Albspirit

Media/News/Publishing

Balerini Spartak Hoxha, një talent i ri i trupës së Nju Jorkut

  • Ardita Dunellari

Më 9 janar në Nju Jork ndahen çmimet e përvitshme Clive Barnes, një nderim për artistë të rinj në artin skenik dhe në balet. Spartak Hoxha një 25-vjeçar nga Nju Jorku, i lindur në Shqipëri, është një ndër katër balerinët që konkurrojnë për këtë çmim. Ai foli me kolegen Ardita Dunellari mbi karrierën e tij artistike dhe ambicjet për të ardhmen, mes të cilave edhe shpresat që të prezantohet një ditë para artdashësve shqiptarë.

Në prag të ndërrimit të viteve, Trupa e Baletit të Nju Jorkut vë në skenë “Arrëthyesin”, baletin e shumëpritur të sezonit. Balerini Spartak Hoxha interpreton tre role në këtë balet. Por, përveç emocioneve të interpretimit, ai mbart këto ditë edhe emocionet e konkurrimit për çmimin prestigjoz Clive Barnes:

“Kur dëgjova që isha emëruar për çmimin Clive Barnes u shokova, pasi nuk e mendoja se mund të arrija në këtë nivel. Është nder të emërohesh, s’ka rëndësi nëse fitoj apo jo, por thjesht që jam në këtë grup është fantastike: fakti që jam shqiptar, fakti që jam pjesë e një prej trupave të baletit ndër më të mirat në botë është gjë e madhe”.

U desh shumë punë që Spartaku të ngjitej në skenën e trupës Balanchine, kompania më e suksesshme e baletit në Nju Jork dhe një ndër më prestigjiozet në botë.

“Është shumë e vështirë sepse ka shumë konkurrencë. Ka plot balerinë që vijnë nga e gjithë bota me shpresën për t’u futur në këtë kompani, sepse është një ndër më të mirat në botë. Baleti Balenchine zgjedh vetëm 4-5 profesionistë të rinj në vit. Fakti që jam pjesë e kësaj trupe më bën të ndjehem me shumë fat, të ndjehem i privilegjuar”.

Ky 25 vjeçar ka një karrierë profesionale shtatë vjeçare. Dhe, siç thotë një këngë e njohur amerikane, nëse ia del në Nju Jork, mund t’ia dalësh kudo tjetër.

“Në fakt kam punuar shumë. Gjërat nuk ndodhin vetvetiu. Duhet të punosh, të sakrifikosh mund, djersë e lot në studio, siç i thonë fjalës. Ashtu kam punuar dhe gjërat kanë ecur për mua. Jam shumë i kënaqur me ato që kam arritur”.

Por, u deshën shumë hapa të mundimshëm deri në ngjitjen në këtë skenë prestigjoze. Spartaku tregon se nuk e kishte kuptuar talentin që kishte deri në momentin kur baleti e gjeti atë:

“Specialistë vijnë në shkolla publike dhe i shohin fëmijët nëse kanë muzikalitet, talent, nëse kanë fizikun e duhur. Aty më zbuluan…. Atëherë e kuptova se isha i talentuar dhe se më pëlqente kjo formë arti. Në fillim nuk e dija se ç’kërkohej. Fillova të mësoj. Gradualisht fillova të bëj shoqëri, po më pëlqente. Atëherë më lindi dëshira ta zgjidhja si profesionin e jetës. Nuk mendoja se do të arrija këtu ku jam. Baletin e fillova thjesht se më pëlqente”.

Një preferencë që kërkoi një dedikim të madh si nga vetë djali, ashtu edhe familja e ardhur si imigrantë nga Shqipëria.

“Ishte e vështirë, por prindërit më mbështetën; më dhanë disiplinën e nevojshme. Fillimisht nuk e dinim si do të ecnin punët për ne. Erdhëm me shpresën për të arritur ëndrrën amerikane. Në lagjen ku jetoja, fëmijët talleshin me mua, më hidhnin nofka nga fakti që merresha me balet. Në fillim e kisha të vështirë. Por, më pas u tregoja lëvizje të vështira dhe ata impresionoheshin. Është e vërtetë që kisha vështirësi. Nëna më çonte çdo ditë në shkollë – një orë larg. Por, ishte diçka që e doja vërtetë. Doja ta vazhdoja dhe jam shumë i gëzuar që e ndoqa këtë rrugë, sado e vështirë. Sakrifica dha rezultat sepse arrita këtu ku jam tani”.

Për Spartakun kjo nuk është thjesht punë, nuk është një bilanc ambicjesh dhe arritjesh. Baleti është dashuria e madhe e jetës:

“Më pëlqen muzika; më pëlqen të kërcej nën tingujt e muzikës. Sa herë dëgjoj muzikë, më kap dëshira për të kërcyer. Edhe kur isha i vogël, më pëlqente të kërceja. Prindërit më tregojnë se sa herë fillonin të luanin muzikë, filloja të kërceja. Mendoj se është një formë shumë e bukur arti. Është një formë arti që kërkon shumë punë, shumë mund, me qëllimin që interpretimi të duket i lehtë e i këndshëm, jo i sforcuar, por në realitet është krejt ndryshe”.

Spartaku interpreton tre role në baletin Arrëthyesi në këtë sezon, dhe pret të dëgjojë në janar se kush do të zgjidhet për çmimin Clive Barnes. Por ai ka shumë ëndrra të tjera, të vogla e të mëdha që shpreson t’i realizojë në karrierë:

“Në baletin “Arrëthyesi” interpretoj në Kërcimin e Çajit, interpretoj gjithashtu një ushtar, një rol solo në skenë me shumë kërcime dhe që kërkon lëvizje të mprehta të këmbëve. Po përgatitem për një rol tjetër që kërkon aftësi akrobatike. Është rol i vështirë, por unë dal më mirë kur më jepet një detyrë e vështirë, sfida më ekzalton”… “Synimi kryesor është të bëhem balerin kryesor në trupën tonë. Dua të marr rolet kryesore. Të interpretoj rolin e princit në Liqenin e Mjellmave. Të interpretoj me balerinën e parë. Jam në rrugën e duhur, thjesht duhet të vazhdoj të punoj fort”.

Spartaku ka edhe shpresa që një ditë të ngjitet në skenë në Shqipëri ku ai beson se do të japë interpretimin më të mirë të jetës:

“Pa diskutim. Po të më jepet mundësia të interpretoj në vendin tim, do të ishte nder për mua. Mendoj se do të kërceja më mirë se kurrë, se do të kërceja para popullit tim. Do to doja shumë të interpretoja në Shqipëri”.

Disa ëndrra janë tepër të mëdha për t’u matur me çmime apo vlerësime nga kritika.

Please follow and like us: