‘Dekriminalizimi’ godet sërish, Prokuroria çon në gjykatë një drejtor të Kuvendit
Ky është Genc Muçaj, ish – Ambasador i Shqipërisë në Turqi, aktualisht mban detyrën e Drejtorit të Shërbimeve dhe Marrëdhënieve Shumëpalëshe dhe Dypalëshe pranë Kuvendit.
48 – vjeçari është dërguar në gjyq nga Prokuroria e Tiranës, pasi ka fshehur të dhënat në formularin e Dekriminalizimit.
Sipas Prokurorisë së Tiranës, Muçaj ka fshehur një dënim të Gjykatës së Tiranës në vitin 2008. Ai është dënuar me 133 mijë lekë gjobë, për akuzën e falsifikimit të dokumeteve shkollore.
Në kërkesën për gjykim që disponon Televizioni Klan, Muçaj ka probleme edhe me atësinë. Ai ka deklaruar në formularin e vetëdeklarimit atësinë “Hazis”, ndërkohë që nga shkresa e dërguar nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile rezulton se atësia aktuale e tij është “Hazir”.
Gjatë hetimeve ka pranuar faktin që formulari është plotësuar prej tij. Por ai pretendon së pari se ai është konsultuar me shumë juristë, të cilët i kanë sqaruar se vepra penale për të cilën ai është dënuar nuk ishte objekt i deklarimit që përcakton ky ligji raporton Tv Klan.
Muçaj ka shpjeguar se ai nuk ka dashur që dënimi t’i krijonte situata problematike me gazetat apo media të ndryshme, të cilat do kishin për qëllim cënimin e dinjitetit të tij si person dhe nëpunës i shtetit.
Gjithashtu ka sqaruar zyrtari se formulari i vetëdeklarimit nuk ka një rubrikë që të parashikojë deklarimin për konsumimin e një vepre penale të dënuar me gjobë, pasi të gjitha kërkojnë masën e dënimit me burgim. Në fund ai pretendon se dënimi i tij nuk ekziston, pasi është i rehabilituar.
Por për Prokurorinë, dënimi me gjobë është subjekt i ligjit të Dekriminalizimit dhe për këtë arsye Muçaj duhet ta kishte deklaruar. Për këtë arsye, ai është dërguar në gjyq për akuzën “Falsifikim i formularëve”.