Albspirit

Media/News/Publishing

Hollande: Kadare, avokat i kulturës së Evropës

 

 

Me një ceremoni e veçantë, presidenti francez ka nderuar Ismail Kadarenë me titullin “Komandant i Legjionit të Nderit”. Ai e ka cilësuar shkrimtarin tonë të madh “njëkohësisht shqiptar dhe francez, evropian në zemër dhe me shpirt universal, i cili ka shkruar mrekullisht për historinë e Ballkanit”

 

Shkrimtari Ismail Kadare, në një ceremoni të veçantë, mori mbrëmë titullin “Komandant i Legjionit të Nderit” nga Presidenti francez Fransua Holland. Titulli që iu dha pak muaj më parë, iu dorëzua dje në pallatin presidencial, Elize, në Paris. Sipas mediave, dhënia e çmimit për shkrimtarin shqiptar, për vetë mënyrën se si është organizuar ceremonia ka një domethënie të veçantë. Ndryshe nga rastet e tjera, dhe ndryshe nga zakonisht, dhënës i çmimit do të jetë Presidenti i Francës, Fransua Holland. Presidenti Holland zakonisht nuk e jep vetë çmimin ose kjo ndodh në raste të rralla. Në ato raste që ndodh zakonisht jepet për disa persona bashkë, pra një ceremoni për disa fitues. Për Ismail Kadarenë u zhvillua një ceremoni e veçantë. Një ceremoni me disa të ftuar, francezë e shqiptarë ku Presidenti Holland i dorëzoi  titullin personalisht. Gjatë përshëndetjes së tij, presidenti Hollande e cilësoi Ismail Kadarenë si “avokat i kulturës së Evropës”. “Ju jeni njëkohësisht shqiptar dhe francez, evropian në zemër dhe me shpirt universal” ka vijuar presidenti francez, duke e cilësuar Ismail Kadarenë si “autor i mrekullueshëm i historisë së Ballkanit”

Më pas, kreu i shtetit francez shtroi në Elize një koktej për nder të Kadaresë dhe të ftuarve të tij.

Dhënia e çmimeve për Komandant apo Kalorës të legjionit të Nderit u shpall nga presidenti francez në janar të këtij viti. Ndër personat që u nderuan me titullin “Kalorës i legjionit të Nderit” ishin katër karikaturistët e revistës “Charlie Hebdo”, Charb, Cabu, Honoré dhe Tignous, kronistja Elsa Cayat si dhe korrektorja Mustapha Ourrad, të cilët u ekzekutuan nga terroristët islamikë 7 janarin e 2015. Nga figurat politike franceze, me Urdhrin e Kryqit të Madh, u nderua ish-kryeministri Lionel Jospin, ndërkohë që ish-ministrat Thierry Breton dhe Lionel Stoleru u nderuan me titullin “Komandant i Legjionit të Nderit”. Nga mjedisi artistik, përveç shkrimtarit tonë Ismail Kadare, me urdhrin Komandan i Legjionit të Nderit u nderua muzikanti Michel Legrand, ndërkohë që këngëtarja Vanessa Paradis u nderua me titullin e kalorëses.

 

Please follow and like us: