Albspirit

Media/News/Publishing

Në Siri nuk pritet që lufta të marrë fund

LOAY MUDHOON

 

Pas katastrofës së Aleppos, diplomacia ndërkombëtare duhet të ndërmarrë gjithçka të mundur për të mbrojtur civilët dhe për të imponuar një kthim në një proces politik

Diplomacia ndërkombëtare nuk qe në gjendje ta pengonte katastrofën në Aleppo. Këtë realitet të hidhur e tregojnë pamjet dramatike të njerëzve të çorientuar në Aleppon Lindore, të cilët qarkullojnë prej muajsh nëpër botë. Pamjet dokumentojnë mënyrë imponuese dështimin për të ardhur keq të rendit ndërkombëtar në luftën civile në Siri.

Sepse instrumentat vendimtarë të këtij rendi, Kombet e Bashkuara dhe Këshilli i Sigurimit të OKB-së u treguan vitet e kaluara, për shkak të politikës së bllokadës ruse dhe kineze, të paafta për të ndaluar krimet e luftës.

Problemi nuk qendron te e drejta ndërkombëtare

Por po ta shohësh më me vëmendje, mund të dallosh edhe qartë: nuk kemi të bëjmë në radhë të parë me dështim të së drejtës ndërkombëtare, e cila është në fuqi edhe në një luftë civile dhe që i ndalon veprimet kriminale si sulmet e qëllimshme ndaj spitaleve dhe civilëve.

“Katastrofa e Aleppos” është në radhë të parë rrjedhojë e zhvillimit brutal të luftës nga Putini dhe Assadi – si dhe e pasivitetit të administratës së Obamas, e cila u pozicionua shumë herët kundër një ndërhyrjeje ushtarake në mbrojtje të opozitës së moderuar në konfliktin që po shkallëzohej. Në mënyrë fatale ajo iu përmbajt këtij qendrimi edhe kur Assadi përdori armë kimike kundër popullit të tij.

Të gjithën e vështirësoi edhe më tepër instrumentalizimi i konfliktit nga Arabia Saudite dhe Irani. Të dyja fuqitë rajonale zhvillojnë një luftë të pamëshirshme, të ngarkuar me elementë fetarë përmes vasalëve të tyre, në kurriz të njerëzve në Siri.

Ajo që ndodhi në Aleppo është një kolaps i qartë i civilizimit. Në fund të fundit, aktet mizore ndodhën para syve të opinionit publik. Një pjesë e madhe e këtyre krimeve të luftës së regjimit të Assadit, por edhe të opozitës janë dokumentuar shumë mirë, me ndihmën e aktivistëve të angazhuar dhe të specialistëve të OKB-së. Por megjithatë nuk duhet pritur që përgjegjësit sirianë, rusë dhe iranianë të dalin ndonjëherë para drejtësisë për krimet kundër njerëzimit. Çfarë duhet bërë përballë këtij konstelacioni konflikti?

Aleppo: fitore e një etape apo pikë kthese?

Natyrisht që rimarrja e Aleppos nga trupat e Assadit dhe milicët iranianë-afganë-pakistanezë aleate me to është një fitore e rëndësishme e një etape për diktatorin e Sirisë. Ndoshta ajo do të bëhet një pikë kthese vendimtare.

Mbështetësit e Assadit ëndërrojnë tashmë “për fitore përfundimtare mbi terroristët”. Edhe mediet e kontrolluara nga Hisbollatë në Liban dhe gardistët e revolucionit në Teheran e konsiderojnë të sigurtë një fitore të afërt “hyjnore” në luftën civile siriane.

Por një zgjidhje vetëm ushtarake për këtë konflikt kompleks nuk është realiste. Veç kësaj, thuajse përjashtohet që ushtria e demoralizuar dhe e dobësuar e Assadit do të jetë në gjendje ta vendosë nën kontrollin e saj të gjithë vendin.

Rusia duhet të tërhiqet në tryezën e negociatave

Meqenëse në dallim nga Irani, Rusia ndjek në Siri interesa të tjera, të negociueshme dhe duke qenë se një luftë e pafundme guerile, e ngarkuar me elementë fetarë në shtetin e fragmentuar nuk mund të jetë në interesin e saj, kjo është një pikë ku mund të bazohet Perëndimi: ai duhet të bëjë gjithçka të mundur, në mënyrë që të mundësohet një kthim në procesin politik. Fakti që Moska i ka arritur tashmë në Siri synimet e saj, duhet të jetë e dobishme për këtë qëllim. Një ndryshim i regjimit në Damask në fund të fundit u shmang dhe Moska nuk mund të anashkalohet në rendin e pasluftës.

Deri në marrjen e pushtetit nga administrata e Trumpit Perëndimit nuk i mbetet zgjidhje tjetër veç mbështetjes për mbrojtjen e civilëve – dhe shpresës për një mirëkuptim të shpejtë amerikano-rus në tranzicionin politik në vendin e luftës civile.

/DW

Please follow and like us: