Albspirit

Media/News/Publishing

Katie Stallard: Kur diktatorët shkruajnë të kaluarën

“New Statesman”

Një tym i zi i dendur, u ngrit në qiellin e verës. Zhurma e shurdhër e shpërthimeve të largëta jehonte rreth meje. Në mesin e rrugës ndodhej një mjet i blinduar i përfshirë nga flakët. “Ne kemi luftë në qytetin tonë”- më tha një grua e moshuar që ishte ndalur për të parë automjetin që digjej. “Këtu është si në Stalingrad!”- shtoi ajo.

Ndodheshim në qytetin jugor të Ukrainës, Mariupol, dhe ishte maji i vitit 2014. Presidenti i korruptuar dhe autokrat i Ukrainës, Viktor Janukovich, ishte arratisur në Rusi që 3 muaj më parë pas një dimri të gjatë protestash në rrugët e Kievit, për të cilat Kremlini pretendoi në mënyrë të rreme se ishin orkestruar nga Perëndimi.

Në kundërpërgjigje, Vladimir Putin, aneksoi Krimenë dhe filloi të armatoste luftëtarët separatistë në Ukrainën Lindore. Këta të fundit morën kontrollin e zyrave qeveritare në rajonet Donetsk dhe Luhansk dhe i shpallën ato kryeqytete të dy “republikave popullore” të reja, duke e refuzuar autoritetin e Kievit.

Kontrolli i Mariupolit ndryshonte gati ccdo ditë, sa tek separatistët e mbështetur nga Rusia, tek ukrainasit besnikë ndaj vendit të tyre. Ato ishin ditët e para të një lufte që do t’i merrte jetën më shumë se 13.000 njerëzve gjatë 8 viteve të ardhshme.

Ajo do t’i siguronte Putinit pretekstin për të nisur pushtimin e tij në shkallë të plotë të Ukrainës më 24 shkurt 2022. Në vitin 2014, presidenti rus nisi të përhapte gënjeshtrën se civilët e pafajshëm gjendeshin nën sulmin e ushtrisë ukrainase, duke këmbëngulur se “neo-nazistët” kishin vënë nën kontroll qeverinë ukrainase nëpërmjet një grushti shteti të organizuar me ndihmën e mbështetësve të saj perëndimorë, ku më kryesori ishte natyrisht SHBA-ja.

Putin tha në marsin e vitit 2014 se “njerëz të veshur me simbolet naziste të svastikës” po patrullonin në rrugët e Ukrainës. Ndërkohë ambasadori i tij në Kombet e Bashkuara, tha në një takim të Këshillit të Sigurimit, se rajonet me shumicë rusishtfolësish në Ukrainës Lindore, kishin rënë pre e një “terrori të hapur ndaj tyre”.

Televizioni shtetëror rus, ku informohen shumica e qytetarëve rusë, transmetoi raporte të pafundme mbi “juntën fashiste” që supozohej se kishte marrë pushtetin në Kiev, dhe mizoritë e tmerrshme që thuhej se po kryente ajo kundër grave dhe fëmijëve në Ukrainën Lindore. Kështu, kishte pretendime se qeveria e re po ndërtonte një “kamp përqendrimi fashist”. Në një trillim tejet monstruoz, rrjeti televiziv më i njohur rus raportoi në korrikun e vitit 2014 se ushtarët ukrainas kishin kryqëzuar një djalë 3-vjeçar.

Edhe pse është tunduese të hedhësh poshtë si qesharake pretendimet aktuale të Putinit, se ai po zhvillon aktualisht një fushatë ushtarake për të “denazifikuar” Ukrainën, ai po bazohet në fakt tek një histori e konsumuar shumë në Rusi, të cilën propaganduesit e tij e kanë përhapur me shumë zell gjatë 8 viteve të fundit.

Po ashtu, Putin po i bën jehonë një narrative, të cilën ai dhe miqtë e tij autoritarë  Xi Jinping dhe Kim Jong Un, e kanë kultivuar për një kohë të gjatë, teksa këmbëngulin se po e mbrojnë vendin e tyre nga armiqtë e huaj. Të tre këta autokratë, e kanë shtrembëruar historinë e luftërave të dikurshme për të mbështetur veprimet e tyre aktuale.

Në rastin e Putin, ka një fokus të veçantë tek Lufta e Dytë Botërore, ose siç njihet në Rusi, Lufta e Madhe Patriotike. Pas shembjes së Bashkimit Sovjetik në vitin 1991, kaosi ekonomik mbretëroi gjatë gjithë pjesës tjetër të dekadës.

Kur Putin u bë president në detyrë në dhjetorin e vitit 1999, u zotua t’i jepte fund poshtërimit të vendit dhe të rifitonte statusin e ligjshëm të Rusisë, si një fuqi e madhe dhe e respektuar në skenën globale.  Gjatë 2 dekadave të fundit, Putin e ka forcuar edukimin patriotik në shkollat ruse, duke i indoktrinuar fëmijët me versionin e historisë së servir Kremlini.

Përvjetori i 9 Majit, nuk është kremtuar gjithmonë kështu. Stalini e anuloi festën e Ditës së Fitores në vitin 1947, për të mënjanuar komandantët më të famshëm të kohës së luftës, i shqetësuar se ata mund të bëheshin figura të njohura, dhe kësisoj një kërcënim për udhëheqjen e tij.

Vetëm në vitin 1965 Leonid Brezhnev e riktheu traditën e kësaj feste, duke ndërtuar atë që është quajtur si “kulti i Luftës së Madhe Patriotike” për të mbështetur mbështetjen e tij. Por ky triumfalizëm u zbeh shumë me rënien e perandorisë sovjetike.

Vetëm kur Putin u ngjit  në pushtet në fund të mijëvjeçarit të dytë, u ringjall kujtimi i luftës, teksa ai e bëri atë mitin themelues të regjimit të tij, që do të ishte i barabartë me një fe kombëtare. Por Putin ishte i interesuar të kujtonte vetëm aspektet e luftës që i përshtateshin nevojave të tij, si për shembull heroizmin e trupave të Ushtrisë së Kuqe, dhe jo përdhunimet masive që kryen ato, as spastrimet vrastare të Stalinit, apo paktin e tij të vitit 1939 me Hitlerin për të ndarë midis tyre Evropën Lindore.

Sipas versionit të historisë së Putinit, Rusia është vendi hero që e shpëtoi botën nga nazizmi, ashtu siç këmbëngul se po bën tani në Ukrainë. Në televizionet ruse, bota është e ndarë në të mirë dhe të këqij, në ne dhe ata, në patriotët që qëndrojnë përkah Putinit, dhe në tradhtarë që mbështesin fashistët, të cilët vrasin fëmijë në Ukrainë.

Dhe deri më tani, strategjia e tij duket se po funksionon. Pavarësisht dëmeve ekonomike që kanë shkaktuar sanksionet ndërkombëtare, viktimave e shumta në radhët e ushtrisë ruse dhe ato dëmet e shumta në armatime, mbështetja për të është rritur që nga fillimi i luftës në 83 për qind, nga 69 për qind që ishte në janar.

Ndërsa sondazhet e sakta janë sfiduese në sistemin gjithnjë e më autoritar që ka sot Rusia, edhe sondazhet e pavarura kanë treguar se shumica e rusëve e mbështesin luftën. Sa më gjatë të vazhdojë ky konflikt, dhe sa më të mëdha të jenë humbjet e rusëve, dhe aq më shumë Putin do ta intensifikojë luftën e tij të informacionit, duke këmbëngulur se rusët janë heronjtë e kësaj historie – ashtu si paraardhësit e tyre gjatë luftës kundër Hitlerit – edhe pse forcat e tij po përdhunojnë, torturojnë dhe vrasin civilë të pafajshëm.

Por Putin nuk është i vetmi autokrat bashkëkohor që e manipulon historinë, për t’i shërbyer nevojave të regjimit të tij. Edhe udhëheqësit e Kinës dhe Koresë së Veriut – Xi Jinping dhe Kim Jong Un – shfrytëzojnë kujtesën e luftërave të kaluara, për të forcuar mbështetjen për sundimin e tyre, dhe për t’i shpjeguar të sunduarve prej tyre se pse duhet të vazhdojnë të jenë në pushtet.

Versioni i tyre i historisë, justifikon gjithashtu pse ata duhet të ndërtojnë forcën e tyre ushtarake, pasi këmbëngulin se po i mbrojnë vendet e tyre nga armiqtë jashtë vendit. Thuhet se Xi dhe Putin u bënë miq në një samit të liderëve të Azi-Paqësorit në vitin 2013, kur qëndruan deri vonë duke ngritur dolli me vodka, dhe duke shkëmbyer kujtime nga përvojat e familjeve të tyre gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Me sa duket, të dy burrat janë dakord mbi rëndësinë që ka mbajtja nën kontroll e narrativës historike të konfliktit, në mënyrë që “e kaluara t’i shërbejë të tashmes” siç kërkonte dikur Mao. Ashtu si Putin, edhe Xi ka miratuar ligje të reja që e kanë bërë vepër penale “shpifjen” ndaj heronjve të luftës.

Sipas kësaj narrative, Kina vuajti një “shekull poshtërimi”, përpara se të ngjitej Partia Komuniste në pushtet, duke filluar që me Luftërat e Opiumit të shekullit XIX-të, dhe duke kulmuar me pushtimin japonez në pragun e Luftës së Dytë Botërore.

Në realitet, ishin forcat rivale nacionaliste të Kuomintang, ato që mbajtën peshën më të madhe të luftës ndaj pushtuesit. Gjithsesi Xi këmbëngul se PKK-ja, luajti një rol vendimtar në mobilizimin e masave dhe organizimin e rezistencës ndaj Japonisë.

Por kaluara e kohës së luftës, nuk luan askund një rol më të rëndësishëm në politikën bashkëkohore sesa në Korenë e Veriut, ku versioni i historisë së regjimit Kim, është një pjesë e pashmangshme e jetës së përditshme.

Ndërsa Putin dhe Xi e kanë manipuluar kujtesën e luftërave të shekullit të kaluar, për t’iu përshtatur nevojave të tyre, dinastia Kim ka shkuar shumë më tej, duke shpikur beteja dhe fitore mahnitëse që nuk kanë ndodhur kurrë.

Please follow and like us: