Majakovski, rrëfimi para vetëvrasjes…
Zonja Gaviola nuk mund ta mendonte se ato çfarë i thoshte djaloshi i çuditshëm shpesh për të, tek dera përbri, i kishte të vërteta. Teksa ajo shkoi ti çonte dy paketa cigare, pasi ai gjithnjë mbetej pa cigare, ai do ti tregonte se ishte gati të vriste veten. Ndjehej i rrënuar, me flokët e shpupurisura shprehej se vdekja ishte zgjedhja. Gavriola mendoi se ndoshta ka pirë. “I solla dy paketa. Edhe cigaret i mori përmes derës”, kujton ajo. Si shumë duhanxhinj të penduar, Vladimir Majakovskij është gjithnjë pa cigare; nëse i ka, i mungojnë shkrepëset. Pesë muaj më parë ai kishte shkruar: “Jam i lumtur, plot fuqi / punëtor si / një kalë / ose pse jo, një aktor / … / i rrumbullakosur / në fytyrë, / kam harruar ethet / dhe shtratin / … / Qytetarë – sot – / lashë duhanin!”.
Por sigurisht që ai s’mund ta linte duhanin. Kur ulej të shkruante cigarja ishte shoqëruesja më e mirë. Ai i ndizte ato njëra pas tjetrës pothuajse gjithnjë pa i thithur, duke nxjerrë shtëllunga të mëdha tymi.Pa to, nuk mund të shkruante deri natën vonë. Ishte ndoshta një nga punëtorët më të zellshëm të penës, aq sa dhe Tolstoi do ta kishte zili. Por në kohët kur zonja Gaviola i cconte paketat e cigares, poeti duket sikur e kishte humbur frymëzimin. Vdekja e Majakovskit, një prej personazheve të njohura të letrave ruse, është shoqëruar shpesh me dyshime, mbi faktin në ishte apo jo vetëvrasje.Në librin “Majakovski, dashuria e fundit” shkruar nga Serena Vitale, botuar nga “Saras”, personazhe bashkëkohës të poetit, tregojnë takimet e fundit me të. Skobina Natalja, njëzet e tre vjeçe, kameriere në lokalin ku poeti shkonte shpesh tregon se : “Kur mbërrita në katin e tretë … e lashë derën e hyrjes hapur, sepse mbrapa meje po vinin Majakovskij dhe Polonskaja … Shkova në kuzhinë … Pas pesëmbëdhjetë apo njëzet minutash dëgjova një të shtënë në dhomën e Majakovskijt, dukej si zhurma e një revoleje fëmijësh, dhe menjëherë i thashë Krivçovit se duhej të kishte ndodhur ndonjë fatkeqësi … Për disa sekonda ra heshtja, pastaj dëgjova vetëm disa rënkime në dhomën e Majakovskijt, atëherë qëndrova aty, afër derës së kuzhinës, përballë dhomës së Majakovskijt, për të dëgjuar çfarë ndodhte tjetër. Pashë që u hap dera dhe në atë çast dëgjova Polonskajën që po dilte duke bërtitur ‘Ndihmë!’, me duart në kokë. Unë dhe Krivçovi hymë me vrap në dhomë, Majakovskij ishte i shtrirë përtokë … Dola te shkallët duke bërtitur dhe erdhën fqinjët … Polonskaja u kthye me mjekun dhe infermierët … Mjeku pyeti të pranishmit: ‘Si ndodhi?’. Polonskaja qëndronte pas meje dhe unë thashë se Majakovskij ishte bashkë me atë qytetaren, duke treguar Polonskajën. Ajo tha se po dilte nga dera e hyrjes kur dëgjoi të shtënën dhe pastaj u kthye mbrapsht, atëherë unë i thashë: ‘Nuk është e vërtetë, ju e hapët derën e dhomës dy sekonda pas së shtënës dhe bërtitët ‘Ndihmë!’. Di që Polonskaja shkonte shpesh te Majakovskij, pothuajse çdo ditë, mëngjes e mbrëmje”. Me të në çastin e fundit ishte Veronika Polonskaja, gruaja me të cilën po jetonte një histori dashurie. Balshin Mikail, student kimie, njëzet e gjashtë vjeç e kujton kështu:“Për herë të fundit e pashë Majakovskijn më 13 prill të këtij viti kur hyra në dhomën e tij dhe i kërkova dy bileta për ‘Banjën’ … Vura re që ishte shumë i ligështuar … Më 14 prill, rreth orës 10:11, ndërsa kthehesha në shtëpi nga farmacia, më thanë se ia kishte hequr vetes”. Në orën 10:11, Majakovskij ishte ende gjallë … Të gjitha sahatet ecnin mbrapa, në atëkommunalka të mallkuar, në vendin që e kishte shtrënguar kohën ta përshpejtonte rendjen e vet. “Hyra në dhomën e tij, ku ishte qytetarja Rajkovskaja, në atë çast nuk pashë asnjë tjetër. Për rreth katër minuta Majakovskij qëndroi ende në jetë, por pa ndjenja, i shtrirë përtokë, dhe ndërkohë pritej ardhja e ambulancës.” Infermierja Lidija Rajkovskaja jetonte në apartamentin 13. Do të tregojë shumë vite më vonë: e ngarendur nga ulërimat e Veronika Polonskajës dhe të fëmijëve që banonin në të njëjtin sheshpushim, pa trupin e Majakovskijt në dysheme, “kokën nga dera, këmbët nga dritarja, midis këmbëve një pistoletë”. Kaloi menjëherë mbi plagë një peshqir të lagur, pastaj u largua, për t’u kthyer pas pak sekondash me një shiringë dhe një flakon kanfore (asokohe përdorej si analeptik). Pas injeksionit, krahët dhe këmbët e Majakovskijt lëvizën – ishin vetëm spazma të paravdekjes. “Zbrita në oborr për të pritur ambulancën. Qytetarja Polonskaja qëndronte afër korridorit dhe kur ambulanca erdhi, u kthye bashkë me mua në dhomën ku ishte shtrirë përtokë Majakovskij, mjeku konstatoi vdekjen dhe thirri policinë, pastaj u largua. Kur mjeku përcaktoi se Majakovskij kishte vdekur, e pranishme qytetarja Polonskaja, kjo e fundit ishte e qetë, dhe ma merr mendja se u largua pa e vënë re të tjerët, por duke marrë vesh që kishte dalë e ndoqa pas me vrap në oborr, ajo kishte hipur tashmë në taksinë që po bëhej gati të nisej. I kërkova të qëndronte, por nuk pranoi, atëherë i kërkova të më jepte adresën.” Mbetet i errët kuptimi i frazës “Majakovskij kishte vdekur, e pranishme qytetarja Polonskaja”. Qytetarja kishte qenë e pranishme në vdekjen e tij apo “në konstatimin” e asaj vdekjeje? Dukej, sidoqoftë, “e qetë”, shkruan Serena Vitale.
Ora 10:25. Pavel Lavut, sipërmarrës dhe organizator i mbrëmjeve të Majakovskijt, mbërrin pak para kohe në apartamentin e rrugicës “Xhendrikov”, ku i ishte lënë takim për në orën 10:30. I bie ziles disa herë. Kamerierja Pasha: “Nuk e pashë sot në mëngjes. Provojeni një herë në studio”. Lavuti telefonon. Një zë mashkullor: “Vladimir Vladimiroviçi nuk është. Nuk është më”.
Ora 10:35. Nga Komanda e 39 e policisë, nën juridiksionin e së cilës ndodhet kalimi Lubjanskij, mbërrin inspektori i radhës, Kurmelev.
Ora 10:40. Lavuti ngjit shkallët me vrap. Në sheshpushim dhe te hyrja grumbullohen fqinjët, dera e dhomës-arkivol është e hapur. Kurmelevi e lejon të hyjë. Kufoma është ende e vakët. Marrësi ia komunikon lajmin me telefon FOSP-it, Federatës së Bashkimeve të Shkrimtarëve, Komitetit Qendror të Partisë, fabrikës “Trëndafili i Kuq”, ku punon si dizenjatore tekstile Ljuda Majakovskaja, motra më e madhe e poetit.
Ora 10:50. Në redaksitë e gazetave, në shtëpitë botuese dhe në apartamentet e shkrimtarëve bien telefonat: “Majakovskij ka vrarë veten!”. Mosbesim, frikë. Ka nga ata që mendojnë: “Sipas kalendarit të vjetër sot do të ishte 1 prilli. Duhet të jetë ndonjë shaka, ndonjë shaka shumë idiote …”.
Letrari Mikail Prezent, informator dhe faktotum – ndoshta ‘kontrollor’ – i Demjan Bednyjit (“Demjan i Varfri”, lumpen-pseudonim i një poeti sa servil aq edhe mediokër), i telefonon: “E vërtetë është?”. “Po”, i përgjigjet I Varfri me banim në Kremlin. “Në fillim ishin tre poetë. Tani kam mbetur vetëm unë”. Më ’25-n vari veten Sergej Esenini. “Shkuat, / siç thuhet, / në botën tjetër. / I zbrazët. / Fluturoni, / duke çarë yjet” – kishte shkruar Majakovskij. Dhe pastaj edhe ai nisi fluturimin … Konkurrenca eliminohet vetë. Tani i takon Bednyjit të shkruajë për të vdekurin. Jo, jo vargje – një duzinë rreshtash: “I përbindshëm. I pakuptueshëm”.
Ora 11:00. “Pas urdhrave të dikujt”, një burrë të cilit nuk ia dimë emrin, hyn në dhomën e Majakovskijt. Më vonë, në një fletë letre me markën “Tipografia e AOMS-it” (reparti administrativ i këshillit moskovit, i shkrirë në fillim të ’30-s: lëshonte viza për jashtë shtetit, luftonte kundër spekulimit, mbikëqyrte punën e zjarrfikësve etj.) do të shkruajë një “Raport”:
“Mbërrita në orën 11:00 në vendin e ngjarjeve. Gjeta Kurmelevin e Komandës së 39, pastaj erdhën Ovçinikovi i Policisë Kriminale, Agranovi, asistent i shefit të repartit operativ të OGPU-së dhe zëvendësshef i seksionit të fshehtë të OGPU-së, Xhendin, shef i Seksionit të 7 të Kundërspiunazhit, dhe shefi i repartit operativ Rybkin”.Agranovi, Alievskij, Rybkini: funksionarë shumë të lartë të OGPU-së, të ngarendur nga zyrat e tyre në Lubjanka. Gjithë ata njerëz në njëmbëdhjetë metra katrorë … Duhet të kenë bërë akrobacira për të shmangur kufomën e shtrirë në dysheme “si kryq”, krahët e hapur. Ndoshta dikush është penguar në trupin e tij, i është dashur t’i kalojë me një kërcim krahët, këmbët. Edhe i vdekur Majakovskij është kaba. “Rybkini dhe Olievskij (Alievskij, në fakt) analizuan letërkëmbimin e Majakovskijt, e vunë në një baule të vogël, të cilën e vulosën, duke e lënë në dhomë. Shoku Olievskij mori letrën e lamtumirës të shkruar nga Majakovskij para se të vdiste, Agranovi i telefonoi Messing-ut, zëvendësshefit të OGPU-së, i cili urdhëroi që kufoma të çohej në rrugën ‘Xhendrikov’ 15. Mjeku ligjor përcaktoi se Majakovskij ka vrarë veten duke qëlluar në zemër me një ‘Mauzer’ dhe vdekja ka ardhur menjëherë. Sot në mëngjes, në orën 10:00, Majakovskij ka mbërritur në këtë adresë me taksinë nr. 191, me shofer Medvedev, bashkë me Veronika Polonskajën, aktore e studios së parë të Teatrit të Artit të Moskës … Qytetarja Polonskaja është larguar pak pasi Majakovskij ia ka hequr vetes.” (“Shkrimtar vargjesh, / këngëtar, / ç’lidhje / ke ti / me OGPU-në? / Hekurit / nuk i duhen / duartrokitje, lavdërime. / Nuk mund / të çohet tek yjet, / as të thyhet. / Me fjalë të thjeshta / unë flas / për një forcë madhore / të hekurt”: kështu një ditë jo të largët i ndjeri kishte kënduar në vargje “ushtarët e Zherzhinskijt”, të “Feliksit të hekurt” që të nesërmen e tetorit krijoi Çekën, shpatë dhe mburojë e diktaturës proletare. Majakovskij njihte më shumë se një “çekist” – meri mbeti, ndonëse Çeka u bë GPU, pastaj OGPU dhe jo për të gjithë, në fund të viteve njëzet, është sinonim i heroizmit. Çekisti është një mysafir i përhershëm i sallonit të Brikëve: Jakov Agranov, për të afërtit Janja ose Janeçka, për Majakovskijn “miku Agraniç”. I dashur, i respektueshëm, mjaft i kulturuar për të bërë biseda mbi argumentet letrare, Agranovit i pëlqen të frekuentojë dhe të mbikëqyrë me maturi inteligjencien moskovite; bashkë me të shoqen ka qenë i pranishëm edhe në disa sesione pune të LEF-it, frontit të së majtës të arteve të krijuar më ’23-shin me nismë të Majakovskijt. Njohu Osip Brikun kur ky punonte për Çekën – Seksionin e 7 të Repartit të Fshehtë – si jurist; më 1930-n qarkullonte ende një strofë e helmuar që i ishte veshur Eseninit: “Kujtoni se Brik Osja / interesohet për poezi? / Është një spiun, në fakt / shkruan në prozë te Çeka”. Edhe pas ‘21-shit, kur u shkarkua – “i paefektshëm, i ngadaltë, dembel” – nga shërbimi, Briku nuk ua mohoi informacionet dhe shërbimet kolegëve të dikurshëm: ish-çekist nuk bëhesh dot kurrë. Në të njëjtën mënyrë vazhdoi të ndihmonte atë që, mes miqve dhe të njohurve, i drejtohej me qëllim që të ndërhynte lart në favor të personave të arrestuar, në fatkeqësi. Lili Briku ka marrë vetëm më 19 korrik të ’22-shit “vërtetimin” e OGPU-së nr. 15073, një çelës i çmuar që u siguron privilegje të mohuara qytetarëve normalë sovjetikë – para së gjithash mundësinë për të shkuar jashtë shtetit. Në këmbim të – – -? Lajme për atë që takon – emigrantë rusë, “shokë” perëndimorë – në udhëtimet e tij të shpeshta, duhet menduar. Mes talenteve të shumta (për kinemanë, poezinë, vallen, skulpturën, ars seducendi-n …), Lili nuk ka atë të agjentit të fshehtë; mosduruese ndaj çdo rregulli, autoritare, tekanjoze, aspak e rezervuar, i mungon psychique du role-i. Në sallonin e saj – “do të duhej të quhej ndryshe, një fjalë që fillon me ‘b’ thoshte Ana Ahmatova”, “filiale të policisë moskovite” thoshte Boris Pasternaku – OGPU-ja mund të mbikëqyrte ajkën e letrarëve dhe të artistëve moskovitë, të cilët nga ana e tyre nuk kishin frikë ta frekuentonin, të bindur se një çekist i deklaruar ishte më pak i rrezikshëm se një çekist in pectore. Ora 11:30. Pasi mbaroi këqyrjen në vend dhe analizën e jashtme të kufomës, Sinjovi, hetues i policisë moskovite, Seksioni 39 dhe mjeku ligjor Rjasencev, pasi kishin mbërritur rreth një çerek ore më parë, përpilojnë procesverbalin dhe ua japin dy dëshmitarëve ta nënshkruajnë. “Dhoma është rreth tri saxhena (1 saxhenë = 2,134 metra) katrore … Midis tryezës dhe raftit ndodhet një baule e vogël që para ardhjes sonë është vulosur nga organet e OGPU-së … Në qendër të dhomës është e shtrirë në shpinë kufoma e Majakovskijt, me kokën të drejtuar nga dera. Krahu i djathtë, i përthyer te bërryli, është vendosur mbi bark, ai i majti, i përthyer përgjysmë, është përgjatë ijës. Këmbët janë të hapura, me largësi prej një metri nga njëra-tjetra. Koka është e kthyer pak djathtas, sytë janë të hapur, bebëzat të zgjeruara, goja e hapur përgjysmë. Mungesë e rigor mortis-it. Në kraharor, tre centimetra mbi thithin e majtë, është një plagë në formë të rrumbullakët, me diametër prej rreth dy të tretave të centimetrit. Qarku i plagës është i ndotur me gjak në masë të parëndësishme. Mungon vrima e daljes së plumbit. Në anën e djathtë të shpinës, në zonën e brinjëve të fundit, rilevohet në prekje një trup i huaj në përmasa të vogla. Kufoma ka veshur një këmishë në ngjyrë të verdhemë me një kravatë të zezë (flutur) … Në anën e majtë të kraharorit është një vrimë me formë të çrregullt, diametër prej rreth një centimetri, rreth së cilës këmisha është e ndotur me gjak në një sipërfaqe prej 10 centimetrash diametër. Qarku i vrimës paraqet shenja djegieje.”
Një këmishë në një të verdhë të zbehtë të trëndafiltë, metamorfoza e fundit e bluzës së verdhë të ndezur me tre metra perëndim që djaloshit kubofuturist i pëlqente të shfaqte kur shkonte lart e poshtë, “diellin si monokël në sy”, për Nevskij Prospekt-in e botës. Bluzë-koracë: “… e mbështjellë në bluzën e verdhë / shpirti është i lirë nga kontrolle”. Pastaj në jetën e Majakovskijt hyri, e fortë, Lili Briku: tutje rrobat prej zhongleri, vetëm kravata dhe jo breza apo fjongo, prit flokët, mjeko ata dhëmbë të llahtarshëm të kalbur … Gardëroba e poetit u pasurua me një pallto angleze.
“Midis këmbëve të kufomës është një revolver (shpesh, asokohe, kështu i quanin pistoletat) ‘Mauzer’ i kalibrit 7,65 (e hoqi shoku Xhendin i OGPU-së) nr. 312045. Në armë nuk u gjet asnjë fishek. Në të majtë të kufomës, një metër larg trungut, është kapsolla e zbrazët e një ‘Mauzer’-i. Kufoma e Majakovskijt u zhvendos mbi divan për fotografitë.” Ora 11:50. E mbajtur nga zëvendësdrejtori i MChAT-it, Veronika Polonskaja ngjit me mundim shkallët deri te kommunalka prej nga ka ikur një orë e gjysmë më parë. Merret në pyetje në apartamentin nr. 12, përballë atij ku dergjet ende kufoma, nga hetuesi Ivan Sirkov, i Prokurorisë provinciale moskovite. Deponon: “Rreth një vit më parë … në hipodromin e Moskës, qytetari Osip Brik më prezantoi qytetarin Majakovskij.” (Pardesy të bardhë, kapelë me strehë të gjerë të rrasur mbi ballë, bastun shëtitjeje … “Shikojeni”, tha Briku, “Ngjan i madh dhe i shëndoshë, me ato këmbë të shkurtra …”). “Deri në atë çast e njihja vetëm si emër. Po atë ditë e pashë përsëri në shtëpinë e shkrimtarit Kataev.” Valentin Kataev (tridhjetë e dy vjeç, odesit) është autori i “Kuadratura e rrethit” ose dashuri katërshe, “vaudeville-i i parë sovjetik”, në skenë me sukses të madh në MChAT, duke filluar nga sezoni 1928-’29. Dy miq, Vasja dhe Abrami, të martuar njëri pa dijeninë e tjetrit, i çojnë gratë përkatëse në “hapësirën banuese” – dhoma e zhveshur e njëkommunalke moskovite – që ndajnë. Vetëm se Vasja bie në dashuri me gruan e Abramit dhe anasjelltas: ngurrime, brerje ndërgjegjeje (“Është etike apo antietike?”, “Do të mbijetojë? … Do të vdesë! …”), surpriza, keqkuptime derisa një ndërrim shpëtimtar i damave sistemon gjithçka. Komsomolasi Vasja interpretohet nga Mikail Janshini, burri i Veronikë Polonskajës. “Që kur e kam njohur nuk kam qenë kurrë në marrëdhënie seksuale me Majakovskijn, ndonëse ai këmbëngulte, por unë nuk doja. Shkaku i vetëvrasjes së tij është i panjohur për mua, por duhet menduar se ka qenë sidomos refuzimi im për t’ia kthyer dashurinë, si edhe mossuksesi i ‘Banjës’ …” Në Moskë, “Banja” (banjë përvëluese me avull allaruse, që djeg edhe lëkurat më të forta) u vu në skenë nga Vsevolod Mejerçold; mbrëmjen e premierës (16 mars) publiku nuk u tregua entuziast. Në Leningrad, ku ishte vënë tashmë në skenë më 17 janar, e kishte pritur “një ngricë vrasëse. Një dështim i paparë ndonjëherë, as edhe një duartrokitje pas dy akteve të para”, shkroi Mikail Zoshçenko. Recensionet: “Spektakël interesant ndoshta vetëm për një grup të vogël letrarësh”, “Qëndrim përqeshës ndaj realitetit tonë”, “Burokratizëm i konsideruar jashtë luftës së klasave”, “Spektakël primitiv”, “Vizion i ngatërruar, sipërfaqësor”. Vizion shumë i kthjellët i aparatit administrativ, mbi të cilin bazohet regjimi tashmë i fortë stalinian. E mishëron – ndër kampionët e tjerë të koprracisë, jokulturës, oportunizmit – glavnaçpups-i (drejtori në krye të administrimit të konsensusit) Pobedonosikov: “Transmetoj direktiva, arkivoj vendime, vendos kontakte … vë firma, shtoj vula … me fjalë të tjera, një cep socializmi”. Në fillim të aktit të tretë është vetë Pobedonosikovi që bën leckë regjisorin dhe autorin (një coup de theatre i çmuar nga pak vetë): “Te ne nuk ka njerëz të tillë, gjithçka është e panatyrshme, pa jetë, e pagjasshme! Duhet përpunuar, zbutur, poetizuar, lëmuar … Duhen treguar edhe anët e trëndafilta të realitetit tonë … Në emër të të gjithë punëtorëve dhe fshatarëve ju lutem të mos më alarmoni! Ke për të parë, orën me zile do të bëjë! Duhet të më ledhatoni veshin, jo të ma shqetësoni”. Pak vetë qeshin. Errësirë në sallë, perëndim i utopisë në skenë. “… dhe, në përgjithësi, faktin që ishte i sëmurë. Nuk më ka folur kurrë për vetëvrasje, ankohej vetëm për gjendjen e tij shpirtërore dhe thoshte se nuk e dinte se çfarë do të bëhej me të, sepse në jetë nuk shihte asgjë që të mund ta gëzonte.” Ora rreth 12:15. Kufoma vendoset mbi një barelë, fytyrën të mbuluar nga një leckë e zezë. Barelistët mezi arrijnë të bëjnë udhë përgjatë shkallëve tashmë të mbushura me njerëz: qiraxhinj të ndërtesës, gazetarë, kureshtarë, por edhe miq dhe të njohur të poetit, “të ngjeshur pas mureve nga forca centripete e ngjarjes”. Pasternaku është arritur në kalimin Lubjanskij nga një mikeshë e re (“diçka i sugjeronte se tronditja do ta ndihmonte të shfrente dhembjen e vet”). Është vejusha e 28-vjeçarit Vladimir Silov, poetit (dhe kritik, afër futuristëve, pastaj LEF-it), i ekzekutuar më 16 shkurt. Me emrin e tij hapet lista e shkrimtarëve të arrestuar dhe të pushkatuar në vitet tridhjetë në bazë të nenit 58.1: “Krime kundër revolucionit”.
Ora rreth 13:00. Dhoma vuloset.
“Unë, inspektori i radhës Kurmelev, erdha në vendin e vrasjes së qytetarit Majakovskij. Këqyrja e kufomës u krye nga gjykatësi hetues popullor Sirkov, i cili mori procesverbalin e analizës së kufomës që pasi liroi dhomën, u dërgua në shtëpi në rrugën ‘Xhendrikov’ … Studioja u vulos me vulat e Komandës së 39 të policisë moskovite. Në dhomë gjendet baulja e vogël e vulosur nga reparti operativ i OGPU-së.” Inspektori gjysmanalfabet Kurmelev (shkruan edhe me gabime të dukshme drejtshkrimore dhe gramatikore) është i bindur që bëhet fjalë për vrasje: dy dashnorë, mbase ai e tradhtonte, ajo e ka vrarë dhe pastaj është përpjekur të ikë …
Ora 15:00. Njeriu pa emër mbaron “Raportin”:
“Qytetarja Polonskaja u çua nga agjentë të policisë kriminale në vendin e ngjarjes, ku u mor në pyetje nga hetuesi, i cili përcaktoi se arsyeja e vetëvrasjes ishte refuzimi i aktores për t’u bërë dashnorja e Majakovskijt. Pas marrjes në pyetje, hetuesi e mori me vete qytetaren Polonskaja”.
Për ta shoqëruar në shtëpi? Për të vazhduar marrjen në pyetje në zyrën e vet? Sepse është në gjendje arresti, mendojnë disa.
“Arma u mor nga shefi i Seksionit të Kundërspiunazhit, Xhendin, paratë, 2500 rubla, i tërhoqi hetuesi, dhoma u vulos”.