Albspirit

Media/News/Publishing

Sadik Bejko: Kobra, shkretëtira, pushteti

Pushteti, shkretëtira, dashuria të jesh …
Ndokur dje, sot apo nesër
vetë Kleopatra e Egjiptit,
mjalti e kobra të jesh … fshehur
nën dy thimtha gjarpri a gjethe fiku.

Dhe qumështi thellë nën shegët e cicave
në dy thimtha kobre ngulur a nën dy sumbullza gjiri…

Mëngjese aleksandrine nën vesk të ndritur asgjësimi,
Vesk prej drite, helmi dhe zvetënimi ëmbël të ftohtë.

Kobra më je ti, zemra ime, kobra e zezë rrëzëllitëse,
E gjerdantë, vizëlluese, vegimthi e thiktë e fildishtë.
Kobra mbi piramidë në shkitën e shkretëtirës,
I fshiktë vezullim fildishi
qilim rëre pa ajër, pa qiell, qilim asgjësimi,
kobër, më je ti zemra ime…. Mjalti dhe kobra je.

Nuk më do.
S’mund t’më duash mua Qezarin a Mark Antonin.
Fëmijë e shkretëtirës, shkretëtirën do
Dhe fëmijët e tu me skeptra mbretërimi,
Qezarioni, më i bukuri, gjak romaku, bir Qezari,
Fatal me rrënjët nëpër kobra rëre firaksur.

Kobër, ti zemra ime e vezullimtë, vjen ora,
Vjen ora e do të vdesësh
pik rëra, pik toka, pik ajri në kombe helmi,
gjarpër këputur në litar të hollë rëre
mirazhi im në tru të vogël kobre
mirazh kobre në trurin tim të vogël,
muzg rënë pa gojë drite, pa firomë gjethi…

Do të vdesësh Kleopatra ime … vjen ora..
në pus, në shtëmbë të mishtë dheu a njeriu,
nuk ngjallet më fryma… medet, do t’më vdesësh,
bijë Mesdheu syftohtë, (jo Athina syullinjtë)
në pak rërë, në pak ajër, në pak gjurmë gjarpri
në pak qiell helmi, nën kokërr fiku ëmbël e kyçur…

Rrotulla e bishtit të kobrës vërtitet
Trand, shkund në të dy anët brigjet e Mesdheut
vorbulla e rërës të thith ty dhe kobrat
thellë, thellë iu thëthijnë sa të prekni shkëmbin nën shkretëtirë.

Kobra më je ti zemra ime,
femra ime,
Klleopatra ime
— në Korce 29 tetor.

Please follow and like us: