Albspirit

Media/News/Publishing

Më shumë vëmendje për zgjedhjet në Maqedoni

Ruben Avxhiu

Fushata zgjedhore në Maqedoni është duke marrë (si zakonisht) më pak vëmendje se sa duhet të marrë.
Ndoshta komuniteti i tretë më i madh i shqiptarëve në botë (ndoshta i katërti nëse numëron edhe atë të shqiptarëve të Amerikës), shqiptarët e Maqedonisë janë në situatën më delikate se çdo komunitet tjetër aktualisht.
Kjo për arsye se si Maqedonia ashtu edhe shqiptarët aty ndodhen në një udhëkryq të ndërlikuar. Një parti kryesore maqedonase ka qenë praktikisht parti-shtet për disa vite tashmë dhe ka dominuar jetën në vend.
Skandalet e përgjimeve të regjistruara zbuluan një kalbje totale të institucioneve nga korrupsioni dhe manipulimi. Edhe me votën është luajtur. Këto lidhje korrupsioni kanë përfshirë edhe partinë partnere të kryeministrit Nikola Gruevski, BDI-në madje edhe partinë shqiptare në opozitë PDSH-në.
Ironia është se megjithë këto zbulime turpëruese, që ia kanë dëmtuar imazhin ndërkombëtar Maqedonisë, votuesit maqedonas mund të zgjedhin përsëri në masë Gruevskin.
Ish-kryeministri i korruptuar ka bërë një revolucion në historinë e shkruar të Maqedonisë, duke pompuar fantazinë e prejardhjes jo nga popujt sllavë por nga maqedonasit e lashtë, një tallje dhe ofendim për Greqinë fqinje. Po edhe një hakmarrje për veton e saj egoiste që la Maqedoninë jashtë NATO-s.
Nacionalizmi maqedonas ka tashmë një argument historik të mbështetur në monumentet me temë epike por edhe disi qesharake të Shkupit. Mbështetësit e partisë së Gruevskit, në zonat tradicionale do të mjaftohen me lugën bosh të krenarisë të rigjetur kombëtare.
Ndërkohë dënimi në kor nga BE dhe SHBA i korrupsionit dhe skandaleve të qeverisë së tij ka krijuar hapësirë për Rusinë, e cila po investon për të destabilizuar Ballkanin. E dëshpëruar për të tërhequr vëmendjen larg Ukrainës, Rusia po ushqen paranoja dhe keqinformime në Serbi, Maqedoni etj.
Shqiptarët kanë arsye të mendojnë se dy partitë e tyre kryesore i kanë lënë në baltë. Nga ana tjetër, ata nuk janë të vendosur nëse duhet të provojnë fatin me partitë e reja. Besa akuzohet për islamizëm, një akuzë që ndonëse e ka hedhur poshtë ka më shumë mundësi që ta ndihmojë sesa ta dëmtojë. LR-PDSH është interesante po dita e votës do ta tregojë nëse është thjesht një RDK tjetër. Forcë me sukses lokal që nuk arrin ta ngrejë në nivel shtetëror.
PDSH-ja shpreson se pakënaqësia shqiptare thjesht do ta rikthejë në krye të politikës, ndërsa BDI shpreson se megjithë zhgënjimet, shqiptarët do të preferojnë, si thotë një shprehje, “djallin që njohin”. Të dyja janë sfiduar edhe në dy zgjedhjet e fundit parlamentare, mirëpo në fund, shqiptarët kanë preferuar të mbeten me këto të dyja, në vend që të provojnë fatin me aktorët e rinj politikë.
Komuniteti shqiptar në Maqedoni është tronditur edhe nga një numër ngjarjesh tronditëse, si incidenti me armë në Kumanovë ku anëtarët e një grupi të armatosur janë ende në qeli të akuzuar për terrorizëm. Rasti dyshohet si një manipulim mediatik nga ish-qeveria Gruevski. Mungesa e transparencës nga autoritetet nuk ka ndihmuar në shuarjen e dyshimeve se ka qenë një lojë e shëmtuar politike. Po ashtu çështje si “Sopoti”, rrahja e të nxënësve shqiptarë në qendër të Shkupit etj kanë lënë shije të keqe mes shqiptarëve.
Shqiptarët nuk mund të injorojnë as punën e radikalizimit fetar. Shfaqja e flamujve islamikë në protestat e para disa viteve, numri i vullnetarëve në Siri e Irak dhe solidariteti politik me figura, lëvizje e vende të largëta që konkurron me solidaritetin kombëtar e kulturor, mes botës shqiptare është një tjetër temë debati.
Shqiptarët janë nervozë për mos realizimin e disa premtimeve nga Marrëveshja e Ohrit. Të tjerë janë të pakënaqur se realizimi i premtimeve ka sjellë përfitim vetëm për anëtarë e të njohur të partisë shqiptare në pushtet. Çështja e gjuhës mbetet veçanërisht problematike.
Një shqetësim që shpesh ka bashkuar të gjitha komunitetet ka qenë pengesa greke për të hyrë në NATO e BE. Kjo ka krijuar debate për rëndësinë reale të emrit të republikës. Për shqiptarët sidomos emir ka më pak rëndësi se integrimi.
Mirëpo, për fat të keq, sidomos mes maqedonasve, por edhe nga disa shqiptarë BE-ja po shihet më mëri, e Rusia apo Turqia me simpati, e integrimi me strukturat perëndimore po bie në listë. Kjo ndarje më shumë se kufiri shtetëror mund të shqetësojë botën shqiptare.
Shumë nga këto nuk mund të marrin përgjigje në një cikël zgjedhor, por janë pjesë e kuadrit të përgjithshëm në të cilin do të mbahen në 11 dhjetor.
Në ditët që vijojnë duke filluar nga sot do të shkruaj disa komente lidhur me mënyrën se si po zhvillohen këto zgjedhje. Çdo mendim e informacion intersant që mund të ketë lexuesi për to, sidomos nga shqiptarë që jetojnë në Maqedoni, do të jetë i mirëpritur.

Please follow and like us: