Çerçiz Loloçi: Maja e ajsbergut e oligarkisë së korruptuar
Prokuroria, në zbatim të ligjit për Dekriminalizimin, ka kërkuar që të lënë mandatet legjislative dy deputetë të Kuvendit të Shqipërisë dhe kryebashkiaku aktual i Kavajës.
Natyrisht se është një veprim i drejtë, por ende i paplotë. Kodi i fundit Elektoral për caktimin e listës së deputetëve dhe kryetarëve të bashkive ngarkonte me përgjegjësi ligjore kryetarët e partive, çka edhe për këta organi i akuzës duhte të ndërmerrte ndonjë veprim.
Por këtë gjë prokuroria nuk e bëri siç nuk ka të ngjarë ta bëjë edhe ajo e riformatuar pas miratimit të Reformës në Drejtësi.
Këtë e themi nga përvoja gati 26-vjeçare, ku politikanë të së majtës dhe të djathtës, për shkak të trysnisë që ka çdo maxhorancë në gjyqësor, kanë bërë të 99-at dhe kanë dalë pa “u hyrë gjëmb në këmbë”.
Ka një sërë procesesh shumë të bujshme me politikanë të rëndësishëm që kanë nisur vrullshëm dhe kanë përfunduar në “fluskë sapuni”.
Nuk është sekret të thuhet se figurat më të rënda të krimit kanë qenë në nivelet më të larta të tre pushteteve, pa përjashtuar edhe median, por ato gjithmonë kanë mbetur pa u ndëshkuar dhe pa marrë dënimin e merituar në organet e drejtësisë.
Nga ana tjetër goditja e tre personave të lë përshtypjen se diçka po bëhet, por që nuk prek dot kapot e krimit, të korrupsionit, të aferave nga më skandalozet. Është një e vërtetë e madhe që e shohim përditë ku rroga e atyre të ashtuquajtur politikanë që nga vitet nëntëdhjetë nuk justifikon dot pasurimë marramendëse, çka do të kërkonte një operacion të thellë dhe të gjithanshëm duke i rikthyer këto asete në objekte për përdorim komuniteti.
Ky operacion kurrsesi nuk mund të bëhet nga struktura shqiptare, qofshin ato edhe “të bekuara nga Venecia”, por vetëm me një trupë ndërkombëtare.