Albspirit

Media/News/Publishing

SHBA e shqetësuar për tensionimin e situatës në Maqedoni

Në Maqedoni, zgjedhjet e 11 dhjetorit, që synonin t’i jepnin fund krizës politike në vend, duket se e kanë thelluar atë edhe më tej.

Duke folur të martën në Uashington, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, John Kirby, shprehu shqetësimin e qeverisë amerikane për shtimin e tensioneve politike në Maqedoni.

Shtetet e Bashkuara, tha ai, dënojnë “retorikën provokuese nga disa udhëheqës politikë, që bëhet shkas për nxitjen e sulmeve ndaj institucioneve demokratike dhe ambasadorëve të akredituar në Maqedoni”.

Ditën e shtunë, ish kryeministri i Maqedonisë dhe kryetari i partisë VMRO-DPMNE, Nikolla Gruevski, duke folur para përkrahësve të tij, tha se “disa ambasadorë po përzihen në punë e brendshme të Maqedonisë”, ndërsa akuzoi Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve, organizatat jo-qeveritare dhe partitë opozitare se po përpiqen t’i rrëmbejnë fitoren partisë së tij.

Pa i përmendur me emër, por duke i nënkuptuar qartazi, zoti Gruevski akuzoi ambasadorët e Shteteve të Bashkuara dhe të vendeve të Bashkimit Evropian. “Kërkojmë që ata të qëndrojnë në kornizat e mandatit të tyre dhe të ndalojnë përzierjen në punët e brendshme të Maqedonisë”, tha zoti Gruevski.

Protestuesit e pranishëm gjatë fjalimit mbanin pankarta, në të cilat shkruhej: “Donald Trump ne të duam!” dhe “Ambasador Bejli, larg duart nga Maqedonia!”

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Kirby, u bëri thirrje udhëheqësve politikë në Maqedoni të heqin dorë, siç u shpreh ai, “nga këto sulme të pajustifikuara, të respektojnë procesin demokratik dhe të lejojnë formimin e një qeverie të besueshme e të qëndrueshme, që respekton shtetin ligjor dhe liritë bazë. Shtetet e Bashkuara, tha zëdhënësi amerikan, janë të gatshme ta ndihmojnë një qeveri të tillë, që të realizojë synimet e Maqedonisë për integrimin euro-atlantik”.

Aktualisht, VMRO-DPMNE ka 51 mandate, ndërsa Lidhja Social Demokrate 49. Nga partitë shqiptare, BDI ka 10 mandate, Besa 5, Aleanca për Shqiptarët 3 dhe PDSh 2. Deri tani ato nuk janë shprehur publikisht lidhur me koalicionet e mundshme.

Gjykata Administrative vendosi të martën që të përsëriten zgjedhjet në Tearcë pranë Tetovës.

Në varësi të rezultatit, numri i vendeve të fituara në parlament mund të ndryshojë, duke i nxjerrë dy partitë maqedonase, VMRO-DPMNE dhe Lidhjen Social Demokrate, me numër të njëjtë ligjvënësisht, nga 50 secila.

Votimet në Tearcë, ku ka 714 votues të regjistruar, pritet të mbahen më 25 dhjetor.

Please follow and like us: