‘’I huaji’’ i Kamysë, 25-vjetori i lirisë së botimeve në Shqipëri
“I huaji” i Albert Kamysë shënon librin e parë të letërsisë moderne botërore të botuar në Shqipëri pas rënies së diktaturës. Para vitit 1991 kur Shqipëria kishte vetëm një shtëpi botuese shtetërore dhe librat duhet të kalonin të gjitha shkallët e sistemit politik të censurës, nuk mendohej që shkrimtari francez përfaqësues i letërsinë e absurdit të botohej në Shqipëri.
Kamyja erdhi në gjuhën shqipe vetëm 25 vjet më parë. “I huaji” botohet në të parën shtëpi botuese të pavarur, “Fan Noli”, gjë që shënon edhe të parin botim të lirë në Shqipëri pas rënies së diktaturës.
Botuesi Rexhep Hida tha se ish-ministri i parë i kulturës i postkomunizmit, Prec Zogaj, ka firmosur të parën leje të botimit të letërsisë moderne botërore. “I huaji” është përkthyer nga Raimonda Vuçini. Përkthyesi i njohur Edmond Tupja u shpreh se Kamy ka ardhur në shqip i përkthyer bukur.
‘’Duket libër i thjesht por duhej kurajo dhe në atë kohë në 1991. Raimonda Vuçini pati këtë kurajo, pati edhe talentin dhe punën. Aty u zgjuar Raimonda dhe përktheu këtë vepër të parë në shqip’’, u shpreh Tupja.
Preç Zogaj ish-ministri i parë i kulturës në Shqipërinë paskomuniste e konsideron botimin veprës së Kamysë si aktin e parë që shënon 25-vjetorin e lirisë në botime në Shqipëri.
‘’Më ka rënë shorti si ministër të licensoj nismën e lirë në fushën e botimeve dhe në disa fusha të tjera të kulturës’’, u shpreh Zogaj.
25-vjetori i përkthimit shqip të Kamysë ka vijuar me aktivitete, diskutime e kujtime me përkthyes të njohur. Ndërsa drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare Persida Asllani ka cituar disa nga vlerat e veprës së Kamysë nga kritikë të njohur botërorë.