Albspirit

Media/News/Publishing

Dekriminalizimit merr dy deputetë të PD-LSI dhe kryeashkiakun e Kavajës

Dekriminalizimi, një vit pas votimit në Parlament, zë në rrjet peshqit e parë. Bëhet fjalë për dy deputetë dhe një kryetar bashkie të anetemuar. Ata nuk kanë deklaruar në formularët e vetëdeklarimit, dënimet që kanë marrë jashtë vendit përpara se ti hynin politikës. Prokuroria e Përgjithshme i kërkoi sot zyrtarisht Kryetarit të Kuvendit të shkarkojë, deputetin e LSI-së, Shkëlqim Selimin dhe deputetin e PDIU por që ka kaluar me PD, Dashamir Tahiri. Gjithashtu i kërkoi sërish Kryeministrit të shkarkojë Elvis Rroshin i zgjedhur nga PS për të drejtuar Bashkinë e Kavajës. Kërkesa për Rroshin është e përsëritur nga organi i akuzës.

Drejtoresha e Kabinetit të Prokurorit të Përgjithshëm, Fjorida Ballauri në një deklaratë për mediat, mesditën e së martës tha se “Dashamir Tahiri dhe Shkëlqim Selami janë duke u hetuar në bazë të ligjit ‘Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike’, pasi nuk kanë deklaruar episodet e tyre penale të së shkuarës”. Po kështu, edhe kryebashkiaku i Kavajës Elvis Rroshi, duhet të lërë mandatin për shkak të dënimeve për disa vepra penale të padeklaruara. Ky i fundit madje po hetohet për trafik droge, që dyshohet se e ka kryer në Zvicër në vitin 2015 teksa ushtronte dhe detyrën e kryebashkiakut.

Duke i marrë një e nga një rastet, prokuroria bëri të ditur se deputeti i Vlorës Dashamir Tahiri është kapur nga policia italiane në qytetin e Foxhias për falsifikim parash, ndërsa në një rast të dytë, është dënuar me 9 muaj burg më 1999 në qytetin e Ravenës për përdorim dokumentesh të falsifikuara. Sipas prokurorisë, Tahiri ka mbrojtur veten duke thënë se qe viktimë e rrethanave.

Deputeti tjetër po nga Vlora, Shkëlqim Selami,që u zgjodh nën siglën e PS por më pas kaloi me LSI-në, ka patur një masë sigurie arrest me burg në qytetin e Brindizit në Itali, i dyshuar për pjesëmarrje në organizatë kriminale. Bëhet fjalë për një ngjarje të ndodhur në vitin 1994, por masa e sigurisë është ekzekutuar në 2006-ën.

Elvis Rroshi, ka qenë i dënuar në Itali në vitet ’90 për përdhunim dhe më pas i deportuar nga Zvicra dy herë, si i dyshuar për trafik ndërkombëtar lëndësh narkotike. Rasti i fundit është në vitin 2015, ku ai dyshohet për trafik me emrin e rremë Enver Rroshi.

Please follow and like us: