Albspirit

Media/News/Publishing

Kadare bashkon përkthyesit e studiuesit e huaj në Tiranë

Personazhe të njohur të botës akademike ndërkombëtare, njerëz me influencë në botën e letrave sot, përkthyes të veprës së Ismail Kadaresë në gjuhë të tjera, janë bashkë bashkë në Tiranë, në konferencën e organizuar nga Universiteti i Tiranës Departamenti i Letërsisë  në bashkëpunim me  Departamentin e Gjuhës (Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë) në kuadër të aktiviteteve që përkojnë me 80-të vjetorin e lindjes së shkrimtarit. Seanca e parë e Konferencës që u mbajt në Tirana International u drejtua nga profesoreshë Floresha Dado, studiuesi Francesko Altimari, dhe kritiku i njohur Petër Morgan. I pari që mbajti kumtesën kushtuar këtij eventi të rëndësishëm ishte kritiku francez Eric Faye, me temën “Kadare përtej Oruellit”.Faye është autor i librit “Tri biseda me Kadarenë”, tri biseda të kryera në tri kohë, krejtësisht të ndryshme.Pjesa e parë është rregjistruar në Tiranë në prill të vitit 1990. Pas tij, fjalën e ka mbajtur përkthyesi anglez John Hodgson, duke lexuar kumtesën me titull “Pritja e veprës së Kadaresë në Angli e Amerikë në vitet 1971-1990”. David Bellos një tjetër përkthyes i veprës së shkrimtarit shqiptar ka folur për temën “Ismail Kadare dhe çështja e pushtetit”. Për pritjen e veprës së Kadaresë për lexuesin italian, ka folur Matteo Mandala, duke u ndalur tek romani “Kronikë në gur”. Përkthyesi gjerman Joachim Röhm  ka folur për pasojat e përkohshme të  “grindjes letrare gjermano-gjermane“ për receptimin e veprës së I. Kadaresë në gjuhën gjermane. Konferenca ka bashkuar përfaqësues prestigjozë të qarqeve akademike e kulturore nga mbarë bota, nga Australia në Francë, nga Anglia në Rusi, nga Gjermania, Italia, Rumania etj., me studiues të dalluar prej  krejt hapësirës shqiptare. Marrin pjesë, ndër të tjerë, akademikë, profesorë e përkthyes të huaj: Peter Morgan (Australi), John Hodgson (Angli), David Bellos (Angli), Joachim Röhm (Gjermani), Eric Faye, Jean Paul Champseix dhe Alexandre Zotos (Francë), Aleksander Rusakov (Rusi), Marius Dobrescu (Rumani); profesorët italo-arbëreshë Matteo Mandalá (Palermo) dhe Francesco Altimari (Kozencë); nga Kosova studiuesit Agim Vinca, Kujtim Shala, Bajram Kosumi etj., studiues nga Maqedonia dhe nga dispora (SHBA), akad. Floresha Dado, akad. Gjovalin Shkurtaj e prof. Shaban Sinani  të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, prof. Xhevat Lloshi nga Akademia Shqiptare e Shkencave dhe e Arteve, përfaqësues të Qendrës së Studimeve Albanologjike si dhe një numur i madh profesorësh e pedagogësh të Fakultetit të Historisë e të Filologjisë të Universitetit të Tiranës. Konferenca “STUDIA KADAREIANA, ALBANICA ET HUMANITATIS” synon të sjellë përparim cilësor e të çelë hulli të reja në njohjen e deritashme shkencore të veprës së Ismail Kadaresë në gjithë shumëfaqësinë e saj, në tërë shtrirjen e vet në kohë dhe në konkretizimet e larmishme që ajo ka njohur në hapësirat gjuhësore, letrare e kulturore të Botës. Konferenca është e organizuar në një seancë plenare dhe në katër seanca tematike. Në të do të analizohen e trajtohen: risitë themelore me të cilat Ismail Kadare e ka pasuruar trashëgiminë letrare universale, raportet e veprës së tij me autorë madhorë të letërsisë së përbotshme, specifikat e receptimit të saj në kultura të ndryshme varësisht prej horizonteve të dallueshme të pritjes, çështje të karakterit të përgjithshëm të unicum-it kadarean, çështje të pikëprerjes së letërsisë me historinë, mitologjinë, etnografinë e antropologjinë; çështje të gjuhës, të poetikës e të ndërtekstorësisë; çështje të zhanrit, të ndërmedialitetit e të interpretimit.  Sipas Lili Sulës “veprimtaria më e rëndësishme deri më sot kushtuar Ismail Kadaresë, jo vetëm do të bëjë një sintezë të arritjeve të deritashme në fushë të studimeve kadareane, por do të shënojë një start të ri cilësor për thellimin e njohjes së këtij personaliteti të shkëlqyer të kulturës shqiptare e të asaj botërore, ndër më të mëdhenjtë shkrimtarë të epokës sonë”.

Please follow and like us: