Sëmundja e rëndë shuan analistin, gazetarin dhe publicistin Andrea Stefani
Analisti i njohur shqiptar, gazetari dhe publicisti Andrea Stefani, u nda nga jeta pas një beteje me një sëmundje të rëndë.
Stefani, një figurë mjaft publike, i ftuar vazhdimisht në emisione televizive për të komentuar mbi situatat më të nxehta politike, ndërroi jetë në Romë, kryeqytetin italian, ku ishte duke u kuruar nga një sëmundje e rëndë. Për fat të keq, kimioterapitë që ai kishte nisur në një spital në Romë nuk dhanë efektet e pritshme dhe sëmundja mori analistin e njohur.
Prej disa muajsh Andrea Stefani vuante nga sëmundja e rëndë të cilën nuk mundi ta përballonte.
Andrea Stefani punonte prej rreth 20 vjetësh si gazetar dhe opinionist në organe të ndryshme të medias shqiptare. Ai njihej për qëndrimet dhe pikëpamjet jo konformiste me pushtetet e radhës në Shqipëri. Andrea Stefani shpesh ka ngritur zërin në kauza të ndryshme që shqetësojnë shoqërinë. Ka qenë kryeredaktori themelues i së përditshmes “Shekulli” dhe për shumë vjet drejtues i programit investigativ antikorrupsion “Hapur”. Për më shumë se 10 vjet është mjaft i pranishëm në debatet e përjavshme televizive. Është autor i librit publicistik “Albanistan”.