Albspirit

Media/News/Publishing

JOHN HODGSON: “NJË KOMUNIST DISIDENT”, SI U PRIT KADARE MË 1971 NË ANGLI

Fatmira Nikolli

Botimi i një romani shqiptar jashtë Shqipërisë është njëfarë rariteti” shkroi botuesi i parë i “Gjeneralit të ushtrisë së vdekur” në vitin 1971 dhe vazhdoi, “autori na jep pamje të jetës së njerëzve që ua gërmojnë varret”. John Hodgson tregoi dje në Tiranë se si u prit vepra e Kadaresë në Angli e Amerikë në vitet 1971-1990, në një konferencë ku u hodh dritë nga raporti i shkrimtarit me pushtetin, dje e sot, te botimi i veprave jashtë vendit, censura e autocensura, si edhe leximet mes rreshtave në romanet e tij.
Përkthyesi Hodgson, me një shqipe të kuptueshme tha se romani nuk na ofroi vetëm kënaqësitë letrare të fiksionit, por edhe një farë zbardhjeje të misterit të vendit të mbyllur, Shqipërisë, ku rrallëkush nga lexuesit e huaj do të shkonte.
Sipas tij, “Gjenerali” i botuar njëherësh në Londër e Nju Jork, u vlerësua për frymën e tij antimilitariste ndërsa në SHBA u prit ngrohtësisht, edhe pse Publishers Weekly e cilësoi si “një roman të një zymtësie uniforme dhe të pamëshirshme”. Duke kujtuar se në kopertinën e botimit të parë të ishte shkruar se autori qenkësh “një komunist disident”, vërejti se “kjo tregon me gjasë se botuesi nuk kishte fare ide për rrezikun që një etiketë e tillë mund t’i paraqiste shkrimtarit në Shqipëri. Përkthyesi, sqaroi se “disidentizmi” ishte një term i shpikur nga perëndimorët për të përshkruar zërat kritikë që dëgjoheshin në Bashkimin Sovjetik dhe në bllokun lindor, për shkrimtarët që shfrytëzonin me sa mundën atë hapësirë të pakët lirie të shprehjes që u kishte mbetur. “Ismail Kadareja dhe Fatos Lubonja nuk janë të një mendimi për shumë gjëra, por të dy pohojnë se kjo hapësirë nuk ekzistonte fare në Shqipëri”, shtoi ai.
Më 1986, “Gjenerali” u ribotua, me ç’rast u pajis me një parathënie nga David Smiley, i cili nuk ishte kritik letrar, por ushtarak, i cili atëkohë sapo kishte botuar ‘Albanian Assignment’, librin e kujtimeve të tij të Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri. “Ai shkroi me simpati për vuajtjet e gjeneralit italian nëpër malet e ashpra të Shqipërisë, por theksoi se ai vetë kishte hequr më keq. Skena e dasmës në roman i zgjoi kujtime të veta”.
E teksa Smiley atëherë do të vinte një pikëpyetje mbi përshkrimin e Tiranës në roman, me kafene, jetë nate dhe trafik të dendur, si joreale, një gjë që është përmendur edhe në recensione të tjera të kohës, Hodgson, tha se “ndoshta hasim në një zbukurim të qëllimshëm të kryeqytetit të këtyre viteve nga ana e autorit, duke krijuar kështu një Tiranë virtuale, më të gjallë, më të ngrohtë se ç’mund të ishte në kohën e komunizmit”.
Po atëherë- në SHBA, revista Publishers Weekly shkruante për “Kronikë në gur” se “Shqipëria, ai vend i largët dhe i panjohur, ka gjetur zërin e saj në romanet e Kadaresë”, kujtoi Hodgson. Botimi i “Kronikës në gur” në Nju Jork tërhoqi vëmendjen e një prej shkrimtarëve më të mëdhenj të kohës në një nga revistat më prestigjioze të Amerikës, The New Yorker. Ky ishte John Updike.
“Updike-u shkroi: “Kronikë në gur nuk është vetëm kuriozitet por një roman krejt magjepsës, i sofistikuar dhe i përkryer”. Tani në vitet 80, fama e realizmit magjik të Amerikës Latine ishte në kulm dhe Updike-u e orientoi lexuesin duke krahasuar Kadarenë me Gabriel Garcia Marquez-in. “Qyteti i paemër i Kadaresë, pa dyshim i bazuar në vendlindjen e tij, Gjirokastrën, duket më pak i trilluar se Makondoja e Garcia Marquez-it, më pak i përdredhur në surrealizëm”, tha Hodgson.
Revista The Times Literary Supplement gjeti te Doruntina “një parabolë të mprehtë për vetë Shqipërinë. E zënë siç është midis religjioneve kundërshtare të Lindjes dhe të Perëndimit, a mund të tërhiqet ajo në një izolim incestuoz? Ose të kërkojë një aleat të largët? A mund të vijë prej kontakteve me të huaj diçka tjetër përveç murtajës? Ose a ekziston një identitet shqiptar i pashkatërrueshëm, i cili gjithmonë do të ngrihet për t’u riafirmuar? Këto pyetje shtrohen me shumë shkathtësi dhe zhdërvjelltësi”, tha përkthyesi.
Ai citoi “The Times Literary Supplement” që nxirrte në pah elemente alegorike edhe te “Prilli i thyer”: “Kadareja ka sjellë jo vetëm një tregim të trishtë dhe të bukur por një alegori për Shqipërinë parakomuniste, me masat e nëpërkëmbura, klasën sunduese gjakpirëse, njerëzit e paefektshëm të shkencës në shërbim të institucioneve feudale dhe inteligjencien e mbyllur, që nuk di për realitetin e shoqërisë. Është për t’u vënë re se këta nuk përdoren për të justifikuar regjimin e Enver Hoxhës, por për të tërhequr vëmendjen e rrezikut të zgjidhjeve të thjeshta për problemet e një vendi që ka vuajtur aq shumë. Shqipëria socialiste me siguri do të zhduket shumë shpejt, por me Ismail Kadarenë e ka nxjerrë një shkrimtar me vlerë të qëndrueshme.”
KONFERENCA
Konferenca “Konferencën Shkencore Ndërkombëtare “STUDIA KADAREIANA, ALBANICA ET HUMANITATIS”, organizuar nga është mbajtur dje në Tiranë. Ajo u organizua nga Departamenti i Letërsisë në bashkëpunim me Departamentin e Gjuhës (Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë) në kuadër të ciklit të veprimtarive IN HONOREM ISMAIL KADARE (me rastin e 80-vjetorit të lindjes). Në të u analizuan: risitë themelore me të cilat Ismail Kadare e ka pasuruar trashëgiminë letrare universale, raportet e veprës së tij me autorë madhorë të letërsisë së përbotshme, specifikat e receptimit të saj në kultura të ndryshme varësisht prej horizonteve të dallueshme të pritjes, çështje të karakterit të përgjithshëm të unicum-it kadarean, çështje të pikëprerjes së letërsisë me historinë, mitologjinë, etnografinë e antropologjinë; çështje të gjuhës, të poetikës e të ndërtekstorësisë; çështje të zhanrit, të ndërmedialitetit e të interpretimit.
Në të janë bashkuar përfaqësues të qarqeve akademike e kulturore nga Australia në Francë, nga Anglia në Rusi, nga Gjermania, Italia, Rumania etj. Morën pjesë, akademikë, profesorë e përkthyes të huaj: Peter Morgan (Australi), John Hodgson (Angli), David Bellos (Angli), Joachim Röhm (Gjermani), Eric Faye, Jean Paul Champseix dhe Alexandre Zotos
(Francë), Aleksander Rusakov (Rusi), Marius Dobrescu (Rumani); profesorët italo-arbëreshë Matteo Mandalá (Palermo) dhe Francesco Altimari (Kozencë); nga Kosova studiuesit Agim Vinca, Kujtim Shala, Bajram Kosumi etj., studiues nga Maqedonia dhe nga diaspora (SHBA), akad. Floresha Dado, akad. Gjovalin Shkurtaj e prof. Shaban Sinani të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, prof. Xhevat Lloshi nga Akademia Shqiptare e Shkencave dhe e Arteve, përfaqësues të Qendrës së Studimeve Albanologjike si dhe një numër i madh profesorësh e pedagogësh të Fakultetit të Historisë e të Filologjisë të Universitetit të Tiranës.
FAYE, CHAMPSEIX,
BELLOS, MORGAN etj.
Për botuesin francez Eric Faye, me “Pallatin e Ëndrrave”, Kadareja hedh një hap më shumë dhe tejkalon Oruellin, meqë pushteti e kërkon, që brenda mureve të “Tabir Sarajit” të njohë të pandërgjegjshmen e njerëzve dhe të asgjësojë komplotet dhe prirjet e tjera të mjegullta të rebelimit. Kjo, për të parandaluar qëllimet e njerëzve. “Oruelli nuk ka shkuar aq larg; duhet thënë se Oruelli ka jetuar në një demokraci të gjatë, ndërsa Ismail Kadareja ka jetuar për dekada të tëra në qendër të diktaturës, dhe kjo është fuqia e tij, e cila i jep nder – ai mundi t’i bënte radiografi totalitarizmit mu në zemër të tij”, tha ai.
Jean Paul Champseix në fjalën e tij tha se në Shqipërinë e Enver Hoxhës, nuk shkruhej veçse për heronj të vdekur dhe për puthadorët: sesi duhej të ishin për të marrë këtë status. “Vetë tirani ka shkurajuar të gjitha përpjekjet e lajkatarëve të tij për të bërë një biografi për të. E ç’mbetet të thuhet atëherë për autobiografinë? Kadare rrezikon dy herë në dy ndërmarrje: Kronikë në gur dhe Muzgu i perëndive të stepës. Kjo s’ka si të jetë e rastësishme. Në romanin e parë, vizioni i një fëmije, gjatë luftës, bën të mundur shmangien e diskursit ideologjik dhe lejon të tregohet se ç’është në të vërtetë e rëndësishme për të. Në romanin e dytë, Kadareja është personalisht i përfshirë në një luftë të dukshme kundër realizmit socialist – që do të bëhej lufta e jetës së tij”.
Nga ana tjetër, David Bellos tha se pushteti politik është një temë e shpeshtë dhe e spikatur në romanet dhe tregimet e Ismail Kadaresë. Sipas tij, te “Piramida” ne shohim botën e lashtë pjesërisht përmes syve të një faraoni; te Pasardhësi ne shohim një botë moderne pjesërisht përmes syve të një “Prijësi”; dhe në shumë vende të tjera përjetojmë se si është të jesh pranë pushtetit në një pallat të ëndrrave, në administratën e një rendi qorrues, apo edhe në Moskë në vitin 1960. “Kadare sigurisht që shpreh solidaritetin me viktimat e pushtetit, por ajo që më intereson mua këtu është shkalla në të cilën ai na bën të mëshirojmë a simpatizojnë njerëzit që kërkojnë dhe marrin pushtetin, po aq sa ata që jetojnë të shtypur nën të. Në universin e Ismail Kadaresë, pushteti nuk është kënaqësi. Është mallkim”.
Ai theksoi se letërsia i ka mësuar Kadaresë që së pari, të jetë i magjepsur pas pushtetit dhe pastaj të jetë i matur ndaj tij.
“Këto çështje letrare shpjegojnë se pse Kadare vazhdimisht refuzon të marrë një rol politik në jetën reale. Pasi na tregon në mënyrë të përsëritur shkatërrimin e shpirtrave nën efektet e pushtetit, në romane të vendosura në çdo periudhë dhe në shumë vende, asnjë lexues s’mund të dyshojë më se përse Kadareja nuk kërkon asgjë të tillë për veten e tij”.
Një shkrimtar mes botëve e ka cilësuar Peter Morgan Kadarenë, nisur prej fëmijërisë së trazuar nga luftëra dhe rrëmujëra; te përjetimi i viteve të themelimit të komunizmit nën regjimin e Hoxhës, koha në Moskë dhe krijimtaria deri tek çasti kur “u kthye në një Shqipëri që do ta mbyllte dhe izolonte veten nga bota në dekadat që do të pasonin. Gjatë kësaj periudhe, Kadare u bë zëri i Shqipërisë, në vepra të tilla, si: “Dimri i madh”, “Kronikë në gur”, “Ura me tri harqe”, “Dosja H”. dhe të tjera. Që nga viti 1990, bota ka ndryshuar në mënyrë të ndjeshme”.
Arbëreshi Matteo Mandala, u ndal te “Kronikë në gur”, pse ky roman sipas tij konfigurohet si një nga shtyllat e sistemit të ardhshëm narrativ kadarean, sepse përmban disa nga bërthamat kryesore të tij. “Në fakt, ‘Kronikë në gur’, bashkë me “Kështjellën”,tha ai, -“përfaqësojnë përgjigjen që i dha Kadare krizës së thellë që e përfshiu gjatë trevjeçarit 1965-67”. Mandej arbëreshi tjetër, Francesco Altimari nxori në pah gjurmët e botës arbëreshe në romanin “Kush e solli Doruntinën”.
Përkthyesi gjerman Roachim Röhm solli në vëmendje pasojat e përkohshme të “grindjes letrare gjermano-gjermane” për recepsionin e veprës së Ismail Kadaresë në gjuhën gjermane.
Ai ndau me të pranishmit faktin se në Gjermaninë e viteve nëntëdhjetë, pas rënies së Murit të Berlinit dhe ribashkimit të vendit pati një penalizim për Kadarenë.
“Kishte filluar një debat i ashpër për vlerësimin respektivisht rivlerësimin e letërsisë në Gjermaninë Lindore dhe pastaj në të gjithë Gjermaninë, pas Luftës së Dytë Botërore. Protagonistët sulmues në redaksitë kulturore të disa gazetave gjermano-perëndimore përdornin këtë debat (që pas pak u titullua “Grindja letrare gjermano-gjermane”) për t’ia nënshtruar gjithë prodhimtarinë letrare të pasluftës në ish-vendet e Evropës Lindore një dyshimi të përgjithshëm. Verdikti nuk ishte bazuar në një analizë të diferencuar letrare, por kryesisht në gjykime dhe paragjykime politike. Ismail Kadare ishte ndër viktimat e kësaj polemike që, bashkë me disa faktorë të tjerë, shkaktoi një ndërprerje disavjeçare të botimeve të tij në gjuhën gjermane”, tha Rohm. Ai shtoi se pas vitit 2000, shtëpitë botuese të mirënjohura “Ammann” dhe “S. Fischer” vazhdonin serinë e botimeve të Kadaresë në gjuhën gjermane; ndërkohë publikut letrar gjermanishtfolës i është dhënë mundësia për t’u njohur me rreth dyzet romane, novela, tregime, ese dhe tekste publiciste të autorit të madh shqiptar.

Please follow and like us: