Albspirit

Media/News/Publishing

Daut Dauti: Dita kur në Londër u themelua Shqipëria

Sot mbushen 104 vjet nga koha kur ka filluar punimet Konferenca e Ambasadorëve në Londër. Kjo datë duhet të merret si momenti kur Shqipëria filloi të njihej si shtet në arenën ndërkombëtare.

Në fakt, Shqipëria ishte themeluar disa ditë para fillimit të Konferencës, kur ministri i jashtëm grek dhe ai serb kërkuan mendimin e nikoqirit të konferencës, Sekretarit të Jashtëm Britanik, Sir Edward Grey. Serbi dhe greku ia parashtruan të njëjtën pyetje Sekretarit Britanik: “Cili është qëndrimi britanik për Shqipërinë?”

Edward Grey që të dyve ua dha të njëjtën përgjigje: “Shqipëria do të jetë autonome ose e pavarur”.

Me këtë rast, Grey nuk dëshiroi të fliste për kufijtë pasi që kjo çështje do të diskutohej në Konferencë.

Ky ishte një grusht i rëndë për Serbinë dhe Greqinë, pasi që të dy shtetet, së bashku me Malin e Zi, kishin planifikuar që Shqipëria të ndahej mes tyre dhe të mos ekzistonte fare si shtet.

Ky ishte një rol shumë pozitiv i Edward Grey-it. Por, Grey, pasi që dëshironte ta ruante balancin në mes Fuqive të Mëdha dhe të evitonte një luftë evropiane, nuk vazhdoi të ishte shumë pozitiv në aplikimin e parimit të shtrirjes etnike të shtetit shqiptar që po njihej në këtë konferencë.

Po të njëjtën ditë (17 dhjetor 1912) në Londër u themelua një organizatë shumë e rëndësishme për shqiptarët. Në këtë ditë në Londër u mlodhën një numër i konsiderueshëm i intelektualëve, politikanëve, gazetarëve, gjykatësve, udhëheqësve religjiozë etj, dhe formuan organizatën e quajtur Albanian Committee (Komiteti Shqiptar). Anëtarët e këtij Komiteti për kryetar zgjodhën Sir Aubrey Herbert-in, kurse Lordi Lamington u zgjodh nënkryetar.

Albanian Committee ushtroi presion të fuqishëm ndaj qeverisë britanike dhe Konferencës së Londrës, e cila zgjati deri në fund të qershorit 1913. Anëtarët e Albanian Committee organizuan aktivitete për të ushtruar ndikim në favor të njohjes së shtetit shqiptar me anë të publikimeve të shumta, takimeve me politikanë britanikë e me ata të Fuqive të Mëdha, organizuan tubime publike, botuan artikuj dhe u dërguan letra personaliteteve të ndryshme, mblodhën ndihma për Shqipërinë dhe i qëndruan pas Qeverisë së Përkohshme të Ismail Qemalit. Në shumë mënyra, Albanian Committee ka qenë degë e qeverisë shqiptare në Londër.

Në mesin e shumë aktiviteteve tjera, Albanian Committee organizoi edhe vizitat e delegacioneve shqiptare në Londër, përfshirë atë të Isa Boletinit dhe Ismail Qemalit.

Sikur të mos ekzistonte Albanian Committee, sikur Edward Grey të kishte qëndrim tjetër dhe sikur Konferenca të mos mbahej në Londër, Shqipëria me siguri do të përfundonte edhe më keq. Ka pasur shumë mundësi të mos ekzistonte fare.

Këto janë fakte të cilat duhet të mësohen në të gjitha shkollat tona, por për fat të keq historia jonë nuk i ka të shënuara.

P.S.

Albanian Committee në vitin 1919 e ka ndërruar emrin në Anglo-Albanian Association, kurse sot kryetar i saj është Sir Noel Malcolm.

Image may contain: text

Please follow and like us: