Dekriminalizimi, 40 zyrtarë në gjyq, 170 të tjerë në hetim!
Dekriminalizimi shkakton tërmet në administratë. 170 zyrtarë, mes tyre deputetë, prokurorë e gjyqtarë po hetohen nga sektori i verifikimit në Prokurorinë e Përgjithshme.
40 zyrtarë të tjerë janë çuar në gjyq për akuzën e falsifikimit të formularëve te vetëdeklarimit, ndërsa 50 punonjës janë larguar nga shërbimi i administratës publike për shkak të së kaluarës së tyre.
Me hyrjen në fuqi të ligjit për “Dekriminalizimin” Sektori i verifikimit në Prokurorinë e Përgjithshme, ka dërguar në gjyq rreth 40 persona, për akuzën e “falsifikimi të formularëve”.
Sipas Abc News këto të pandehur, nuk kanë pasqyruar ose kanë evidentuar të dhëna të rreme në formularin e deklarimit, duke mohuar të kaluarën e tyre kriminale. Burimet thonë se në mesin e 40 personave, që tashmë kanë përfunduar në gjyq, janë zyrtarë të ndryshëm të administratës publike apo edhe institucioneve tjera kushtetuese.
Veç dërgimit të këtyre personave në gjyq, burimet zyrtare nga Sektori i verifikimit në Prokurorinë e Përgjithshme i thanë Abc News se 50 persona të tjerë, janë shkarkuar nga detyra pas përpilimit të formularit të dekriminalizimit, pasi u ndalohet të ushtrojnë funksione publike. Në mesin e këtyre të larguarve, burimet thonë se ishin edhe anëtarë të këshillave të ndryshëm bashkiakë të gjithë Shqipërisë. Ndërsa, ndodhen në proces verifikimi rreth 170 raste, mes tyre zyrtarë të lartë e punonjës të ndryshëm të administratës publike, deputetë, prokurorë dhe gjyqtarë apo edhe punonjës të tjerë, të cilët ligji i detyron të plotësojnë formularin e dekriminalizimit.
Nga ana tjetër, mësohet se Sektori i Verifikimit në Prokurorinë e Përgjithshme që nga hyrja në fuqi e ligjit për “dekriminalizimin” ka verifikuar mbi 500 raste. Këto verifikime, janë kryer pas kërkesave të institucioneve të ndryshme në vend, ku numrin më të madh të tyre e ka bërë Deparatmenti i Administratës Publike. Duke qenë se ka edhe numrin më të madh të subjekteve që vetëdeklarojnë të kaluarën kriminale në kuadër të ligjit për
“Dekriminalizimin”. Kërkesa të shumta, burimet thonë se kanë qenë edhe nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve qoftë për deputetë, kryetar bashkie apo anëtarë të këshillave bashkiak. Kërkesa për verifikimin e të kaluarës kriminale të individëve të ndryshëm, burimet thonë se ka pasur edhe nga Kuvendi dhe Këshilli i Ministrave, por që nuk jepen emrat apo pozicionet e personave që është kërkuar të verifikohen.