Suzana Tahiri: Përvjetori i LDK, një ngjarje epokale
Lidhja Demokratike e Kosovës ka hyrë në historinë shqiptare si një parti që u shndërrua në lëvizje mbarëpopullore dhe që vuri gurin e parë të themelit për Kosovën e lirë dhe të pavarur.
E prirë nga profesor Ibrahim Rugova LDK bë faktori numër një i kundërshtimit të regjimit genocidal të Millosheviçit. Ishte pikërisht ky “Gand i Ballkanit” që, falë orientimit properëndimor dhe përpjekjeve të parreshtura në kancelaritë europiane e shndërroi çështjen e shqiptarëve në një çështje ndërkombëtare.
Veçanërisht kanali i bashkëpunimit me administratën amerikane bëri të mundur sigurimin e një aleati, kampion i demokracisë, që të angazhohej drejtpërdrejt në çlirimin e Kosovës.
Shqiptarët në përgjithësi dhe kosovarët në veçanti do t’u jenë përjetë mirënjohës shteteve të NATO-s për atë ndërhyerje energjike në zemër të Europës duke i dhënë fund një krimi antinjerëzor. Dhe padyshim meritë kryesore ka qenë ajo e LDK, e pasuar më vonë edhe me luftën dhe gjakun e qindra shqiptarve të tjerë të rreshtuar pranë UÇK dhe që trashëgohen në PDK-në e Hashim Thaçit.
Pavarësisht se një përvjetor i 27 i një partie bën krenare një forcë të vetme politike, roli i LDK dhe Ibrahim Rugovës ka qenë i pazëvendësueshëm dhe që do kujtohet brez pas brezi.
Fryma dhe filozofia e Rugovës është një trashëgimi e çmuar, nga të cilat mund të përfitojnë të gjitha partitë politike aktuale por edhe vetë shoqëria shqiptare.