifilluar. Kjo quhej “të mbaje gjallë frymën revolucionare”.
S.C. – A ishte e mundur të mbroje një shkrimtar – ose një mik – në një moment të tillë?
Ishte shumë e vështirë, por nuk përjashtohej. Gjithçka varej nga rrethanat.
Nëse dënimi ishte kërkuar prej “së larti” dhe nëse mbledhja ishte publike, mbrojtja ishte e pamundur, madje fatale për viktimën. Mbrojtja publike konsiderohej si një sfidë publike ndaj Partisë. Viktima dhe mbrojtësit e tij menjëherë do të deklaroheshin “grup armiqësor”. Fjala “grup” ishte sinonim pa dyshim me burgun dhe, ndoshta, me ekzekutimin.
Në shumë raste, viktimat, para mbledhjeve të tilla, u përgjëroheshin miqve të tyre: “Mos më mbroni, përndryshe do të vdisni, dhe unë bashkë me ju”.
Në mbledhjet e mbyllura ose “sekrete”, gjërat shkonin ndryshe. Në një nga këto mbledhje të kryesisë së Bashkimit të Shkrimtarëve pata rastin kështu të mbroja Lasgush Poradecin, poetin më të madh të vendit ende gjallë, i dënuar me heshtje, dhe Maks Velon, arkitekt, poet dhe miku im që ishte pranë arrestimit.
Maksi dhe unë ndanim të njëjtat bindje. Ai mund të më kishte tërhequr pas vetes kur u ndalua, nëse do të ishte thyer gjatë marrjes në pyetje pak më vonë. Po me gjithë kalvarin e vuajtur, ai nuk më tradhtoi.
Nëse ka ndonjë gjë në jetën time që më bën të ndihem shumë krenar, është fakti se, ndërkohë që arkivat sekretë kanë brenda qindra faqe plot me denoncime kundër meje, nuk është gjetur kurrë dhe nuk do të gjendet kurrë, qoftë edhe një rresht i imi që denoncon ndokënd.
Më shumë se edhe vetë në veprën time, në këtë qëndron përparësia ime. Përparësia ime absolute.
Për fat të keq, në vendet dhe epokat moralisht të korruptuara, është pikërisht kjo epërsi morale që lind pezmatimin. Arsyet janë të lehta për t’u kuptuar.
S.C. – A keni ndier një dallim të madh ndërmjet autokritikës me dyer të mbyllura dhe autokritikës publike përpara katërqind personave?
Janë të ndryshme aq sa janë të ngjashme. Në qoftë se do të kërkoja një krahasim për autokritikat, do të thosha se ato u ngjajnë gjarpërinjve helmues. Aq shumë të larmishëm, por të gjithë helmues.
Autokritika ishte një nga makinat më monstruoze të stalinizmit. Ajo përgatiste dënimin tënd. Të bënin thirrje “të ndihmoje partinë” duke treguar të vërtetën. Po të pohoje fajin ti kishe nënshkruar ndëshkimin tënd. Po të mos pranoje, quheshe armik i betuar ngaqë nuk dëshiroje ta ndihmoje partinë. Shumë njerëz ngatërroheshin në ingranazhet e makinës, dhe ashtu, pa e kuptuar as vetë nëse kishin bërë zgjedhjen e duhur, rrëzoheshin në humnerë.
Autokritika ime e parë, ajo e vitit 1975 për “Pashallarët e kuq”, e cila është botuar për herë të parë në këtë libër (dokumenti nr. x), ka qenë në rreth të mbyllur. Kur lexuesit e mi e lexuan atë të botuar në librin e Maks Velos, shumë vite më pas, mbetën me gojë hapur. Nuk besoj se ka një tjetër rast kur shkrimtari të ketë pranuar se ka shkruar një vepër kundër regjimit komunist, kundër partisë, kundër shtetit, kundër diktaturës së proletariatit, kundër gjithçkaje që quhej e shenjtë në botën komuniste.
Unë pranoja pa asnjë ekuivok se e kisha goditur partinë. E vetmja mbrojtje që i rezervova vetes ishte se këtë gjë nuk e kisha bërë me qëllim për të shkaktuar përmbysjen e shtetit dhe se nuk e kisha tradhtuar partinë (lexo: nuk e kisha tradhtuar atdheun – fjalë që zëvendësohej zakonisht nga fjala “parti”). Të dyja rezervat ishin të vërteta.
Pse e bëre këtë? Shumë nga miqtë e mi duke përfshirë dhe M. Velon poet dhe arkitekt, që kishte kaluar vetë nëpër hetuesi, përpara se të burgosej, nuk e kuptonin dot këtë pranim.
Arsyetimi im ka qenë i thjeshtë. Së pari, shteti komunist, sipas mendësisë së tij, kishte të drejtë: ajo poemë ishte kundër tij, pra, sipas ligjeve të tij ishte e dënueshme.
Së dyti, ishte e vërtetë se unë me dorën time kisha nënshkruar dosjen gjyqësore kundër meje, por ata, mund të sajonin një dosje kur të donin, madje një dosje edhe më të zezë.
Së treti, dhe më kryesorja, ishte një kënaqësi e fshehtë të deklaroje, qoftë edhe në një mbledhje të mbyllur, fraza të tilla si “unë kam goditur partinë, kam goditur diktaturën e proletariatit” etj. Në krejt perandorinë e gjerë komuniste, për çdo shkrimtar që kishte rezerva kundër regjimit, deklarata të tilla ishin një ëndërr e papërfytyrueshme.
Për sa i përket autokritikës në mbledhje publike, pas deklarimeve të tilla autori duhej të arrestohej mu në sallë.
S.C. – Ju flisni për një “ndjenjë kënaqësie të fshehtë”, a mund ta sqaroni këtë?
Pyetja juaj është e kuptueshme. Është një ndijim që i përket veçanërisht këtij mjedisi. Do të përpiqem t’ju përgjigjem në mënyrë konkrete, jo nëpërmjet një analize psiko-filozofike, por duke ju treguar se si e kam përjetuar vetë unë.
Ju keni parë në dokumentet atë çfarë kam thënë lidhur me marrëdhëniet e mia, kur isha student në Moskë, me poetin rus sovjetik, David Samoilov. Samoilovi ishte përkthyesi dhe botuesi i librit tim të parë të publikuar në Rusi dhe në gjithë botën, “Vepër lirike”.
Në atë periudhë, para dyzet vjetësh, askush nuk e dinte se ai ishte tashmë një poet i madh, por ai ishte i njohur për ndershmërinë e tij dhe si mik i një numri të madh disidentësh. Ai përgatiti librin tim me përkujdes të madh. Por një ditë, ishte në vitin 1959, më thirri, për të më dhënë një “lajm të keq”. Shtëpia botuese e vinte para një alternative: të hiqte dorë nga publikimi i librit tim ose ta publikonte me kusht që parathënia të përmendte se jepja shenja “dekadence perëndimore”. Një praktikë e tillë sapo ishte vendosur në Bashkimin Sovjetik prej Hrushovit dhe konsiderohej si liberale. Sipas këtij vendimi, lexuesi sovjetik mund të njihej me “veprat moderne dekadente”, me kusht që shtëpia botuese të distancohej me veprën.
David Samoilovi këmbëngulte që të hiqja dorë prej publikimit të këtij libri, duke menduar se një parathënie e tillë do të ishte një njollë e pashlyeshme për gjithë jetën time. Ndërkohë që ai fliste, ndieja një emocion të fortë. Por jo për arsyet që ai merrte me mend. Përkundrazi. Lajmi që më dha, jo vetëm që nuk më dukej si i keq, por, përkundrazi, më dukej lajmi më i bukur në botë. Sipas kësaj shtëpie botuese sovjetike, i përkisja, pra, literaturës së botës perëndimore, asaj literature që kishte të nevojshme një parathënie distancimi të botuesit. Po kjo literaturë, që ndërkohë përbuzej gjatë gjithë ditës, adhurohej fshehtas gjatë natës, sidomos mes studentëve.
