Joachim Röhm: Ju tregoj sulmet ndaj Kadaresë në shtypin gjerman
Përkthyesi i mirënjohur i veprave të Ismail Kadaresë në gjuhën gjermane, Joachim Röhm, i pranishëm në konferencën që po zhvillohet sot në Tiranë, në intervistën e mëposhtme tregon sulmet dhe armiqtë e Kadaresë në shtypin dhe medien gjermane. Jo rastësisht ai është bërë pjesë e debatit të madh të vlerësimit dhe rivlerësimit të autorëve dhe veprave të krijuara gjatë kohës së komunizmit në Gjermaninë Lindore. Joachim Röhm, ka jetuar në Shqipëri nga viti 1977 deri në vitin 1980, si anëtar i një organizate marksiste – leniniste në atë kohë, i cili erdhi në Shqipëri “të përhapë” idetë e saj, si dhe të merret me punët e Shtëpisë Botuese “8 Nëntori”. Pas kthimit në Gjermani, u largua nga marksizmi – leninizmi, shumë kohë përpara Shqipërisë, por ruajti kontaktet e tij më Shqipërinë. Që nga viti 1986 ka përkthyer vepra të letërsisë shqiptare, sidomos veprat e Ismail Kadaresë.
Botimi sistematik i veprës prozaike të Kadaresë kishte filluar në vendet gjermanishtfolëse në mesin e viteve 80-të, me romane si “Gjenerali i ushtrisë së vdekur, “Kronikë në gur” apo “Kamarja e turpit”. Ato gjetën një jehonë shumë pozitive, madje entuziaste te publiku dhe kritika gjermane. Më pas, brenda një kohe shumë të shkurtër, në fillim të viteve 90-të, pas rënies së Murit të Berlinit, klima ndryshoi plotësisht. Disa gazeta të rëndësishme gjermane publikuan recensione, gati asgjësuese për autorin, librat e tij dhe me kritikat më të ashpra, me po ata specialistë apo kritikë që patën lavdëruar më së shumti, më herët, romanet dhe vetë autorin. Kjo shpjegohet me faktin se ka të bëjë me debatin e ashpër që shpërtheu në Gjermani, në lidhje me autorët dhe librat e botuar në kohën e komunizmit në Gjermaninë Lindore. Në këtë “grindje” gjermano – gjermane u përfshi në gjykim, edhe Kadare dhe vepra e tij. Siç thashë, pas viteve 90-të u zhduk toni adhurues dhe dashamirës në recesionet për librat e Kadaresë, në shtypin gjerman, duke u zëvendësuar me një ton kritik, madje edhe armiqësor e fyes ndaj tij. Disa gazeta nuk e përmendnin më fare librat dhe autorin. Si pasojë, krijohej një farë pasigurie tek botuesit. Ishte ndryshim klime si dhe disa faktorë të tjerë që shkaktuan një ndërprerje disa vjeçare në botimin e veprave të Kadaresë në gjuhën gjermane. Shumë nga argumentet që përdoreshin nga kundërshtarët e Kadaresë në shtypin gjerman ishin markuar nga diskutimi rreth veprës së Christa Wolf. Ata e qortonin Kadarenë se nuk kishte përdorur autoritetin e tij si shkrimtar me famë botërore për të kritikuar me zë të lartë regjimin komunist, se nuk ishte larguar nga Shqipëria shumë më herët për të dhënë një sinjal, se disa nga veprat e tij nuk ishin botuar gjatë kohës së komunizmit, ose ishin botuar me shkurtime (censurën nuk e përmendnin fare). Të gjitha këto mjaftonin për ta cilësuar autorin si një njeri të afërt me sistemin, ose më keq, bashkëpunëtor të regjimit. Vlen të përmendet fakti se të gjithë këta gazetarë apo kritikë e kishin kaluar gjithë kohën e komunizmit në zyra të rehatshme të perëndimit, sepse dukshëm nuk kishin asnjë ide për rrethanat e jetës dhe krijimit në diktaturën e egër të Enver Hoxhës. Me sa duket ata kishin parasysh regjimin e kontrolluar e relativisht të moderuar në Gjermaninë Lindore (Në Gjermaninë Lindore regjimi i la të lirë kundërshtarët e vet politikë, u hoqi shtetësinë dhe i lejoi ata të jetonin në Perëndim, kryesisht në Gjermaninë Perëndimore). Kulmi i sulmeve ndaj Kadaresë në shtypin gjerman, ka qenë një recension në një nga gazetat më prestigjioze gjermane ““ALLGEMEINE ZEITUNG”, i shkruar nga një ish-adhurues i sipërpërmendur i Kadaresë, ku mes të tjerave përmendet termi “Diktatura Hoxha- Kadare”. Kjo fjalë monstruoze ishte importuar nga Shqipëria. Ajo vinte nga radhët e kundërshtarëve të përhershëm të Kadaresë. Unë nuk dua të përmend njeriun që e kishte sjellë në Gjermani dhe e kishte përhapur atë me zell, por dua të nënvizoj faktin se kundërshtarët e tij në Gjermani ishin shumëzuar drejtpërsëdrejti, nga armiq të vjetër e të rinj të autorit në Shqipëri dhe jo pa dashje. Gjithmonë e kam pasur të vështirë të kuptoja motivet e këtij sulmi antikadare, por ato nuk dëmtojnë aq shumë Kadarenë, se sa gjithë letërsinë shqiptare. Përveç kësaj, ato njollosin edhe namin e Shqipërisë. Prej kohësh Ismail Kadare luan rolin e akullthyesit, pra, te shkrimtarët e tjerë do ta kishin akoma më të vështirë për të depërtuar në tregun arktik të letërsisë. Përpiqem të dalloj pikat e kritikës në këtë pellg të turbullt kritikash. Ka dy pika kryesore. E para, si provë kryesore ata përdorën romanin “Dimri i vetmisë së madhe”, i cili konsiderohet nga antikadareanët si “punë dreqi”, sepse merr si protagonist kryesor Enver Hoxhën. Askujt, me njohuri minimale për letërsinë mund t’i vijë ndër mend të cilësonte romanin “Dimri i vetmisë së madhe” si një elozh për diktatorin komunist. Ky roman, artistikisht i arrirë, prezanton një tablo tepër komplekse dhe të diferencuar të një shoqërie e një pushteti në krizë, pa rënë në steriotipet e realizmit socialist.
Në kushtet e një diktature të egër komuniste, Ismail Kadare, me veprimtarinë e tij, e ka treguar një mospërfillje absolute ndaj realizmit socialist, duke krijuar një vepër letrare, me peshë botërore. Kjo është një meritë jashtëzakonisht e madhe. Prandaj unë e kam të vështirë të shpjegoj përmasën ngandonjëherë tmerruese të sulmeve kundër tij, ndërsa protagonistë kryesorë të Realizmit Socialist në Shqipëri kanë mbetur gati të paprekur, nderohen, dekorohen dhe veprat e tyre prototipike të realizmit socialist, ruajnë vendin e tyre në fondin e letërsisë kombëtare, bile duke u konsideruar ngandonjëherë edhe si xhevahire letrare. Për arsye të ndryshme, nuk kam të drejtën të bëj rolin e gjyqtarin në çështjen e realizmit socialist. Sa i përket trashëgimisë letrare, nga koha e diktaturës, do të them mendimin tim. E para, duhen analiza të kujdesshme për të ndarë grurin nga egjra, në vend të polemikave të politizuara e sipërfaqësore. Së dyti, më duket e nevojshme hapja e dosjeve të Sigurimit, siç e ka kërkuar vetë Ismail Kadare, prej kohësh. Christa Wolf, pasi u bë objekt i sulmeve, publikoi fshikullin e plotë të STAS-it për të, gjithsej 42 dosje, duke dëshmuar në këtë mënyrë në zbardhjen e çështjes dhe shuarjen në këtë mënyrë të polemikave dhe sulmeve ndaj saj.
Qysh prej vitit 2000, shtëpitë botuese prestigjioze gjermane kanë vazhduar botimin e librave të Kadaresë në gjuhën gjermane dhe me shumë sukses. Deri më tani publikut letrar gjermanishtfolës i është dhënë mundësia për t’u njohur me 40 romane, novela, tregime, ese dhe tekste publicistike të autorit të madh Kadare. Aktualisht përgatiten kontratat për veprat e tjera që do të dalin në treg vitet e ardhshme.