Sapo kisha mbaruar romanin tim të parë, “Qyteti pa reklama”, një vepër që e kisha ndërtuar si vetë kundërmodeli i “realizimit socialist”. Isha, pra, i ndërgjegjshëm për shumë gjëra. Por, megjithatë, nuk e prisja të shquhesha aq shpejt.
I thashë David Samoilovit që pranoja çfarëdolloj parathënieje, me kusht që libri të publikohej. Ai këmbënguli që të ktheja mendje, duke më përsëritur se isha tepër i ri për t’i kuptuar mirë këto gjëra. Ai pothuajse më quajti hajvan. Por unë nuk hoqa dorë.
Përballja jonë zgjati për një kohë të gjatë. Kisha ardhur në apartamentin e tij me mikeshën time moskovite. Sytë e saj shkëlqenin me zjarr. Më tha duke dalë se ishte shumë e entuziasmuar. Ishte hera e parë që ajo kishte për mik një “dekadent”. Ishte një prej paradokseve të kësaj jete, ku fyerjet tingëllonin si elozhe dhe elozhet si fyerje.
Pas kthimit në Shqipëri, konstatova se atje vepronte i njëjti mekanizëm. Çdo ndalim i një prej veprave provokonte një reaksion të dyfishtë: nga njëra anë sillte rrezikun dhe nga ana tjetër ishte njësoj me një lloj aureole, sidomos kur ndalimi vinte pas publikimit. Kështu, një pjesë e famës sime në Shqipëri vjen pikërisht prej librave të mi të ndaluar, sidomos “Përbindëshi” dhe “Pallati i Ëndrrave”.
Në këtë grindje me David Samoilovin, që zgjati tri ditë, fitova unë në fund. Kërcënimi im, për të shkuar vetë për të folur me shtëpinë botuese, për të pranuar çfarëdolloj parathënieje, e cila, sigurisht, do të kishte qenë më e keqe se e tija, e përkuli.
Libri, pra, së fundi, u publikua me parathënien e tij. Ajo ishte shkruar me ndershmërinë më të madhe të mundshme. Megjithatë, fjali si “V jevo stihah zamjetny sljedi zapadnovo modernizma” (“Në këto poema, gjenden gjurmë modernizmi perëndimor”) ishin të paevitueshme. Jam i sigurt se e gjitha kjo, duke qenë kaq në kundërshtim me bindjet e tij dhe edhe pse ai nuk ishte aspak fajtor për këtë, kjo parathënie mbeti për një kohë të gjatë një barrë në ndërgjegjen e tij.
Kur u publikua libri në vitin 1961, kisha lënë Moskën përgjithmonë. Prishja e marrëdhënieve shqiptaro-sovjetike e kishte bërë kthimin të pamundur. Nuk munda dot, pra, t’i shprehja asnjëherë mirënjohjen time.
Në të vërtetë, e di tani se paralajmërimet e tij ishin të drejta. Një parathënie e tillë mund të kishte qenë shumë e rrezikshme për mua. Por është pikërisht kjo thyerje politike, që më shpëtoi. Në atë kohë, të gjithë drejtuesit shqiptarë shiheshin prej Moskës si “shërbëtorë të Perëndimit”. Në atë zhurmë sfondi, vetë “dekadenca” ime kaloi, pa u vënë re në Tiranë.
Pas rënies së komunizimit, duke menduar se ai ishte akoma gjallë, përmenda këtë episod në një intervistë, që e mbyllja me fjalët: “David, ti ishe i ndershëm”. Por ai nuk ishte më dhe përfitoj nga kjo bisedë, për të përsëritur këto fjalë, me mirënjohjen time të thellë, për përkthyesin dhe botuesin e parë të veprës sime, David Samoilovin.
S.C. – Ish-përgjegjës komunistë i paraqesin shpesh këto seanca autokritike si një formalitet, gjë që do t’i hiqte dimensionin e tyre kriminal. A nuk është një kontradiktë? A nuk duhet kuptuar pikërisht e kundërta: fuqia e këtyre seancave qëndronte pikërisht në ritualin, një ritual i vërtetë flijimi njerëzor që rithemelonte çdo herë solidaritetin e komunitetit komunist? Shpesh rituali i seancave autokritike krahasohet me ritualin e rrëfimit në Kishën Katolike. Megjithatë, ekzistojnë dallime themelore të shumta: rrëfimi është i lirë, autokritika është e detyrueshme dhe e kryer nën shtrëngim; rrëfimi është sekret, autokritika është publike; rrëfimi është i rrafshit shpirtëror, autokritika është e rrafshit politik dhe u nënshtrohet të gjitha forcave detyruese të Shtetit; rrëfimi sanksionohet me falje dhe me disa pikëllime intime, autokritika sanksionohet me një “falje” që i korrespondon një ekzekutimi me vdekje publik simbolik ose me një mungesë faljeje dhe një ekzekutim me vdekje të vërtetë. Autokritika është një akt flijues, ndërkohë që rrëfimi është një ritual riintegrimi i individit në komunitetin njerëzor.
Siç e thoni edhe ju vetë, përveç një ngjashmërie të jashtme të autokritikës me konfesionin, në thelb janë fare të ndryshme.
Autokritika në regjimet komuniste nuk ka të bëjë me ndërgjegjen, në kuptimin e mirëfilltë njerëzor. As me pastrimin, lehtësimin apo shëlbimin e saj. Autokritika është një vegël për gjymtimin e njeriut, për të arritur te mposhtja e tij. Pas një autokritike njeriu, zakonisht nuk duhet të jetë më ai që ka qenë. Ai është i plagosur. Si çdo recidivist ai mund të bjerë shumë lehtë. Armata e pafundme e njerëzve të shenjuar prej saj ishte një armatë e sëmurë.
Ana tjetër, edhe më e rëndësishme ka qenë, thyerja e të tjerëve. Rrezatimi i saj ka qenë monstruoz, jo vetëm tek të pranishmit, por te familjet ku ata ktheheshin në mbrëmje. Shkurt autokritika ishte pjesë themelore e makinës së terrorit.
Ata që nuk thyheshin nga autokritika, mund të quheshin ndërkaq të pathyeshëm.
S.C. – Ju thoni: “Isha i ndërgjegjshëm se disa paguanin për të tjerët, për të ushqyer terrorin. ” A mund ta shtjelloni këtë pikë paksa të errët për publikun francez?
Mendoj se s’ka ndonjë gjë për të mos u kuptuar. Në të gjitha vendet komuniste terrori bëhej me një kalkulim cinik. Llogariteshin valët e goditjeve, të spastrimeve, të proceseve gjyqësore, të pushkatimeve. Llogaritej numri minimal ose maksimal i viktimave të domosdoshme për të mbajtur gjallë terrorin. Llogaritej leverdia e operacionit, statusi i viktimave (fama, lidhjet, klanet). Në bazë të kësaj vendosej, për shembull, përse do të pushkatohej Babeli e të kursehej Ahmatova, ose përse Mandelshtami e jo Pasternaku.
Në Shqipëri, pas pushkatimit më 1945 të shkrimtarëve katolikë si Anton Harapi, më pas, me përjashtim të dy shkrimtarëve të shquar: Dhimitër Pasko e Petro Marko, të dy të futur në burg më 1947 e të nxjerrë pas një viti, nuk u burgos tjetër shkrimtar i njohur. Madje dhe për ata të dy faji u hodh mbi jugosllavët. Më i madhi poet i gjallë, Lasgush Poradeci, jetoi i mënjanuar 40 vjet, gjersa vdiq më 1987. Personaliteti tjetër i madh i letrave, peshkopi Fan Noli, nuk u nëpërkëmb, ndoshta ngaqë ai ruante një lloj aureole, që regjimi nuk kishte mundur dot ta rrëzonte.